Pse Korça nuk është më ajo e para…
Nga Liridon Mulaj- Korça në këtë fundjavë nëntori është relativisht e qetë. Njerëzit dalin vetëm për nevojat e tyre dhe nëpër rrugë sheh pak njerëz, kryesisht të rinj. Fryn një erë e ngrohtë dhe shiu ende nuk ka mbërritur në Korçë. Në pedonalen kryesore para kishës, janë të paktë njerëzit që kalojnë, ndërkohë nëpër kafenetë […] The post Pse Korça nuk është më ajo e para… appeared first on Gazeta Si.
Nga Liridon Mulaj- Korça në këtë fundjavë nëntori është relativisht e qetë. Njerëzit dalin vetëm për nevojat e tyre dhe nëpër rrugë sheh pak njerëz, kryesisht të rinj. Fryn një erë e ngrohtë dhe shiu ende nuk ka mbërritur në Korçë. Në pedonalen kryesore para kishës, janë të paktë njerëzit që kalojnë, ndërkohë nëpër kafenetë me pamje nga katedralja, shihen pak njerëz të ulur jashtë. Duke qenë muaji nëntor, supozohet se Korça do të jetë një nga qytetet më të vizituara, edhe për shkak të traditës së saj, por edhe të muzeve kombëtare që ajo ka. Por jemi thuajse në mes nëntori dhe vizitorët nuk duken gjëkundi, ose së paku janë të padukshëm në qytet, çka do të thotë se Korça nuk tërheq më vizitorë si një herë e një kohë.
Si një qytet avangard, i cili u shndërrua shpejt në një destinacion turistik për vizitorë nga e gjithë Shqipëria, duket që Korça ka rënë në një vetëkënaqësi, duke mos pasur më alternativa për rikthimin e vizitorëve, sipas ligjit të pashkruar se nuk është turist ai që viziton një herë, por ai që rikthehet. Dhe kjo, mesa duket, në Korçë nuk po ndodh më.
Në një bisedë me një nga qytetaret, e cila po konsumon një kafe në orar dreke, thotë se në Korçë ndjehet rënia e vizitorëve. Madje, kur i kërkoj t’i referohem shifrave ajo shton me ngut se nuk ka nevojë për shifra dhe se rënia ndihet ndjeshëm nga ata.

Për ta përforcuar ose rrëzuar këtë bindje, hymë brenda në kafene dhe i kërkojmë pronarit një prononcim. Kristi Taçi, pronari i barit, të vendosur në zonën mbase më të frekuentuar të Korçës, konstaton se rënia e vizitorëve, për fat të keq, është e vërtetë.
“Këtu ka rënë fluksi i vizitorëve. Të rinjtë sidomos kanë ikur, nuk na vijnë. Të paktët vizitorë që vijnë janë mosha të mëdha,” – na thotë Kristi.
Kur pyetet për arsyen se pse mund të ketë ardhur kjo rënie, Kristi thotë se Korça nuk ka çfarë të ofrojë më, diçka të re.
“Sepse nuk kemi çfarë të ofrojmë. Janë konsumuar ato gjëra që kemi ofruar më parë dhe tani nuk na vijnë më. Çmimet i kemi normale, por ne si biznes që kemi prej 20 vitesh që operojmë në këtë zonë, e vërejmë shumë rënien.”

Ardhja e të rinjve në Korçë disa vite më parë u kthye në një trend, ku pamjet nga Katedralja e mbuluar me borë bënin xhiron e rrjeteve sociale. Por, si duket, si çdo trend edhe ky po merr fund shpejt. Ndërkohë, rënien e vizitorëve në moshë të re e konfirmon edhe Tedi, recepsionist në një nga hotelet më të njohura të Korçës.
“Ka ndryshuar mosha e vizitorëve në Korçë. Tani po vijnë njerëz në moshë më madhore. Arsyeja është se Korçën e vizitonte kryesisht kryeqyteti dhe të rinjtë, por tani të rinjtë sikur s’po vijnë më,” – thotë ai.
Sipas Tedit, një tjetër shkak është edhe rritja e çmimeve, ku sipas tij një dhomë në Voskopojë arrin deri në 90 euro për një natë, dhe po ashtu mungesa në shumë hotele e shërbimeve bazë.
“Një problem tjetër është edhe rritja e çmimeve. Një dhomë në Voskopojë ka shkuar 80–90 euro, duke mos e ruajtur çmimin e tyre fillestar. Aq sa solli klientët dhe pastaj i rritën çmimet. Ndoshta në dimër mund të ketë më shumë vizitorë. Dhe një problem tjetër është se shumë hotele në Korçë nuk ofrojnë parking, po as mëngjes, dhe këto shpesh i konsiderojnë luks.”
Por Korça është edhe qyteti i muzeve dhe destinacioni perfekt për turizmin kulturor. Muzeu i Arsimit, ai i Gjon Milit, Muzeu Arkeologjik, por edhe ai i Artit Mesjetar, e kanë kthyer Korçën në një nga qendrat më të mëdha të historisë së artit dhe kulturës në Shqipëri.

