Osmani në marshin për Tetorin Rozë: Përbashkimi shndërrohet në shpresë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në marshin e organizuar me rastin e Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ajo u bashkua me gratë dhe burrat që kanë mbijetuar kancerin, me aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen çdo ditë për ta, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përkrahjes në këtë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në marshin e organizuar me rastin e Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Ajo u bashkua me gratë dhe burrat që kanë mbijetuar kancerin, me aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen çdo ditë për ta, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përkrahjes në këtë betejë.
“Bashkë me gratë e burrat që kanë mbijetuar kancerin, me aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen çdo ditë për ta, u bëmë bashkë sot në marshin për Tetorin Rozë për të treguar se përbashkimi shndërrohet në shpresë,” tha Osmani.
Presidentja shtoi se Tetori Rozë është muaji kur kujtohet se çdo betejë e jetës mund të fitohet me dashuri, kujdes dhe qëndresë.
“Sot, sikur çdo vjet, jemi bashkuar për ta dërguar një mesazh të fuqishëm: le ta mbështesim çdo grua e burrë dhe të mos ndalemi kurrë derisa çdo betejë me kancerin të shndërrohet në histori suksesi,” u shpreh ajo.
Në Kosovë, sipas të dhënave nga Klinika e Onkologjisë në QKUK, gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti u regjistruan 330 raste të reja me kancer të gjirit – mes tyre edhe tre burra.
Kjo shifër, sipas drejtuesve të Onkologjisë, është afërsisht e njëjtë në dy-tre vjetët e fundit.
Klinika e Onkologjisë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapi apo trajtime të tjera të nevojshme.
Numri i atyre që kontrollohen apo marrin shërbime aty, arrin deri në rreth 50.000 në vit.