Ministri <strong>Armend Muja</strong>: Sektori i qumështit në Kosovë nën presion, dyshohet zëvendësimi i yndyrave shtazore me ato bimore

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka ngritur alarm për situatën e vështirë në të cilën gjendet sektori i qumështit në Kosovë. Në një konferencë për media, të mbajtur pas protestës së fermerëve të Drenasit, të cilët derdhën qumështin në kanal si shenjë revolte ndaj uljes së çmimit të blerjes, Muja ka deklaruar se institucioni i tij ka identifikuar zhvillime shqetësuese në treg.
Tendencë e dyshimtë: zëvendësimi i yndyrave shtazore me ato bimore
Sipas Armend Muja, një nga problemet kryesore që po përballet sektori është tendenca e ndryshimit të përbërjes yndyrore të qumështit vendor. “Zakonisht tendenca është për ta ndryshuar përbërjen yndyrore, yndyrat shtazore me yndyrat bimore. Ajo çfarë më herët është nxjerrë nga qumështi për të prodhuar yndyrë shtazore, ka një tendencë që ajo të zëvendësohet me yndyrë bimore, me vaj palme edhe me qumësht pluhur”, ka thënë ai.
Ministri ka theksuar se të dhënat e institucioneve tregojnë një rritje të importit të qumështit pluhur në Kosovë, duke e lidhur këtë me rënien e fuqisë blerëse ndaj fermerëve vendorë. “Importi i qumështit pluhur është rritë korrespodent me rënien e fuqisë blerëse të fermerëve”, ka deklaruar Muja.
Fermerët kanë protestuar një ditë më parë duke thënë se çmimi i qumështit është ulur nga 48 centë në 27 deri në 30 centë për litër, gjë që sipas tyre po e bën të pamundur mbijetesën e prodhimit vendor. Megjithatë, Muja ka hedhur poshtë pretendimet se ulja e çmimeve lidhet me importin e qumështit pluhur. “Deklarata ose pretendimi nuk nxjerr të jetë i bazuar në të dhëna. Në fakt është e kundërta, çmimi i qumështit që vjen nga importi në muajt e fundit vetëm është rritur”, ka thënë ai.
Sipas tij, analiza e të dhënave tregon se ka pasur ulje të koordinuar të çmimit që u paguhet fermerëve. “Ajo çfarë kemi gjetur është që çmimi për litër në fermë ka qenë një moment vendimtar në nëntor të vitit 2024, kur unë gjykoj që ka pasë një ulje të koordinuar të çmimit që i paguhet fermerëve”, ka thënë Muja.
Ai ka shtuar se konsumatorët nuk kanë përfituar ulje të çmimeve në treg, ndërsa kostoja e uljes së çmimit të qumështit ka shkuar te përpunuesit e qumështit dhe te supermarketet. “Kostoja ka shkuar te fermeri, por marzha ka shkuar te përpunuesit e qumështit edhe te supermarketet”, ka deklaruar ministri.
Personat e përmendur
- Armend Muja - Armend Muja
- Drenasi - Drenasi
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



