Në Kuvendin e RMV-së të hënën pritet të bëhet konstatimi i zgjedhjes së tre deputetëve për kryetarë komunash

Në seancën e parë plenare të Parlamentit që do të mbahet të hënën, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, pritet të deklarohet se tre anëtarë të kësaj përbërjeje parlamentare në raundin e parë të zgjedhjeve lokale janë zgjedhur kryetarë komunash, transmeton Portalb.mk. Bëhet fjalë për Elizabeta Stamenkovska-Trajkovska në Kisella Vodë, Jane Micevski në Sopishtë […]

Në Kuvendin e RMV-së të hënën pritet të bëhet konstatimi i zgjedhjes së tre deputetëve për kryetarë komunash
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Në seancën e parë plenare të Parlamentit që do të mbahet të hënën, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, pritet të deklarohet se tre anëtarë të kësaj përbërjeje parlamentare në raundin e parë të zgjedhjeve lokale janë zgjedhur kryetarë komunash, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për Elizabeta Stamenkovska-Trajkovska në Kisella Vodë, Jane Micevski në Sopishtë dhe Dejan Prodanovski nga Prilepi.

Vendet e Stamenkovska-Trajkovska dhe Micevski duhet të plotësohen nga deputetët e radhës në listën e njësisë zgjedhore 1, ndërsa Prodanovski duhet të plotësohet nga ai i njësisë zgjedhore 4.

Parashikohet që deputetëve t’iu drejtohet kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rusopulos, ndërsa gjatë ditëve pasuese pritet që buxheti për vitin 2026 të hyjë në procedurë parlamentare. Aktivitetet e Parlamentit paraprakisht ishin pezulluar për shkak të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen.

Të dielën, në raundin e dytë të zgjedhjeve do të zgjidhen kryetarët e komunave në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Të shtunën do të votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet komunale zgjedhore. Sipas KSHZ-së, zgjedhjet lokale do të monitorohen nga 1.569 vëzhgues, nga të cilët 904 janë vendas dhe 651 janë ndërkombëtarë, dhe 14 gazetarë të huaj janë akredituar për të raportuar mbi zgjedhjet.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti rundin e parë të zgjedhjeve të teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.