Murati flet për rritje rekorde të pagave, opozita e demanton keq, ia përmend inflacionin, deficitin e lartë tregtar, emigrimin,…
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga mesatare bruto në sektorin privat në Kosovë ka arritur në 598 euro gjatë vitit 2024, duke e cilësuar këtë si rritjen më të lartë historike dhe si dëshmi të qeverisjes efektive të kabinetit Kurti. Ai u mbështet në të dhënat e

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga mesatare bruto në sektorin privat në Kosovë ka arritur në 598 euro gjatë vitit 2024, duke e cilësuar këtë si rritjen më të lartë historike dhe si dëshmi të qeverisjes efektive të kabinetit Kurti. Ai u mbështet në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe tha se “nuk ka qeveri më miqësore me bizneset sesa ajo e Kurtit.”
Megjithatë, kjo deklaratë është kundërshtuar nga përfaqësues të opozitës, të cilët thonë se rritja e përmendur është e njëanshme dhe nuk pasqyron realitetin ekonomik.
Ata kritikojnë Muratin për mosadresimin e faktorëve kyç, si inflacioni i lartë, veçanërisht në produktet ushqimore dhe për mungesën e ndonjë kontributi real të qeverisë në këtë rritje të pagave.
Sipas tyre, përkundër shifrave të prezantuara, vendi po përballet me një deficit tregtar të thelluar, rritje të çmimeve të energjisë, papunësi të lartë dhe largim masiv të të rinjve tregues që e sfidojnë narrativën e suksesit ekonomik të qeverisë.
Ferat Shala pyet Muratin: Si u rritën pagat, kur po rritet papunësia, çmimet dhe kur po ikin rinia?
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, për FrontOnline ka kundërshtuar deklaratat e Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili foli për një “rritje historike” të pagës mesatare në sektorin privat.
Sipas Shalës, këto deklarata janë të pabazuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin ekonomik në vend.
“Qëndrimet e ministrit në detyrë të financave nuk qëndrojnë. Qeveria për sektorin privat nuk ka dhënë asnjë kontribut, as praktik e as strategjik,” u shpreh Shala për FrontOnline.
Ai shtoi se Murati ka injoruar parametrat shkencorë dhe ekonomikë që duhen marrë parasysh kur flitet për paga, duke mos përfshirë as ndikimin e inflacionit.
“Mbi të gjitha Murati nuk ka marrë asnjë parametër shkencor dhe ekonomik dhe nuk e ka marrë për bazë as inflacionin i cili ka qenë i lartë,” theksoi ai për FrontOnline.
Shala ngriti pyetje të drejtpërdrejta për ministrin në detyrë, duke vënë në dyshim jo vetëm ndikimin e qeverisë në sektorin privat, por edhe gjendjen në sektorin publik, të cilin ai e ka në menaxhim të drejtpërdrejtë.
“Por mbi të gjitha ministri, nëse veç po proklamon se ka rritë pagat në sektorin privat, si është gjendja në sektorin publik ku gjendja varet nga ai?” shtroi ai.
Duke përmendur disa prej sfidave kryesore ekonomike me të cilat përballet vendi, Shala vuri në pah kontradiktat në deklaratën e ministrit.
“Si u rritën pagat, kur u rritë deficiti tregtar? Kemi numër të lartë të të papunëve, kemi ikje të të rinjve, kemi rritje të çmimit të energjisë, dhe cila është arsyeja që e konstaton qëndrimin e tij?” përfundoi deputeti i PDK-së për FrontOnline.
Rukiqi i LDK-së: Deklaratat e Muratit për pagat janë propagandë, kemi rritje të inflacionit e ulje të punësimit
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Berat Rukiqi, ka folur pas deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili foli për një rritje historike të pagës mesatare në sektorin privat gjatë vitit 2024.
Në një prononcim për FrontOnline, Rukiqi ka hedhur poshtë vlerësimet e Muratit, duke i cilësuar ato si pjesë të propagandës politike dhe të shkëputura nga realiteti ekonomik i vendit.
“Sikur çdo gjë që thotë Murati është në kuadër të propagandës,” u shpreh ai, duke theksuar se treguesit ekonomikë nuk përputhen me narrativën e Qeverisë.
Sipas Rukiqit, rritja e pagave që përmend ministri është e paqëndrueshme, sidomos në kushtet kur vendi po përballet me probleme të shumta strukturore në ekonomi.
“Ne kemi pasur rritje të deficitit tregtar, kemi pasur inflacion, kemi pasur ulje të punësimit dhe çdo indikator tjetër bie ndesh me qëndrimet e Qeverisë që ka pasur për rritje ekonomike,” deklaroi ai për FrontOnline.
Lekaj: Rritja e pagave që përmend Murati është efekt i inflacionit, jo i politikave të Qeverisë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, për FrontOnline ka folur pas deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili së fundmi foli për një “rritje historike” të pagës mesatare në sektorin privat, duke e cilësuar atë si një arritje të qeverisë.
Lekaj tha se kjo rritje nuk ka të bëjë me ndonjë politikë ekonomike të qeverisë Kurti, por është pasojë e drejtpërdrejtë e inflacionit që ka prekur fuqishëm standardin e jetesës së qytetarëve.
“Sa i përket proklamimit të ministrit në detyrë të financave, Hekuran Murati, për rritjen e pagës mesatare, duhet të theksoj se kjo rritje është rezultat më shumë i efekteve të inflacionit dhe jo i politikave ekonomike të qeverisë,” deklaroi Lekaj për FrontOnline.
Ai shtoi se qytetarët përballen çdo ditë me kosto të lartë të jetesës dhe se çmimet e shportës së konsumit janë rritur ndjeshëm, duke e bërë të pavlefshme çdo rritje nominale të pagave.
“Ne e shohim që kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe qytetarët përballen me çmime gjithnjë e më të larta për shportën e konsumit. Kështu që, rritja e pagës mesatare që përmend ministri është e zhveshur nga realiteti i rëndë i qytetarëve dhe nuk e kompenson përkeqësimin e fuqisë blerëse,” theksoi ai.
Lekaj gjithashtu kritikoi mungesën e politikave të mirëfillta ekonomike, duke akuzuar Qeverinë për propagandë.
“Për më tepër, nuk shohim ndonjë politikë koherente për të nxitur produktivitetin dhe për të rritur të ardhurat reale të qytetarëve. Kjo propagandë qeveritare më shumë ka për qëllim të fshehë dështimet e tyre sesa të tregojë një sukses real,” përfundoi ai.