Mjekët shpjegojnë 6 shkaqe që e ngadalësojnë kujtesën

Jo çdo harresë është shenjë plakjeje mjekët shpjegojnë si ndikon stili i jetesës, ushqimi, gjumi dhe barnat në kujtesë Me kalimin e moshës, truri humbet gradualisht masë, kryesisht në korteksin prefrontal, që është i rëndësishëm për vendimmarrjen, dhe në hipokampus, pjesa e trurit përgjegjëse për kujtesën. Ndonjëherë nuk mund të kujtohemi për një emër “që […] The post Mjekët shpjegojnë 6 shkaqe që e ngadalësojnë kujtesën appeared first on Konica.al.

Mjekët shpjegojnë 6 shkaqe që e ngadalësojnë kujtesën

Jo çdo harresë është shenjë plakjeje mjekët shpjegojnë si ndikon stili i jetesës, ushqimi, gjumi dhe barnat në kujtesë

Me kalimin e moshës, truri humbet gradualisht masë, kryesisht në korteksin prefrontal, që është i rëndësishëm për vendimmarrjen, dhe në hipokampus, pjesa e trurit përgjegjëse për kujtesën.

Ndonjëherë nuk mund të kujtohemi për një emër “që e kemi në majë të gjuhës”, nuk jemi të sigurt nëse e fikëm shporetin apo i kyçëm dyert. Ritmi i shpejtë i jetës dhe mijëra detyra ditore lënë gjurmë në trup dhe në funksionet njohëse.

Harresa është normale herë pas here dhe zakonisht nuk përbën arsye për shqetësim. Megjithatë, nëse vëmë re se kujtesa po dobësohet ndjeshëm dhe po ndikon në funksionimin tonë të përditshëm, është koha të pyesim pse ndodhin këto ndryshime. Mjekët theksojnë se shkaqet nuk lidhen gjithmonë vetëm me moshën.

A janë vitet arsyeja pse harrojmë shpesh?

Numri i neuroneve zvogëlohet që nga lindja, prandaj është disi normale që me kalimin e viteve të mos kujtojmë shpejt emra ose fjalë të caktuara, shpjegon dr. Eliz Kakapolo, neuropsikologe në Qendrën Mjekësore të Universitetit “Columbia”.

Prof. dr. P. Murali Dorajsvami, psikiatër nga Fakulteti i Mjekësisë “Duke”, shton se me kalimin e moshës mund të ndodhë dobësimi i kujtesës afatshkurtër – pra, aftësia për të mbajtur mend sasi të vogla informacioni për një periudhë të shkurtër kohe.

Ndërsa plaket truri, ai humbet masë më shumë në korteksin prefrontal (vendimmarrje) dhe hipokampus (kujtesë). Njëkohësisht, përçimi i informacionit mes neuroneve ngadalësohet, ndërsa rritet rreziku i sëmundjeve neurodegjenerative.

Në anën tjetër, inteligjenca emocionale shpesh forcohet me kalimin e moshës, dhe përvoja jetësore ndihmon në vendimmarrje dhe në strategjitë për të mbajtur mend më lehtë.

Megjithatë, mjekët vërejnë se stërmundimi, infeksionet apo stresi kronik mund të kenë ndikim të madh në aftësitë njohëse, edhe pa pasur lidhje të drejtpërdrejtë me moshën.

Barnat

Shumë barna të zakonshme mund të ndikojnë në kujtesë veçanërisht kur kombinohen disa lloje të ndryshme.

“Nëse problemet me kujtesën po bëhen më të dukshme, është e domosdoshme t’i tregoni mjekut cilat barna përdorni, përfshirë suplementet dhe barnat pa recetë”, thekson dr. Brenna Ren, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Nevadës.

Nëse barnat ndikojnë në aftësinë për të mbajtur mend, mjeku mund të ndryshojë terapinë ose të rregullojë dozën.

