Pas 20 vitesh qeverisje nga e majta, kandidati i qendrës Rodrigo Paz fiton presidencën e Bolivisë

Kandidati i qendrës, Rodrigo Paz ka fituar zgjedhjet presidenciale në Bolivi, duke mposhtur rivalin konservator Jorge “Tuto” Quiroga në balotazh dhe duke i dhënë fund gati dy dekadave të sundimit të së majtës në vend. Sipas rezultateve paraprake nga tribunali zgjedhor i Bolivisë, senatori 58-vjeçar nga Partia Demokratike Kristiane (PDC) siguroi 54.5% të votave, kundrejt […] The post Pas 20 vitesh qeverisje nga e majta, kandidati i qendrës Rodrigo Paz fiton presidencën e Bolivisë appeared first on Ditar.al.

Kandidati i qendrës, Rodrigo Paz ka fituar zgjedhjet presidenciale në Bolivi, duke mposhtur rivalin konservator Jorge “Tuto” Quiroga në balotazh dhe duke i dhënë fund gati dy dekadave të sundimit të së majtës në vend.

Sipas rezultateve paraprake nga tribunali zgjedhor i Bolivisë, senatori 58-vjeçar nga Partia Demokratike Kristiane (PDC) siguroi 54.5% të votave, kundrejt 45.5% të Quiroga-s, dhe Paz do të marrë zyrtarisht detyrën më 8 nëntor.

Fitorja e tij përfaqëson një kthesë historike për vendin e Amerikës Jugore, i cili prej vitit 2006 ishte qeverisur pothuajse pandërprerë nga partia e majtë “Lëvizja për Socializëm” (MAS), e themeluar nga ish-presidenti Evo Morales.

Platforma e moderuar e Paz, që premton ruajtjen e disa programeve sociale, ndërsa inkurajon rritjen e udhëhequr nga sektori privat, duket se ka tërhequr votues të zhgënjyer nga MAS, por edhe skeptikë ndaj masave shtrënguese të propozuara nga Quiroga.

Përballë një krize të thellë ekonomike, me inflacionin në nivelin më të lartë në 40 vitet e fundit dhe mungesë të karburanteve, votuesit kërkuan ndryshim.

Në shtator, Paz publikoi një plan bashkëpunimi ekonomik me SHBA në vlerën 1.5 miliardë dollarë për sigurimin e furnizimit me karburant. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e quajti zgjedhjen një “mundësi transformuese” për Bolivinë.

Megjithëse fitoi presidencën, partia e Paz nuk ka shumicën në legjislaturë. PDC ka siguruar 49 nga 130 ulëse në Dhomën e Ulët dhe 16 nga 36 në Senat, duke e detyruar Paz të ndërtojë aleanca për të qeverisur.

Në një intervistë pak ditë para zgjedhjeve, Paz deklaroi: “Po hyjmë në një fazë të re të demokracisë boliviane në shekullin XXI. Duam të ndërtojmë një ekonomi për njerëzit, ku shteti nuk është më qendra e çdo gjëje.”

Ai paralajmëroi gjithashtu se do të nisë reduktimin gradual të subvencioneve universale të karburantit, duke ofruar mbështetje të synuar për shtresat në nevojë, ndërsa bizneset e mëdha do të paguajnë çmime tregu.

Një nga faktorët që ndihmoi fitoren e Paz ishte edhe kandidati për nënpresident, Edman Lara, një ish-polic i njohur për videot virale në TikTok ku denonconte korrupsionin. Popullariteti i tij në rrjetet sociale e afroi Paz-in me të rinjtë dhe shtresat punëtore.

The post Pas 20 vitesh qeverisje nga e majta, kandidati i qendrës Rodrigo Paz fiton presidencën e Bolivisë appeared first on Ditar.al.