Njëmbëdhjetë muaj burg për prindin që sulmoi dy futbollistë 15-vjeçarë në ndeshjen Shkupi-Bregallnica
Prindi 43-vjeçar i cili sulmoi fizikisht dy futbollistë të mitur në një ndeshje midis ekipeve të të rinjve të klubeve të futbollit Shkupi dhe Bregallnica, e cila u zhvillua më 24 gusht në stadiumin Belo Brdo në Shtip, u dënua me njëmbëdhjetë muaj burg, transmeton Portalb.mk. Sasko Georgiev, zëdhënës i Gjykatës Themelore të Shtipit, thotë […]

Prindi 43-vjeçar i cili sulmoi fizikisht dy futbollistë të mitur në një ndeshje midis ekipeve të të rinjve të klubeve të futbollit Shkupi dhe Bregallnica, e cila u zhvillua më 24 gusht në stadiumin Belo Brdo në Shtip, u dënua me njëmbëdhjetë muaj burg, transmeton Portalb.mk.
Sasko Georgiev, zëdhënës i Gjykatës Themelore të Shtipit, thotë se vendimi nuk është përfundimtar dhe se vijon një periudhë ankimimi në Gjykatën e Apelit të Shtipit.
“Këshilli i Gjykatës Penale, kryetare e të cilit është gjyqtarja Nevena Perica, ka dhënë një vendim për të pandehurin Avni Abguli nga Shkupi për kryerjen e veprës “dhunë” sipas nenit 386, paragrafi 4 i Kodit Penal. Ai u dënua me 11 muaj burg, ndërsa vendimi nuk është përfundimtar, vijon një periudhë ankimimi në Gjykatën e Apelit të Shtipit”, tha Georgiev.
Incidenti, për të cilin Prokuroria Themelore Publike e Shtipit ngriti padi penale kundër prindit, ndodhi më 24 gusht. Në minutën e 89-të të ndeshjes, gjyqtari dha kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje të gabuar, duke përjashtuar djalin e të dyshuarit, i cili luante për klubin Shkupi.
“I pakënaqur me vendimin, djali fillimisht u soll në mënyrë josportive dhe u përpoq të përleshej me grushte dhe shqelma me një nga lojtarët e futbollit të “Bregallnicës”. Pastaj babai hyri në fushë dhe filloi t’i godiste dy fëmijët me grushte dhe shqelma, duke u shkaktuar lëndime trupore. Në fushë hynë edhe persona të tjerë nga publiku, të cilët parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes. Prokurori publik paraqiti edhe një propozim në Gjykatën Themelore në Shtip për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë për të pandehurin”, thuhej në aktakuzën e Prokurorisë.
Prindi u dënua me tetë ditë paraburgim, i cili më vonë u zgjat për 30 ditë.
Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) i dha lojtarit nga Shkupi dënimin më të ashpër, përjashtim nga organizata e futbollit, dhe përveç tij, dy shokëve të tjerë të ekipit të përfshirë në incident iu dha ndalim tre-mujor nga loja. Një futbollist 15-vjeçar nga Bregallnica në Shtip u dënua gjithashtu me katër ndeshje për lojë të ashpër.
Kujtojmë se incidentet në fushat sportive u shtuan në prag të zgjedhjeve lokale. Në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Tashmë dy muaj që kur ka ndodhur ngjarja, nuk ka informacion rreth zbardhjes së rastit.
Kronologjia e reagimit institucional
Më 3 gusht 2025, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.
Më 5 gusht 2025 Policia dhe Prokuroria thanë se janë thirr për intervistë zyrtare disa persona përderisa në të njejtën datë ndodhi incidenti në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrejtjes.
Më 7 gusht 2025, Prokuroria njoftoi se e ka dënuar me kusht dhe dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës. Për këtë rast autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës.
Më 8 gusht 2025 për Portalb.mk nga policia thanë se “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, duke u përgjigjur shkurt kështu nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë.
Më 18 gusht 2025, sërish morëm përgjigjen e njëjtë se policia, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.”
Më 18.09.2025 nga Prokuroria zhanë se për ngjarjet në Kumanovë, MPB ende nuk ka dorëzuar kallëzim penal deri të prokuroria dhe po punon në identifikimin e personave.
Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe ekspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
- LEXO: Dy javë pas incidentit, policia ende nuk ka gjetur fajtorët për thirrjet raciste anti-shqiptare në Kumanovë
- LEXO: RMV, urrejtja që nuk nuk shihet e ndëshkohet: nga qindra raste, policia ka vepruar vetëm për 4 në gjysmën e parë të vitit (Infografik)
- LEXO: Përderisa autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës, dënim me kusht dhe dëbim për personin që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe” në Shkup
- LEXO: Heshtja institucionale e ushqen urrejtjen në Maqedoni, nevojiten sanksione të rrepta për thirrjet nacionaliste dhe raciste
