Nikollovski: Skandalet në bujqësi rrezikojnë programin IPARD-3
Deputeti i LSDM-së dhe ish-ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, deklaroi sot në një konferencë për media se skandali me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ilija Stoilov, kuadër i VMRO-DPMNE-së, vetëm e konfirmon gjendjen e institucioneve të kapura dhe klientelizmit politik në vend, transmeton Portalb.mk. Sipas tij, skemave korruptive dhe keqpërdorimeve në sektorin e bujqësisë, […]

Deputeti i LSDM-së dhe ish-ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, deklaroi sot në një konferencë për media se skandali me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ilija Stoilov, kuadër i VMRO-DPMNE-së, vetëm e konfirmon gjendjen e institucioneve të kapura dhe klientelizmit politik në vend, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, skemave korruptive dhe keqpërdorimeve në sektorin e bujqësisë, të lidhura me funksionarë të VMRO-DPMNE-së, po i vihet në pikëpyetje serioze mbështetja evropiane për realizimin e programit IPARD-3, me vlerë 128 milionë euro.
“Në rrezik janë vënë 128 milionë euro nga programi shtatëvjeçar që duhej të ishte shtytës për zhvillimin e bujqësisë sonë. Kjo nënkupton se nuk do të ketë më thirrje të reja për aplikime, nuk mund të hapen kontrata të reja dhe as të kryhen pagesa për projektet që tashmë janë në zbatim. Mijëra fermerë dhe agrobiznese, të cilët kanë planifikuar apo tashmë kanë filluar investime mbi bazën e këtyre fondeve, tani përballen me pasiguri dhe frikë se mund të humbin investimet e tyre. Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë për ndalimin e financimit të programit IPARD-3 përmes Komisionit Evropian,” theksoi Nikollovski.
Ai shtoi se fondet evropiane janë burim kyç për modernizimin e prodhimit bujqësor, blerjen e mekanizimit dhe pajisjeve, zhvillimin e industrisë përpunuese dhe hapjen e kapaciteteve të reja në zonat rurale. Humbja e këtyre mjeteve, sipas tij, do të ulë konkurrueshmërinë e bujqësisë dhe do të ngadalësojë zhvillimin ekonomik.
“Sa herë që VMRO-DPMNE është në pushtet, mbështetja nga Bashkimi Evropian vihet në pikëpyetje. Në vitin 2017 gjetëm një gjendje ku vetëm 12 për qind e fondeve të IPARD-it ishin shfrytëzuar. Për shtatë vite arritëm përdorim të plotë dhe u bëmë lider rajonal me mbi 2.300 projekte të realizuara. Tani, për vetëm një vit e gjysmë, sistemi është shkatërruar plotësisht,” deklaroi Nikollovski.
Ai kujtoi se kishte paralajmëruar për keqpërdorime në programin IPARD-3 më shumë se një vit më parë, përfshirë praktika korruptive, emërime partiake dhe presione ndaj profesionistëve në institucione, duke kërkuar përgjegjësi morale, politike dhe penale për të gjithë të përfshirët. Nikollovski paralajmëroi se çdo humbje e besimit të partnerëve evropianë e komprometon shtetin dhe ngadalëson procesin e integrimit evropian.
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE deklaruan se çdo person i kapur në korrupsion ose krim, për të cilin do të ketë prova konkrete, duhet të përgjigjet para ligjit dhe se partia nuk do të tolerojë shkelje apo sjellje devijante nga individë që kanë shkelur ligjin, pasi “ligji është i njëjtë për të gjithë”.
Kujtojmë se, më 6 nëntor, në RMV janë arrestuar pesë persona nën dyshimet për ryshfet dhe ndikim të paligjshëm. I dyshuari kryesor dyshohet se ka premtuar para drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi që të nënshkruhej një marrëveshje për fonde IPARD, ndonëse kompania e tij nuk plotësonte kushtet. Tre ndërmjetës, përfshirë zyrtarë shtetërorë, dyshohet se kanë ndikuar në marrjen e vendimit të paligjshëm, ndërsa gjatë bastisjeve u sekuestruan para të konsiderueshme.
LEXO: RMV, pesë persona në pranga për korrupsion me fondet IPARD në bujqësi, të përfshirë edhe zyrtar
