Qyteti i Gjelbër Human: Me ligjin e ri për kontrollin e emetimeve industriale, deputetët në RMV kanë legalizuar helmimin
Askund në ligj nuk përcaktohet që të dhënat nga monitorimi i ndotjes industriale duhet të jenë të disponueshme publikisht 24/7. Industria do të ketë të drejtën të fshehë informacionin që lidhet me projektimin ose aktivitetin e ndërtesës ose instalimit, përbërjen ose përdorimin e disa lëndëve të para, kimikateve ose materialeve ose produkteve të tjera nëse […]

Askund në ligj nuk përcaktohet që të dhënat nga monitorimi i ndotjes industriale duhet të jenë të disponueshme publikisht 24/7. Industria do të ketë të drejtën të fshehë informacionin që lidhet me projektimin ose aktivitetin e ndërtesës ose instalimit, përbërjen ose përdorimin e disa lëndëve të para, kimikateve ose materialeve ose produkteve të tjera nëse ato klasifikohen si sekret tregtar. Kjo do të thoshte që qytetari i zakonshëm nuk do të kishte të drejtë të dijë nëse fabrika e çimentos Usje, për shembull, djeg mbeturina, goma ose ndonjë element tjetër toksik, reagojnë nga shoqata Qyteti i Gjelbër Human, transmeton Portalb.mk.
“Masat e marra për të zvogëluar shkatërrimin e mjedisit që do të vëreheshin pas mbylljes së instalimit mund të fshihen si informacion (Neni 24, paragrafi 8). Sipas ligjit, ata i lejojnë vetes një maksimum prej 6 muajsh (gjoja) të ndotin MBI nivelin e lejuar me lejen e integruar, dhe gjithashtu kanë leje për maksimum prej 500 orësh në vit, gjë që është edhe më e lirshme sepse “vërtetohet” nga monitorimi që industria kryen mbi veten e saj, kështu që askush nuk i kontrollon ata. Publiku NUK MUND të propozojë teknikat më të mira të disponueshme. Nga raporti i dëgjesës “publike” të mbajtur nga Ministria e Mjedisit, e njoftuar vetëm 2 ditë para se të mbahej, mund të shihet se si Makstil ashtu edhe Usje e mirëpritën dhe e mbështetën ligjin – gjë që e bën të qartë se çfarë është”, thuhet në reagim
Nga kjo shoqatë shtojnë se Ligje të reja po miratohen vazhdimisht që lejojnë shkatërrim gjithnjë e më të madh të mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.
“Ligji u miratua gjatë fushatës zgjedhore, gjë që është në kundërshtim me Konventën e Aarhusit. Konventa e Aarhusit kërkon që publiku të ketë mundësi reale, efektive dhe në kohë për të marrë pjesë në marrjen e vendimeve që lidhen me mjedisin. Transparenca dhe pjesëmarrja publike nuk janë një procedurë burokratike, ato janë themeli i demokracisë dhe mbrojtjes së mjedisit”, thuhet në reagim.
Ndryshe, laboratori Qendror i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk është akredituar për asnjë metodë për monitorimin e cilësisë së ajrit. Edhe pse Shkupi çdo vit ndodhet në majat e listave të qyteteve më të ndotura në botë, matjet u besohen laboratorëve privatë me të cilët Ministria lidh kontrata. Këtë e dëshmoi edhe shembulli me zjarrin në Trubarevë, i cili edhe një herë nxori në pah problemin që po zgjat tashmë prej disa vitesh.
Akreditimi i Laboratorit Qendror për matjen e emetimeve në ajër ishte një nga kërkesat më të përsëritura të organizatave ekologjike me qëllim për ta ndihmuar punën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor në dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit. Laboratori ekziston për më shumë se katër dekada dhe ka qenë pjesë e Ministrisë që nga themelimi i saj në vitin 1995. Fakti që nuk ka akreditim për asnjë metodë për ajrin është arsyeja se pse matjet e tij të parametrave të ndryshëm të ndotjes nuk konsiderohen prova të forta, sidomos në procedurat gjyqësore kundër ndotësve, prandaj nuk ka qenë në funksion të Inspektoratit të Mjedisit Jetësor për dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit deri më tani.
