Policia “merr masa” që s’çojnë askund, brohoritjet raciste në Kumanovë dhe Kavadar pa asnjë dënim

Rastet e shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes në Kumanovë dhe Kavadar, me brohoritma raciste, në tribunat sportive mbeten pa epilog. Në Kumanovë policia ende në fazën e “marrjes së masave për zbardhjen e rastit”, ndërkaq në Kavadar, “po identifikohen personat e grupit të tifozëve”. Deri më tash, janë penalizuar vetëm organizatorët e ndeshjes nga radhët […]

Policia “merr masa” që s’çojnë askund, brohoritjet raciste në Kumanovë dhe Kavadar pa asnjë dënim
Aksioni kundër gjuhës së urrejtjes. Foto: Shoqata për avancimin e praktikave gazetareske “Media Inovative – Shkup”

Rastet e shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes në Kumanovë dhe Kavadar, me brohoritma raciste, në tribunat sportive mbeten pa epilog. Në Kumanovë policia ende në fazën e “marrjes së masave për zbardhjen e rastit”, ndërkaq në Kavadar, “po identifikohen personat e grupit të tifozëve”. Deri më tash, janë penalizuar vetëm organizatorët e ndeshjes nga radhët e Klubit Futbollistik “Pelister”, shkruan Portalb.mk.  

“Në lidhje me incidentin në Kumanovë, ju informojmë se SPB Kumanovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike në Kumanovë, po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit, pas së cilës do të dorëzohet parashtresa përkatëse. Sa i përket incidentit në Kavadar, ju njoftojmë se Njësia e Punëve të Brendshme në Kavadar po ndërmerr masa për identifikimin e personave që janë pjesë e grupit të tifozëve, ndërsa ndaj organizatorit të ndeshjes, KF “Pelister”, janë përgatitur dhe lëshuar gjoba kundërvajtëse, në përputhje me Ligjin për parandalimin e dhunës dhe sjelljes së papërshtatshme në ndeshjet sportive”, thanë për Portalb.mk nga ministria e Punëve të Brendshme, duke u përgjigjur në pyetjen tonë se deri ku janë proceset për zbardhjen e rasteve të dy incidenteve në fjalë.  

Çka ndodhi në Kumanovë dhe Kavadar? 

Më 3 gusht 2025, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”. Këto fyerje u bënë në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili së bashku me kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror që ishin të pranishëm në sallën ku luhej ndeshja. 

25 gusht 2025, edhe në Kavadar u dëgjua refreni i njohur tashmë “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket”. Rasti ndodhi pas ndeshjes futbollistike midis KF “Pelister” nga Manastiri dhe KF “Shkupi” nga Shkupi. 

Edhe në Tetovë nuk ka epilog

Prokuroria Publike në Tetovë ende nuk ka ngritur akuzë për grupin e maqedonasve të cilët para dy muajve rrahën dy nxënës shqiptarë në Tetovë. Për atë se përse po zvarritet ky rast, Prokuroria arsyetohet se procedura zhvillohet në përputhje me afatet ligjore.

Mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes, mesazh i rrezikshëm

Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.  

Në një shoqëri të brishtë multietnike si Maqedonia e Veriut, mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes nuk është thjesht neglizhencë administrative, është një mesazh i rrezikshëm. Kur institucioneve u mungon reagimi i shpejtë dhe i vendosur, ato në mënyrë implicite i japin hapësirë ekstremizmit të normalizohet. Kështu, një brohoritje raciste nuk mbetet më vetëm incident, por shndërrohet në precedent që nxit ndarje. 

Në rastet e Kavadarit dhe Kumanovës, reagimet publike ishin të ashpra, por të shkurtëra. Pas disa ditësh indinjatë në rrjete sociale dhe disa deklaratash të vakëta politike, gjithçka u zhduk në heshtje.  

I pari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi pati i porositur institucionet kompetentet që t’i dënojnë përgjegjësit e shpërndarjes së urrejtjes.   

“Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë. Le ta dinë njerëzit se nuk mund të ketë thirrje të tilla, sepse siç e pamë shkaktuan shqetësime në publik”, tha Gashi duke komentuar vonimin e institucioneve në gjetjen e fajtorëve.