Nga Pekini në Shkup: Dorina Laro dhe Ina Petrollari Laco me koncert të veçantë në Skupi KamerFest
Në kuadër të festivalit ndërkombëtar Skupi KamerFest, të hënën, më 27 tetor, me fillim nga ora 19:00, në ambientet e Muzeut të Luftës Maqedonase në Shkup, do të mbahet një koncert i veçantë ku muzika klasike do të marrë frymë shqiptare. Dy artiste të njohura nga Shqipëria, Dorina Laro (violonçel) dhe Ina Petrollari Laco (piano), […]

Në kuadër të festivalit ndërkombëtar Skupi KamerFest, të hënën, më 27 tetor, me fillim nga ora 19:00, në ambientet e Muzeut të Luftës Maqedonase në Shkup, do të mbahet një koncert i veçantë ku muzika klasike do të marrë frymë shqiptare. Dy artiste të njohura nga Shqipëria, Dorina Laro (violonçel) dhe Ina Petrollari Laco (piano), do të vijnë direkt nga koncerti i mbajtur në Kinë/Pekin, ku do të ngjiten në skenën e Shkupit, për të sjellë një program të përzgjedhur me delikatesë, që bashkon mjeshtërinë e interpretimit me ndjeshmërinë e thellë emocionale, shkruan Portalb.mk.
Ina Petrollari Laco për Portalb.mk tha se ky koncert përfshin vepra të kompozitorëve të huaj dhe të atyre shqiptar.
“Programi që do të interpretojmë në këtë edicion të SkupiKamerFest përfshin vepra të Beethoven-it, Rachmaninoff-it, Piazzolla-s dhe kompozitorëve shqiptarë bashkëkohorë. Jemi përpjekur të krijojmë një mbrëmje që bashkon stile, periudha dhe karaktere të ndryshme: nga qartësia klasike e Beethoven-it, te lirizmi i thellë emocional i Rachmaninoff-it, e deri te ritmet dhe energjia e veçantë që përcjell Piazzolla. Përfshirja e autorëve shqiptarë, si Aleksandër Peçi dhe Ymer Skënderi, është për ne një mision i rëndësishëm të sjellim në skenë identitetin tonë kombëtar dhe kulturor në një kontekst ndërkombëtar, aty ku muzika shqiptare mund të dëgjohet e të vlerësohet me dinjitet. Për mua është hera e parë që marr pjesë në SkupiKamerFest, një festival që e kam ndjekur prej vitesh dhe që admiroj për vlerat e tij të qëndrueshme. Ai ka kontribuar në mënyrë të ndjeshme në pasurimin e jetës muzikore të rajonit dhe ka krijuar një platformë të denjë për artistët e muzikës së dhomës. Kam pasur disa herë kënaqësinë të interpretoj në Shkup dhe mund të them me bindje se publiku shkupjan është një ndër më të kulturuarit”, tha Petrollari Laco.
Ajo rrëfeu se me violonçelisten Dorina Laro, me të cilën ndan shpesh skenën, e lidh një histori e gjatë bashkëpunimi.
“Me miken time Dorina Laro më lidh një histori e gjatë miqësie dhe bashkëpunimi artistik. Ndajmë të njëjtin vizion për muzikën dhe kemi një komunikim të natyrshëm që ndodh shpesh pa fjalë një sinkron që lind prej ndjesisë së brendshme dhe respektit të ndërsjellë. Çdo koncert me Dorinën është një përjetim i veçantë, sepse çdo herë zbulojmë diçka të re në muzikën që interpretojmë dhe në mënyrën si ajo na flet në moment. E njohim mirë publikun e Shkupit dhe gjithmonë kthehemi me kënaqësi. Është një publik që e do muzikën dhe që di ta dëgjojë me vëmendje dhe admirim. Shpresojmë të krijojmë një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocione të ndjera. Gjithmonë përpiqemi t’i afrohemi pritshmërive të publikut dhe njëkohësisht t’i çojmë ato më tej drejt dimensione e që vetëm muzika mund ta jep”, tha Petrollari Laco.
Petrollari Laco tha se roli i artistit nuk është vetëm të interpretojë, por edhe të afrojë njerëzit me përvojën e vet muzikore, dhe se çdo epokë sjell mënyrën e vet të të shprehurit, dhe kjo është bukuria e pavdekshme e muzikës klasike.
“Bashkëkohësia për mua është një vazhdimësi e natyrshme e traditës së krijuar ndër vite. Çdo epokë sjell mënyrën e vet të të shprehurit, dhe kjo është bukuria e pavdekshme e muzikës klasike. Publiku, nëse i afrohet muzikës së vërtetë dhe të interpretuar me pasion, nuk largohet kurrë. Atë çka të dhuron muzika klasike është në formën më të pastër. Roli i artistit nuk është vetëm të interpretojë, por edhe të afrojë njerëzit me përvojën e vet muzikore. Muzika klasike flet për emocionet më universale të njeriut, si dashurinë, trishtimin, shpresën etj prandaj ajo mund të jetë e afërt për këdo. Përmes festivaleve, përpiqemi të krijojmë ura midis artit dhe publikut të gjerë, që çdo njeri të ndjejë se ky art është më i vërteti dhe i përket edhe atyre”, thekson Petrollari Laco.
Dorina Laro për Portalb.mk tha se programi për këtë koncert është përzgjedhur me shumë dashuri, pasi mbart disa nga veprat më të bukura nga repertorin për këtë duo koncert.
“L.V. Beethoven 7variacione mbi një temë nga opera “Flauti magjik” i Ë.A.Mozart. Rachmaninov-sonatë për violonçel, Y.Skënderi-Popullore, A.Peçi-Barokjare, A. Piazzolla-Le grand tango. Ky program është i përzgjedhur me shumë dashuri nga ne, pasi mbart disa nga veprat me të bukura nga repertori për këtë duo. Për mua personalisht është hera e tretë që jam pjesë e këtij festivali kaq të dashur, pasi bën bashkë artistë të ndryshëm, nga vende dhe kultura të ndryshme, por që muzika i bashkon duke hequr çdo kufi. Muzika është gjuha universale dhe si rrjedhojë mesazhi është ai i bashkimit, i paqes, i reflektimit mbi të mirën dhe të bukurën që ne njerëzit kemi detyrë të ndërtojmë për të lënë një botë më të paqtë e më të dashur për gjithë brezat”, tha Laro.
Laro tha se për artistët e rinj janë shumë të rëndësishme bashkëpunimet ndërkufitare.
“Mjaft të rëndësishëm janë si bashkëpunimi ndërkufitar për artistët e rinj, ashtu dhe shkëmbimi kulturor, pasi pasuron në çdo artist të ri në mënyrën e konceptimit të muzikës, të mospasjes kufizim për të dhënë dhe përmirësuar anën e tyre më të mirë artistike dhe njerëzore. Kushtet janë përmirësuar ndjeshëm në Shqipëri dhe duhet të vazhdojnë të përmirësohen dhe më tej për të krijuar të gjithë filtrat e nevojshëm profesional, për të zgjedhur dhe mbështetur talentet e reja sepse ata janë e ardhmja”, tha Laro.