Ndërkohë që Muzeun Gjon Mili e gjejmë të mbyllur, hidhemi në anën tjetër të rrugës, në Muzeun e Arsimit, ose Mësonjëtorja, siç njihet gjerësisht. Derën e gjejmë hapur, por njerëz nuk ka. Pasi i biem ziles në derë, shfaqet një djalë i ri. Kuptojmë që është përgjegjësi, ose së paku njeriu përgjegjës për atë orar. Fillimisht stepet të na përgjigjet, por më pas e pranon, deri diku, se rënia e vizitorëve është konkrete, duke e lidhur këtë edhe me karakterin kombëtar të muzeut ku ai punon.
“Nuk kemi ende shifra që vërtetojnë rënien e vizitorëve. Kryesisht ky muze vizitohet nga vendas, pra shqiptarë dhe të Kosovës e trevave të tjera, sepse është një muze që lidhet me historinë tonë. Ndoshta rënia lidhet me mungesën e kuriozitetit për gjërat që kanë parë. Dhe duke qenë se shqiptarët pushimet i lidhin kryesisht me drekat, darkat dhe me ushqimin, muzetë e kulturës mbeten jo shumë të vizitueshëm.”
Por, sipas tij, ka edhe një arsye tjetër: dalja në skenë e qyteteve të tjera që po tërheqin vizitorë.
“Kanë dalë në skenë edhe qytete të tjera, të cilat po e zhvillojnë turizmin – rasti i Shkodrës që po tërheq vizitorë të rinj. Gjithashtu Berati dhe Gjirokastra, që vizitohen thuajse gjatë tërë vitit.” –thotë ai.
Gjithsesi, pa dashur ndoshta të biem në një lloj pesimizmi, nisemi drejt pikës së informacionit turistik që ndodhet në fundin e rrugës. Ora shënon 14:00 dhe në një ditë normale pune ajo duhet të jetë e hapur, ndoshta për të marrë vesh diçka më shumë.

Për çudinë tonë e gjejmë të mbyllur. Trokasim disa herë, por brenda nuk ka asnjeri. Në krah të saj, pak metra më tutje, ngrihet edhe Kulla e Korçës, një objekt që ngjan sikur ka mbirë nga një botë futuriste, krejtësisht si “mish i huaj” në atë shesh me godina dhe urbanistikë tipike korçare. Por edhe atë e gjejmë të mbyllur dhe s’ka asnjë informacion se kur mund të hapet.

Marrim rrugën drejt Pazarit, me idenë se aty do të kemi një informacion më të qartë dhe më konkret, duke qenë një nga zonat më të preferuara për vizitorë. Pazarin e gjejmë të qetë. Në disa bare ka pak njerëz dhe në disa të tjera thuajse aspak. Ata që bien në sy dhe bërtasin me zë të lartë janë një grup të rinjsh të mbledhur në qendër të pazarit dhe luajnë me top. Britmat janë edhe një formë e shfaqjes së ekzistencës në botë. I thërrasin njëri-tjetrit me zë të lartë, qeshin, hidhen dhe i gëzohen asaj loje. Edhe ne i gëzohemi asaj pamjeje. Në një vend që po shpopullohet çdo ditë, një pamje e tillë është më shumë se një nostalgji për kohën kur të rinjtë ende e gjenin veten në vendin e tyre.
Afrohem te një nga kafenetë e pazarit për të marrë një mendim, ndërkohë që një vajzë e re, pronare e një prej klubeve, sapo kupton qëllimin tonë, na thotë se një nga arsyet pse Korça nuk ka më vizitorë të rinj është edhe Covid-i dhe pasojat e masave.

“Korça pati një problem. Pas Covid-it, Korça ishte i vetmi qytet ku ngeli kufizimi i orarit. Qytetet e tjera kishin një orar që lejohej muzika deri vonë. Tani në Korçë lejohet deri në orën 12, ndërkohë që turistët e shumtë vijnë edhe për këto pub-e vërdallë këtu në Pazar.”- shprehet ajo.
Interesante është dhe qasja e saj tek ndryshimi i klimës, sikur përpiqet që fajin ta hedhë diku tjetër, te një forcë e mbinatyrshme.
“Një aspekt tjetër është edhe ndryshimi i klimës dhe i motit. Më përpara binte shumë borë në Korçë dhe vizitorët vinin për këtë arsye. Tani bie më pak,” – thotë ajo.
Dhe në fund shton edhe një ide për të tërhequr më shumë vizitorë:
“Një gjë e mirë që mund të bëhej do të ishte një pistë skish këtu në Korçë, e cila do të tërhiqte më shumë vizitorë, diçka të cilën ne nuk e kemi.”
Mes dyshimeve dhe konfirmimit, ajo që duket qartë është se Korça nuk e ka më gjallërinë e mëparshme, ku në çdo ditë të javës do gjeje medoemos vizitorë që shëtisnin kureshtarë dhe shkrepnin foto para Katedrales, në një kafene të pazarit apo në shumë lokacione të tjera të Korçës. Dhe për një qytet i cili shpiku turizmin dimëror dhe atë kulturor, kjo është një gjendje që nuk kapërdihet lehtë, por trajtohet me shqetësim dhe edukatë, por edhe me vetëfajësim, duke qenë koshient se diçka nuk ka shkuar mirë.

Por edhe pse Korça mund të humbasë disa nga vizitorët e saj, mbetet një qytet i cili frymon kulturë dhe qytetari, kudo dhe në çdo skaj të saj. Qoftë nga dy të rinj që kalojnë përskaj dhe, ashtu të shkujdesur, flasin mirë gjuhën shqipe, pa banalizime; qoftë në një bisedë mes një prindi dhe një fëmije të vogël; apo qoftë në mënyrën sesi ata të drejtohen sa herë u kërkon diçka , një kafe, një birrë, disa kërnacka apo qoftë edhe një prononcim për temën ku, me një ndjenjë fajësie dhe droje, e pranojnë se Korça nuk është më e para.
The post Pse Korça nuk është më ajo e para… appeared first on Gazeta Si.
