Mickoski për Raportin e KE-së: Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese, do të marrim veto të re, ne jemi shumë përpara Shqipërisë

Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese, do të jemi më të mirët. Atëherë me siguri do të marrim pesëshe dhe do të jemi kampionë, dhe pastaj do të marrim veto të re dhe probleme të reja. Kjo ishte pjesë e komentit që kryeministri Hrisijan Mickoski dha në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian (KE) mbi progresin […]

Mickoski për Raportin e KE-së: Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese, do të marrim veto të re, ne jemi shumë përpara Shqipërisë
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese, do të jemi më të mirët. Atëherë me siguri do të marrim pesëshe dhe do të jemi kampionë, dhe pastaj do të marrim veto të re dhe probleme të reja. Kjo ishte pjesë e komentit që kryeministri Hrisijan Mickoski dha në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian (KE) mbi progresin e vendit për vitin 2025, i cili vëren se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përpjekje për të miratuar ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Përveç ndryshimeve kushtetuese, Mickoski thotë se është jashtëzakonisht i kënaqur me vërejtjet në Raport sepse, siç thotë ai, vendi nuk po shkon prapa.

“Ka ngecje në disa fusha, të gjithë e dimë se cilat janë, që është sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Vazhdoj të them se nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor dhe në Prokurori. Tani, pas zgjedhjeve, do të merremi me këtë temë shumë më seriozisht. Në të gjitha fushat e tjera, ka pasur përparim të vogël ose të rëndësishëm, kështu që në përgjithësi mund ta vlerësoj Raportin si të mirë”, thotë Mickoski.

Kryeministri nuk pajtohet që vendet e tjera në rajon janë përpara Maqedonisë. Sipas tij, vendi është shumë përpara Shqipërisë në tetë fusha, megjithëse, siç thotë ai, disa nga komisionerët evropianë bëjnë deklarata të tilla.

“Kur analizohet situata dhe gatishmëria e vendeve – vlerësimi objektiv është se Mali i Zi është i pari, në vendin e dytë jemi ne dhe Serbia, dhe pastaj vijnë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova. Por ne duhet të punojmë dhe do të punojmë. Unë jam absolutisht i përqendruar në reforma, kjo qeveri është reformiste dhe jam i inkurajuar nga mesazhet për reformat në fushën e ekonomisë, luftën kundër pastrimit të parave, futjen e një sistemi të përbashkët pagesash, doganat, roaming-un e lirë. Do të zbatohet në një mënyrë të tillë që ka shumë gjëra për t’u lavdëruar dhe kjo më inkurajon”, shtoi kryeministri, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas vizitës së tij në Petrovec.

Raporti i Progresit 2025 për Maqedoninë e Veriut, i publikuar dy ditë më parë nga Komisioni Evropian, vëren se vendi duhet të zbatojë reforma themelore që lidhen me Bashkimin Evropian, si dhe të miratojë ndryshimet përkatëse kushtetuese të përcaktuara në Përfundimet e Këshillit të 18 korrikut 2022.

Përndryshe, më 4 nëntor u publikua Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut mbetet vetëm pjesërisht e përgatitur në luftën kundër korrupsionit dhe nuk ka shënuar progres, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe shqetësues. Tragjedia e 16 marsit 2025 në Koçan ekspozoi mangësi serioze në zbatimin e masave antikorrupsion. KSHPK u përball me krizë besueshmërie pas aktakuzës ndaj kryetares së saj, ndërsa institucioni duhet të forcojë udhëzimet, verifikimin e pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit zgjedhor. Prokuroria dhe njësitë hetimore vuajnë nga mungesa e stafit dhe burimeve, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh vonohen, parashkruhen ose përfundojnë me dënime minimale. Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të paadresuara. Vendit i kërkohet të miratojë Kodin e ri Penal, të zbatojë strategjitë antikorrupsion dhe të sigurojë burime të mjaftueshme për institucionet kyçe.

Mes tjerash, thuhet se vendi nuk bëri përpjekje për të miratuar ndryshimet përkatëse kushtetuese të përmendura në konkluzionet e Këshillit të 18 korrikut 2022, të cilat vendi u zotua t’i nisë dhe t’i miratojë, me qëllim që “të sigurohet që Kushtetuta të përfshijë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët”.