ODIHR e vlerësoi procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, raportoi edhe parregullsi ligjore

Zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor ishin konkurruese dhe votuesve u mundësuan zgjedhje të vërtetë në mes alternativave të ndryshme politike, por ishin nën hijen e parregullsive ligjore, kapacitete të kufizuara institucionale dhe polarizimit të lartë politik, njoftuan vëzhguesit ndërkombëtarë në deklaratën e sotme për gjetjet dhe konkluzionet preliminare, raporton MIA. Sipas misionit të […]

ODIHR e vlerësoi procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, raportoi edhe parregullsi ligjore
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor ishin konkurruese dhe votuesve u mundësuan zgjedhje të vërtetë në mes alternativave të ndryshme politike, por ishin nën hijen e parregullsive ligjore, kapacitete të kufizuara institucionale dhe polarizimit të lartë politik, njoftuan vëzhguesit ndërkombëtarë në deklaratën e sotme për gjetjet dhe konkluzionet preliminare, raporton MIA.

Sipas misionit të përbashkët vëzhgues të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut të OSBE (ODIHR), Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, zgjedhjet u zhvilluan në atmosferë të dëshpërimit nga politika dhe perceptimet e përhapura për korrupsionin.

Shefi i misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të ODIHR, Mateo Mekaçi, theksoi se edhe pse administrata zgjedhore në përgjithësi i ka zbatuar përgatitjet në mënyrë efikase dhe në përputhje me afatet ligjore, vrimat në legjislacion, infrastruktura e vjetërsuar dhe burimet e kufizuara ndikuan negativisht në punën e saj.

“Ishte mirë të shihje një fushatë konkurruese në javët e fundit dhe një ditë zgjedhjesh të organizuar mirë, kryesisht paqësore, por mangësitë në legjislacionin zgjedhor që dëmtojnë funksionimin e institucioneve mbeten shqetësuese”, tha Mekaçi.

Ai theksoi se ka pasur raste të keqpërdorimit me burimet publike, si dhe presion mbi punonjësit e sektorit publik, frikësim të votuesve dhe blerje votash, të cilat shkaktuan shqetësim midis vëzhguesve.

Gobint Ni Vimnehan, shefe e Delegacionit nga Kongresi i Këshillit të Evropës, tregoi se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e organizuar mirë, por theksoi pjesëmarrjen e pamjaftueshme të grave si kandidate dhe mungesën e qasjes për votuesit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit.

Misioni ndërkombëtar ishte i përbërë nga 275 vëzhgues nga 40 vende, në mesin e të cilëve 253 ekspertë të OSBE/ODIHR, 15 anëtarë të Kongresit të Këshillit të Evropës dhe shtatë eurodeputetë. 

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Kutitë e votimit u hapën në ora 07.00 dhe u mbyllën në ora 19:00. Zgjedhjet lokale të këtij viti janë të parat në të të cilat reflektohen ndryshimet demografike të shfaqura nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021.