“Një drejtoreshë e shkollës agjitonte për një parti politike”, Antikorrupsioni i dërgoi shkeljet në Prokurori
Lëndët që kanë të bëjnë me shkeljet gjatë procesit zgjedhor dhe shkelje tjera, miratimi i Vlerësimit të rreziqeve nga korrupsioni për nevojat e përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2026–2030 dhe Metodologjisë për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2026–2030, ishin pika në […]

Lëndët që kanë të bëjnë me shkeljet gjatë procesit zgjedhor dhe shkelje tjera, miratimi i Vlerësimit të rreziqeve nga korrupsioni për nevojat e përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2026–2030 dhe Metodologjisë për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2026–2030, ishin pika në rend të ditës në seancën e 24-të të Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), shkruan Portalb.mk.
Nga rastet e shqyrtuara nga KSHPK, disa janë procesuar në institucionet kompetente, ndërsa të tjerat janë mbyllur duke u vlerësuar si të pabaza.
Një nga rastet që ka tërhequr vëmendje lidhet me një drejtoreshë e një shkolle të mesme, e cila në një grup elektronik komunikimi kishte shpërndarë materiale të një partie politike dhe një poster zgjedhor, duke kërkuar mbështetje për një kandidat përmes shpërndarjes së përmbajtjes. Sipas komisionit, për këtë rast kompetente për veprim të mëtejshëm është Prokuroria Publike.
Një tjetër rast kishte të bënte me zgjedhjen e një profesori për prorektor në një universitet. Komisioni vlerësoi se nuk janë shkelur dispozitat ligjore, pasi profesori ka qenë tashmë i punësuar në momentin e vendimit dhe nuk bëhej fjalë për hapje të një procedure të re punësimi.
Komisioni analizoi edhe një ankesë që lidhej me një vendim për punësim në një shkollë të mesme. Hetimet e anëtarit të komisionit treguan se vendimi është marrë brenda afatit të lejuar, ndaj nuk është konstatuar asnjë shkelje.
Një tjetër rast kishte të bënte me një deklaratë të një kandidati për kryetar komune, i cili, sipas ankesës, kishte premtuar para në dorë për kategori të cenueshme dhe për pensionistët. Pas shqyrtimit, KShPK konkludoi se bëhet fjalë për pjesë të programit të kandidatit dhe për promovim të planeve që do të realizoheshin gjatë mandatit, jo për blerje votash apo shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit.
“Deklarata është dhënë para mediave si pjesë e programit të kandidatit, i cili fokusohet në mbështetjen e grupeve të ndjeshme shoqërore dhe pensionistëve. Bëhet fjalë për projekt dhe masë që janë pjesë e planit të tij të punës,” sqaruan nga Komisioni.
Tutje, komisioni miratoi Vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni dhe Metodologjinë për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2026–2030.
Zëvendëskryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Cveta Ristovska, kujtoi se dokumentet e reja strategjike Metodologjia dhe Vlerësimi i rreziqeve nga korrupsioni, përbëjnë themelet mbi të cilat do të ndërtohet Strategjia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2026–2030.
“Metodologjia përcakton qartë procedurat, fazat dhe kriteret që duhet ndjekur gjatë hartimit të strategjisë, ndërsa Vlerësimi i rreziqeve identifikon zonat më të ndjeshme ndaj korrupsionit në nivel sektorial dhe institucional, duke ndihmuar në vendosjen e prioriteteve dhe objektivave kryesore të politikave antikorrupsion”, tha Ristovska.
Ristovska njoftoi se në korrik të vitit 2024 është miratuar Plani i aktiviteteve për realizimin e strategjisë, i cili shërben si udhërrëfyes për hapat vijues. Një pjesë e rëndësishme e procesit ka qenë analiza e faktorëve që ndikojnë në nivelin e zbatimit të strategjisë aktuale.
“Në kuadër të përgatitjeve, është zhvilluar një anketim kombëtar ku morën pjesë 2.842 përfaqësues nga institucione të ndryshme publike dhe organizata, me qëllim që rreziqet të përcaktohen në mënyrë sa më reale për secilën fushë. Pyetësori është shpërndarë gjithashtu edhe te Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit. Procesi ka pasur mbështetje teknike dhe ekspertize nga Zyra e OKB-së për Drogë dhe Krim, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Bashkimi Evropian.
Në bazë të analizave, janë identifikuar fushat horizontale dhe vertikale me rrezik më të lartë për korrupsion. Në kategorinë horizontale, përfshihen prokurimet publike, të cilat sipas Ristovskës janë një nga pikat më të rrezikshme që përshkojnë të gjithë sektorët, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, që tashmë përfshin jo vetëm kontrollin inspektues, por edhe atë administrativ.
Në anën tjetër, fushat vertikale me rrezik të lartë janë sistemi gjyqësor, shëndetësia, transporti dhe infrastruktura, urbanizmi dhe planifikimi hapësinor, mjedisi jetësor, energjetika dhe burimet natyrore. Ristovska theksoi se në veçanti gjyqësori mbetet sektor me ndikim të gjerë dhe me potencial për të cenuar sundimin e ligjit nëse nuk merren masa të duhura”, sqaroi zëvendëskryetarja Ristovska.
Pas miratimit të Strategjisë, do të pasohet Plani i Veprimit, ku pritet të përfshihen të gjithë aktorët institucionalë dhe shoqërorë. Zëvendëskryetarja e KShPK-së njoftoi se Komisioni do të propozojë krijimin e një zëri të veçantë buxhetor për politikat antikorrupsion, në mënyrë që të sigurohet planifikim dhe monitorim i qëndrueshëm i mjeteve financiare dhe realizimi i objektivave të përcaktuara në kohë.
Dje, 2 nëntor, 2025 u mbajt rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në RMV. Rrethi i parë i zgjedhjeve të teta lokale në RMV u mbajt më 19 tetor.

