MPJD dënon reagimin e Serbisë ndaj njohjes nga Sudani: Shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe sulm ndaj sovranitetit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila kundërshtoi vendimin e Sudanit për të njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas MPJD-së, kjo përbën një shkelje të qartë dhe të papranueshme të Marrëveshjes së Brukselit të shkurtit

MPJD dënon reagimin e Serbisë ndaj njohjes nga Sudani: Shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe sulm ndaj sovranitetit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila kundërshtoi vendimin e Sudanit për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas MPJD-së, kjo përbën një shkelje të qartë dhe të papranueshme të Marrëveshjes së Brukselit të shkurtit 2023 dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit të marsit të po këtij viti.

MPJD ka theksuar se Serbia, përmes kësaj deklarate, ka tentuar të ushtrojë presion ndaj një shteti sovran për të ndikuar në vendimmarrjen e tij të pavarur në politikën e jashtme – duke cënuar parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. “Kjo është një përpjekje e papranueshme për të diskredituar dhe penguar përparimin ndërkombëtar të Kosovës, dhe njëkohësisht, një fyerje ndaj sovranitetit të Sudanit”, thuhet në reagimin zyrtar.

MPJD ka rikujtuar se neni 1 i Marrëveshjes së Brukselit obligon palët të zhvillojnë marrëdhënie normale fqinjësore, mbi bazën e të drejtave të barabarta, ndërsa neni 4 ndalon bllokimin apo inkurajimin e bllokimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sipas ministrisë, veprimet e Serbisë janë pjesë e një strategjie të qëllimshme për të minuar shtetësinë e Kosovës, e cila po shoqërohet me një fushatë të vazhdueshme bllokuese, përfshirë kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kontestimin e njohjeve të reja bilaterale.

Ministria ka vlerësuar se vendimi i Sudanit për ta njohur Kosovën është një akt politikisht i përgjegjshëm, ligjërisht i justifikuar dhe në përputhje me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010. Kosova shpreh mirënjohje të thellë për këtë vendim dhe shpreh gatishmëri për të ndërtuar marrëdhënie diplomatike me Sudanin.

Reagimi i MPJD-së thekson gjithashtu se sjellja e Serbisë nuk është e izoluar, duke përmendur edhe aktin e agresionit në Banjskë në shtator 2023 dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc në nëntor 2024, si shembuj të qartë të destabilizimit të qëllimshëm rajonal.

Në fund, MPJD i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe aktorëve ndërkombëtarë që të mbikëqyrin dhe garantojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura, dhe të mbështesin një proces të drejtë që çon drejt njohjes së ndërsjellë dhe paqes së qëndrueshme në rajon.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe integrimit të plotë ndërkombëtar si një shtet sovran, i barabartë dhe kontribuues në stabilitetin rajonal”, përfundon deklarata.