Rama: Në fillim të 2026-ës gati, mjeti i Identifikimit Digjital
Nga fillimi i vitit 2026 do të jetë gati për qytetarët mjeti i Identifikimit Digjital. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në aktivitetin për prezantimin e Identitetit Digjital, sipas të cilit edhe BE synon të bëjë një gjë të tillë deri në vitin 2027. Rama theksoi se Shqipëria do të jetë […]

Nga fillimi i vitit 2026 do të jetë gati për qytetarët mjeti i Identifikimit Digjital. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në aktivitetin për prezantimin e Identitetit Digjital, sipas të cilit edhe BE synon të bëjë një gjë të tillë deri në vitin 2027. Rama theksoi se Shqipëria do të jetë një vit para BE-së në këtë aspekt.
“Një tjetër moment i shumëpritur se prej disa kohësh ne jemi angazhuar me shumë dëshirë, por edhe me ambicie si gjithmonë për të krijuar identitetin digjital, i cili është baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe projektimi në të ardhmen falë teknologjisë. Në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit e shtetit dhe të ekonomisë tonë në fillim të vitit të ardhshëm. BE po ashtu po përgatitet për identitetin digjital, dhe objektivi i shpallur i BE është që në 2027 qytetarët e BE të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një hap më para dhe e theksoj këtë jo për të nënkuptuar apo afirmuar ndonjë përparësi tonën, por për të rikujtuar se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe që i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa që nganjëherë janë edhe historike, është që personalisht e quaj bekim i kësaj kohe se përmes teknologjisë digjitale “, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Identiteti Digjital është një hap domethënës për Shqipërinë në rrugën e saj drejt modernizimit teknologjik të jetës sociale dhe ekonomike.
“Më shumë se një mjet identifikimi, ky është çelësi për të hyrë në një epokë të re të sigurisë dhe lehtësisë së shërbimeve për qytetarët tanë”, u shpreh Rama.