Barnat që mund të ndikojnë në kujtesë:

Benzodiazepinat – dëmtojnë kujtesën afatshkurtër dhe afatgjatë.
Statinat – barna për uljen e kolesterolit; sipas FDA, mund të shkaktojnë konfuzion dhe humbje kujtese.
Beta-bllokuesit – përdoren për presionin e gjakut dhe sëmundjet e zemrës; disa studime i lidhin me funksione më të dobëta njohëse.
Opioidet – përdorimi afatgjatë mund të ndikojë negativisht në kujtesë.
Barnat për gjumë – mund të shkaktojnë harresë dhe vështirësi në kujtesë.
Depresioni dhe ankthi

Depresioni dhe ankthi janë ndër shkaqet kryesore të problemeve me kujtesën te personat 40–60 vjeç, thotë dr. Kakapolo.

“Kur jemi të depresionuar, truri nuk funksionon me kapacitet të plotë. Ankthi ka efekt të ngjashëm. Nën stres kronik, trupi qëndron në gjendje të vazhdueshme ‘lufto ose ik’, duke çliruar hormone që na mbajnë të tensionuar. Kjo ndikon fuqishëm në tru dhe mund të shkaktojë dobësim të funksioneve njohëse”, shpjegon dr. Tomas Holland, studiues në Institutin Kërkimor për Plakje të Shëndetshme pranë spitalit Rush.

Ushqyerja

Sipas dr. Holland, ushqyerja ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e trurit. Një dietë e pasur me vitamina dhe minerale ndihmon në mbrojtjen e neuroneve. Ushqimet që përmbajnë flavonoide, si perimet me gjethe të errëta, çajrat dhe domatet, mund të ngadalësojnë dobësimin e kujtesës.

Në të kundërt, ushqimet e përpunuara, që përmbajnë ngjyrues artificialë, aditivë dhe ëmbëltues artificialë, lidhen me rritje të rrezikut për harresë dhe demencë.

Gjumi

Stresi i përditshëm, detyrimet e punës dhe familjes ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e gjumit. Një gjumë i rregullt dhe i mjaftueshëm është thelbësor për rigjenerimin dhe shëndetin e trurit.

Nëse nuk flemë mjaftueshëm, substanca toksike si proteina beta-amiloide grumbullohen në tru, proteinë që lidhet me zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit. Mungesa e gjatë e gjumit shteron burimet njohëse, përkeqëson përqendrimin, të nxënit dhe kujtesën.

“Edhe apnea e gjumit (ndërprerja e frymëmarrjes gjatë natës) mund të shkaktojë probleme, sepse zvogëlon furnizimin me oksigjen të trurit”, shpjegon dr. Kakapolo.

Problemet me dëgjimin

Hulumtimet e reja tregojnë se humbja e dëgjimit mund të ndikojë në shëndetin e trurit. Kur dëgjojmë më dobët, truri shpenzon më shumë energji për të përpunuar fjalët, duke reduktuar burimet që përdor për kujtesën.

Rekomandohet përdorimi i aparateve të dëgjimit, që mund të ndihmojnë në ruajtjen e funksioneve njohëse.

“Aparatet e mira të dëgjimit mund të ndihmojnë ndjeshëm në ruajtjen e aftësive kognitive”, thotë dr. Ren. Sipas disa studimeve, përdorimi i tyre ul rrezikun e dobësimit të kujtesës me rreth 19 për qind.

Shpërndarja e vëmendjes

Dr. Holland shpjegon se multitaskingu, përpjekja për të bërë tre gjëra njëkohësisht, ul aftësinë për përqendrim dhe kujtesë.

Një studim i botuar në Nature tregoi se shikimi i televizorit ndërsa përdorim telefonin dobëson përqendrimin dhe kujtesën, madje edhe te të rinjtë.

“Te personat e moshuar, bërja e disa gjërave njëherësh, mund të shkaktojë më shumë vështirësi. Përpjekja për të bërë disa detyra njëkohësisht na ngadalëson dhe ul efikasitetin”, përfundon dr. Kakapolo.

The post Mjekët shpjegojnë 6 shkaqe që e ngadalësojnë kujtesën appeared first on Konica.al.