Mexhiti shpalli fitoren në Çair dhe Tetovë: E çuam në pension Ali Ahmetin
Izet Mexhiti shpalli fitoren në komunën e Çairit, duke i uruar me ironi fitoren AKI-t në Pllasnicë. Ai shtoi se në Çair, shqiptarët çuan në pension një klasë të vjetër politike. Mexhiti shtoi se VLEN ka arritur fitore që në raundin e parë edhe në Tetovë, transmeton Portalb.mk. “Shfrytëzoj rastin t’i uroj fitoren z.Ahmeti në […]


Izet Mexhiti shpalli fitoren në komunën e Çairit, duke i uruar me ironi fitoren AKI-t në Pllasnicë. Ai shtoi se në Çair, shqiptarët çuan në pension një klasë të vjetër politike. Mexhiti shtoi se VLEN ka arritur fitore që në raundin e parë edhe në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
“Shfrytëzoj rastin t’i uroj fitoren z.Ahmeti në komunën e Pllasnicës. Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Sot me zemrën plot krenari mund të them se fituan shqiptarët, sonte një klasë politike u pensionua. Fitorja e Çairit është fitore e dinjitetit, shpresës. Qytetarët na shpërblyen me votë dhe besim, në anën tjetër, kundërshtarët tanë nuk kishin asgjë për të thënë. Ata bënë fushatë të zbrazët, të dëshpëruar. As gjuha e urrejtjes, as nacionalizmi nuk i shpëtuan, sepse shqiptarët nuk mashtrohen më. Prandaj sonte i drejtohem kundërshtarit tim politik, Ali Ahmetit, me plot respekt, por edhe me qartësi: Ky është çasti kur duhet të tërhiqesh, vota e shqiptarëve të dërgoi në pension”, tha Mexhiti.
Paraprakisht, pas mbylljes së vendvotimeve, VLEN doli në konferencë për mediat ku deklaroi se pret fitore në shumë komuna që në rrethin e parë, këtu duke përfshirë Çairin, Tetovën, Sarajin dhe disa komuna të tjera. Ata i konsideruan zgjedhjet si të lira dhe demokratike
“Procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt në të gjitha komunat e vendit. Sipas informacioneve nga terreni, procesi është realizuar pa ndonjë parregullsi të theksuar. Presim nga KSHZ që faza e përmbylljes dhe numërimit të votave, të zhvillohet në transparencë të plotë në përputhje me ligjin. Kemi dalje të madhe edhe në Çair edhe në Saraj krahasuar me zgjedhjet e kaluara, kjo tregon se qytetarët në këto komuna janë të përgatitur t’u japin besimin politikave të VLEN-it. Nga gjithë informacionet që i kemi marrë nëpër shtabet komunale, presim fitore, në pothuajse secilën komunë. Jemi optimist se në disa prej komunave gara do të përmbyllet qysh në rrethin e parë. Kjo vlen për Çairin, në Tetovë, në Saraj, në komunën e Bogovinës, Zhelinës dhe Tearcës”, tha Driton Sulejmani nga VLEN.
Atmosferë nga festimi i simpatizantëve të VLEN-it: