Rama u përgjigjet stereotipeve për shqiptarët në Angli: Ja ku qëndron problemi

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ndodhet sot, 21 tetor, në Londër, në kuadër të Forumit për Politika dhe Siguri Globale, raporton Klan. Nuk mund t’i shpëtonte pyetjeve për debatin (virtual) të ca muajve më parë mes tij dhe deputeti britanik, Nigel Farage, lidhur me deklaratën e fortë të këtij të fundit për shqiptarët në Britaninë […]

Rama u përgjigjet stereotipeve për shqiptarët në Angli: Ja ku qëndron problemi
Edi Rama, foto: Suad Bajrami

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ndodhet sot, 21 tetor, në Londër, në kuadër të Forumit për Politika dhe Siguri Globale, raporton Klan. Nuk mund t’i shpëtonte pyetjeve për debatin (virtual) të ca muajve më parë mes tij dhe deputeti britanik, Nigel Farage, lidhur me deklaratën e fortë të këtij të fundit për shqiptarët në Britaninë e Madhe, raporton Klan.

Farage tha në qershor të këtij viti se “në Angli 1 në 50 shqiptarë ndodhet në burg”. Kreu i qeverisë iu përgjigj këtij pretendimi me një bast. Nëse kjo shifër rezulton e vërtetë, Rama shprehu gatishmërinë që t’i marrë të gjithë këta të burgosur në atdhe.

Farage nuk ka qenë i vetmi që ka lëshuar deklarata të kësaj natyre për komunitetin shqiptar atje, edhe ish-sekretarja britanike Suella Braverman gjatë mandatit të saj lëshoi akuza të rënda, duke i cilësuar emigrantët shqiptarë “kriminelë”.

Këtë të martë, Rama iu përgjigj pyetjeve lidhur me këtë me ironi, por edhe me mesazhe të forta.

“Nëse doni që të jem argëtues, mos më pyesni për Mbretërinë e Bashkuar sepse është temë mjaft dramatike.”

Sipas tij, problemi real nuk qëndron te Farage apo emigracioni.

“Të veçosh Farage si problem, praktikisht është t’u largohesh rrënjëve të problemit, është pasqyra ku njerëzit shohin në mënyrë teatrale disa prej problemeve. Nuk besoj që ai ka zgjidhje, por s’ka dyshim që zgjidhja nuk është ta shfaqësh atë si kokë turku, zgjidhja mund të jetë të shohësh problemet ashtu siç janë dhe të përpiqesh të gjesh mënyrën si të riangazhosh njerëzit në politikë. Problemi ka të bëjë me demokracinë.”

“Emigracioni është pjesë e zgjidhjes besoj unë dhe sigurisht më tej, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes asaj që është e parregullt dhe e paligjshme dhe asaj që sjell të mira. Pak kohë më parë, vizitova këtë qytet pasi Braverman veçoi komunitetin shqiptar në mënyrën më të gabuar të mundshme. Kur mbërrita u shoqërova me mjaft mirësjellje nga njerëzit që angazhohen për arsye sigurie. Te hoteli u hasa me një shqiptar, i thashë rojes, mos u shqetëso është bashkëatdhetar shqiptar. Edhe roja i parlamentit britanik ishte shqiptar”, shtoi kryeministri.

“Kështu ndizen mosmarrëveshjet dhe dëshpërimi që mund të hedhin në erë të gjithë shoqërinë në një moment të caktuar”, argumentoi ai, referuar deklaratave të bëra vitet e fundit nga figura politike në Britani për komunitetin shqiptar.

Më tej, nënvizoi se kontinenti ynë ndodhet aktualisht para një sërë sfidash.

“Nëse dikush do të kuptojë më mirë se çfarë po ndodh me Europën, duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë të tjerët jashtë Europës, mendjet e ndritura të jugut global, të vendeve arabe, të gjithë ata e shohin Europën si një gjigant të vjetër, të lodhur, që nuk është më në gjendje të zgjohet dhe të kuptojë se bota ka ndryshuar. Më pak se 40 vjet më parë, PBB-ja e Europës ishte 10 herë më e madhe se e Kinës, sot janë në nivele të barabarta dhe në të ardhmen Kina do ketë dyfishin e ekonomisë së Europës e mbase botës”, tha Rama.