Opozitarët nisin takimet për mundësinë e formimit të Qeverisë së re pa LVV-në, Nisma e papërcaktuar
Kandidatët për kryeministër nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë takuar me njëri-tjetrin. Me rezultatet përfundimtare në tryezë, ata duket se po e shqyrtojnë mundësinë e formimit të Qeverisë së re. Të tri këto parti e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në, e cila përtej partnerëve të vegjël brenda, nuk sheh mundësi tjetër përveç Nismës
Kandidatët për kryeministër nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë takuar me njëri-tjetrin. Me rezultatet përfundimtare në tryezë, ata duket se po e shqyrtojnë mundësinë e formimit të Qeverisë së re. Të tri këto parti e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në, e cila përtej partnerëve të vegjël brenda, nuk sheh mundësi tjetër përveç Nismës së kthyer në Kuvend, e cila ende nuk është pozicionuar qartë se me kë (s’) do koalicion.
Partitë opozitare po e presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke konfirmuar në çdo rast se nuk do të bëjnë koalicion qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti. Përjashtim këtu bën Nisma e Fatmir Limajt, pozicioni i së cilës mbetet më i paqartë.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, dhe kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, siç raportoi Gazeta Express, u takuan të dielën një ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e konfirmoi këtë, ndërsa tha se kanë pasur takim edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
LDK-ja “asnjëherë nuk ka biseduar me LVV-në këto javët e fundit”, tha Haziri të mërkurën në mbrëmje, në një intervistë në emisionin “Clicl” në RTV 21.
“Ka iniciativë me partitë politike të tjera që vijnë nga opozita. Ajo iniciativë ka shkaktuar takime, me Hamzën, Memli Krasniqin, Ramush Haradinajn”, deklaroi ai.
Haziri tha se qëndrimi i LDK-së mbetet “i qartë”.
Kurti ka thënë se partia e tij do ta formojë Qeverinë e re të vendit, duke paralajmëruar para disa ditësh “bisedime” pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe AAK-ja, e kanë përjashtuar apriori mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në.
LVV-ja ka marrë 42.30% të votave, sipas rezultateve përfundimtare dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndaj Kurtit do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet. PDK-ja ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa LDK-ja 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i AAK-së me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma). Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.
PDK-ja ka thënë se do ta presë radhën, duke theksuar se LVV-ja e ka e para të drejtën që të përpiqet ta formojë Qeverinë.
Hamza ka thënë më 10 mars në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova se me partitë tjera opozitare “mund të harmonizohen programet”, ndërsa vinte në dukje dallimet e partisë së tij me LVV-në, me të cilën tha se “nuk shohim bashkëpunim”.
“Shumë më e mundshme – edhe për shkak të programeve, edhe për shkak të numrave – është që opozita me e formu Qeverinë sesa ta krijojë atë Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Atë ditë, LDK-ja mbajti një mbledhje të Kryesisë që zgjati pesë orë, pas së cilës kryetari Lumir Abdixhiku tregoi në një konferencë për media pozicionet që tha se do t’i mbajë partia më e vjetër në vend. Tha se LDK-ja nuk bën koalicion qeverisës me LVV-në e nuk bën koalicion me asnjë parti tjetër pa pozitën e kryeministrit dhe pa një mandat të plotë qeverisës.
Edhe Haradinaj, kryetar i AAK-së, e cila garoi në koalicion me Nismën, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, është pozicionuar qartë kundër një koalicioni me LVV-në, duke thënë se partitë opozitare duhet ta formojnë Qeverinë e ardhshme të vendit. Më i paqartë mbetet qëndrimi i partnerit të tij të koalicionit parazgjedhor, Fatmir Limaj, i cili më herët ka shprehur gatishmërinë për t’u futur në koalicion qeveritar edhe me LVV-në e Albin Kurtit.