Në horizont lëvizje të reja në qeveri pas largimit të Izet Mexhitit

Në Qeveri do të ketë ndryshim të paktën për faktin se një ministër do të largohet. Në zgjedhjet lokale, ministri i Mjedisit Jetësor dhe zëvendëskryeministër, Izet Mexhiti, u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit në Shkup. Mirëpo, në deklaratën e fundit, kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski tha se për momentin nuk planifikon rikonstruksion të qeverisë, […]

Në horizont lëvizje të reja në qeveri pas largimit të Izet Mexhitit
Izet Mexhiti dhe Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Në Qeveri do të ketë ndryshim të paktën për faktin se një ministër do të largohet. Në zgjedhjet lokale, ministri i Mjedisit Jetësor dhe zëvendëskryeministër, Izet Mexhiti, u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit në Shkup. Mirëpo, në deklaratën e fundit, kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski tha se për momentin nuk planifikon rikonstruksion të qeverisë, por vetëm plotësimin e posteve të mbetura bosh në kabinetin qeveritar, transmeton Portalb.mk.  

Në periudhën e ardhshme, në fokusin e kryeministrit do të jetë kongresi i partisë, i caktuar për 6 dhjetor në Kavadar, siç theksoi ai, dhe ndryshimet në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. 

“Pse të marrë më shumë poste? Kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë resore në qeveri. Kjo është çështje që i takon partnerit tonë të koalicionit. Kam një vlerësim të lartë për Bekim Salin, por kjo nuk nënkupton se do të ketë një vend shtesë në kabinetin qeveritar,” tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes nëse një përfaqësues i koalicionit VLEN do të vazhdojë ta udhëheqë ministrinë e Mjedisit Jetësor, pasi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri aktual, Izet Mexhiti, u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit, ndërsa Bekim Sali përmendet si emër i mundshëm për postin e zëvendëskryeministrit të parë. 

Mickoski tha se pret propozimet për emrat e rinj që do të zëvendësojnë ministrat e larguar dhe se do të vlerësojë nëse ato emra përputhen me pritshmëritë e tij. 

“Tani jemi të përqendruar në kongresin e rregullt të partisë, i cili do të përfshijë formimin e strukturës së re partiake, komitetit ekzekutiv dhe organeve të tjera. Ndërkohë, nëse paraqitet nevoja, do të shqyrtojmë edhe lëvizje të caktuara kadrovike në qeveri. Jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë faktorët dhe t’i dëgjoj mendimet e tyre. Unë jam mandatar, prandaj është e natyrshme që fjala e fundit të më takojë mua. Rikonstruksioni i qeverisë nuk bëhet vetëm për hir të ndryshimit. Para se të ndërmerret një hap i tillë, duhet të vlerësohet nëse zgjidhja e re do të jetë më e mirë se ajo ekzistuese dhe nëse do të ofrojë një program më të mirë. Rikonstruksioni nuk ka kuptim nëse sjellim njerëz që nuk kanë çfarë të kontribuojnë,” theksoi Mickoski në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. 

Ndryshe, së fundmi, në opinion ka pasur zëra për zgjerim të mundshëm të shumicës parlamentare. Imer Aliu, anëtar i Kryesisë Qendrore të PDSH-së, i pyetur nga gazetarwt se a do pranojë PDSH të jetë pjesë e qeverisë tha se ende nuk ka ftesë, por që të njëjtën nuk do ta refuzojnë. 

“Jo, mirëpo ne në fakt nuk do ta refuzojmë ftesën. Një gjë është e qartë, rendi i ditës i Partisë Demokratike Shqiptare dhe rendi i ditës i Qeverisë dhe partive në qeveri duket se është i ndryshëm, por sigurisht, ne do të debatojmë me të gjithë”, tha Aliu.  

Më 2 nëntor në Republikën e Maqedonisë së Veriut u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve të teta lokale që nga pavarësia e vendit.  Kujtojmë se, 65 nga gjithsej 81 poste të kryetarëve të komunave në Maqedoninë e Veriut përfunduan në konton e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it. Këtu bën pjesë edhe partneri i tretë qeveritar, ZNAM-i, i cili mbetet në krye të pushtetit lokal në komunën më të madhe në vend, Kumanovën. Kjo do të thotë që partnerët qeveritarë, përveç se që do të kenë në dorë pushtetin qendror, në katër vitet e ardhshme do të qeverisin edhe në nivel lokal në mbi 80% të komunave dhe qyteteve në vendin tonë.