Mes zyrës dhe partisë: Fushata zgjedhore nxori në pah konfliktin e interesit të funksionarëve në RMV
Pjesëmarrja e vazhdueshme e përfaqësuesve të lartë shtetëror në fushatën zgjedhore të gjedhjeve lokale ngre dilemat për paanshmërinë institucionale dhe thyerjen e kodeve të sjelljes politike, ndarjen e interesave shtetërore nga ato partiake, shkruan Portalb.mk. Prezenca e përfaqësuesve të lartë shtetëror në proceset zgjedhore, respektivisht e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, […]
 
                                
Pjesëmarrja e vazhdueshme e përfaqësuesve të lartë shtetëror në fushatën zgjedhore të gjedhjeve lokale ngre dilemat për paanshmërinë institucionale dhe thyerjen e kodeve të sjelljes politike, ndarjen e interesave shtetërore nga ato partiake, shkruan Portalb.mk.
Prezenca e përfaqësuesve të lartë shtetëror në proceset zgjedhore, respektivisht e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fushatën e koalicionit VLEN thyen parimin e paanshmërisë institucionale, pasi një funksionar si kryetari i kuvendit, institucionit më të lartë ligjvënës, pritet që veprimtaritë e tij të jenë kryesisht institucionale dhe jo partiake, për të ruajtur besueshmërinë, barazinë e fushatës dhe neutralitetin e institucionit.
Tejet aktivë gjatë fushatës në zgjedhjet lokale kanë qenë edhe protagonistë tjerë nga ekzekutivi, si zëvendëskryeministri Arben Fetai, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, i pari i ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski dhe shumë të tjerë.
Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, u kap nga kamerat e “Infomax” se si merr pjesë në fushatë zgjedhore, në Probishtip.
“Nuk bëjmë vepër penale, derisa kemi ftesë që t’i vizitojmë shtëpitë e pensionistët në Maqedoni”, u përgjigj Vellkovski.
Edhe pse nuk ka ndalesa apo kufizime që përcaktohen me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe me dispozitat e Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kujtojnë detyrimin ligjor që ushtrimi i funksioneve publike të mos vihet në konflikt me interesat personale apo partiake.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) vazhdimisht thekson nevojën për respektimin e plotë të ndalesave ligjore nga të gjithë mbajtësit e funksioneve publike, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Edhe pse nuk ekziston ndalesë e qartë ligjore që ndalon pjesëmarrjen e funksionarëve publikë në ngjarje të organizatorëve të fushatës zgjedhore, KShPK kujton detyrimin ligjor që ushtrimi i funksioneve publike të mos vihet në konflikt me interesat personale apo partiake. Gjithashtu, kërkohet zbatim i përpiktë i Kodit për sjellje etike të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili rregullon mënyrën e sjelljes dhe të punës së deputetëve, si dhe ndarjen e interesave shtetërore nga ato partiake. Në këtë Kod parashikohet që të gjithë deputetët, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, në veprimet e tyre të udhëhiqen para së gjithash nga interesi publik, dhe gjatë ushtrimit të funksionit të mos ndikohen nga interesa personale, familjare, fetare, politike apo etnike, si dhe nga presione apo premtime partiake”, thonë për Portalb.mk, nga KSHPK.
Nga aty theksojnë se institucioni ndjek aktivisht të gjithë procesin zgjedhor dhe, në rastet kur ka bazë për dyshime mbi shkelje të ligjit, merr masa për të konstatuar dhe verifikuar këto dyshime.
“Në përputhje me nenin 32 paragrafi 10 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, pas përfundimit të procesit zgjedhor, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të përgatisë dhe dorëzojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Raportin e veçantë për gjendjen e konstatuar në financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2025. Ky raport përbën një pasqyrë gjithëpërfshirëse të aspekteve financiare të procesit zgjedhor, dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit”, thanë nga KSHPK.
Ndryshe, vet kryeparlamentari Afrim Gashi, një ditë para nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, bëri thirrje publike për zhvillimin e një gare të drejtë, demokratike dhe dinjitoze.
Ai u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve, kandidatëve dhe qytetarëve që të shmangin çdo formë presioni, gjuhë të urrejtjes, propagandë përçarëse apo keqpërdorim të resurseve publike. Gashi kujtoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të Deklaratës së përbashkët për zgjedhje të drejta dhe demokratike, të miratuar më herët nga Kuvendi.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.
 
                         
         
         
         
         
         
         
         
 
 
         
         
         
         
         
  