Ramadani me thirrje që shqiptarët ta rikthejnë Bërvenicën, Mickoskit i pengojnë: Do ta shkarkoj, pasojat do të ndihen në Tetovë, Dibër dhe Strugë  

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski është shprehur me tone të ashpra ndaj deklaratave të kandidatit të VLEN për Komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadanit, i cili bëri thirrje që shqiptarët të bashkohen dhe të fitojë ai kundrejt kandidatit t VMRO-DPMNE-së Jovica Ilievvskit. Mickoski këto thirrje i ka konsideruar si gabim i cili do të […]

Ramadani me thirrje që shqiptarët ta rikthejnë Bërvenicën, Mickoskit i pengojnë: Do ta shkarkoj, pasojat do të ndihen në Tetovë, Dibër dhe Strugë  
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Fotot e Haqim Ramadanit dhe Hristijan Mickoskit të marra nga profilet e tyre në Facebook)

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski është shprehur me tone të ashpra ndaj deklaratave të kandidatit të VLEN për Komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadanit, i cili bëri thirrje që shqiptarët të bashkohen dhe të fitojë ai kundrejt kandidatit t VMRO-DPMNE-së Jovica Ilievvskit. Mickoski këto thirrje i ka konsideruar si gabim i cili do të reflektojë në Tetovë, Dibër dhe Strugë, shkruan Portalb.mk. 

Në një nga tubimet në diasporë, Haqim Ramadani, kandidat i VLEN-it, tha se Komuna e Bërvenicës duhet të fitohet nga një shqiptar, pasi ky komunitet është shumicë në këtë komunë. 

“Haqim Ramadani bashkë me ekipin e AKI-së po shkojnë në diasporë për të kërkuar vota, unë i them po, ata janë vëllezërit tanë. Për arsye se këto vëllezërit që janë këtu e plotësojnë buxhetin me miliona euro. Komuna e Kërçovës dhe të gjitha komunat tjera ku janë shumicë shqiptare gjithmonë do udhëheqin shqiptarët. Nuk kemi asgjë ndaj popujve tjerë, nuk kemi asgjë ndaj popullit maqedonas, por duhet ta dinë të gjithë se kush është zot në vend të vet… Komuna e Bëvenicës duhet të udhëhiqet nga shumica se kjo është e drejtë demokratike… Kur do jem kryetar e them se do të jem për të gjithë qytetarët e Bërvenicës”, tha mes tjerash Ramadani. 

Megjithatë, këtë deklaratë kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski e ka cilësuar si gabim të madh i cili do të sjellë pasoja edhe për Ramadanin si drejtor i Inspektoratit të Vetëqeverisjes Lokale, por edhe për koalicionin VLEN. 

“Mendoj se bëri një gabim të madh. Bëri një gabim veçanërisht për kandidatët për kryetarë komuna nga i njëjti koalicion nga i cili po kandidon. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë tani me Tetovën, Dibrën, Strugën dhe disa komuna të tjera. Një veprim kaq egoist nga një politikan, nuk është pare në historinë e afërt të Maqedonisë. Është vërtetë për të ardhur keq. Mund të theksoj gjithashtu se ditët e fundit një numër i madh përfaqësuesish në skenën ndërkombëtare dhe njerëz me shumë ndikim, sepse ajo ka arritur edhe tek ata, në mënyrë që edhe ata të shohin me keqardhje të madhe dhe thjesht me mosbesim atë që dëgjuan. Ajo që tha ky kandidat për kryetar komune, ndikon në pozicionin e tij në të ardhmen, pasi t’i humbë zgjedhjet në Bërvenicë, do të shkarkohet nga pozita që ka në qeveri”, tha Mickoski. 

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Bërvenicës jetojnë 13,645 banorë nga të cilët 7,377 janë shqiptarë dhe 5,715 maqedonas. 

Ditë më parë, edhe Bilall Kasami nga VLEN tha se në rrethin e dytë në Kërçovë do ta përkrahin Fatmir Deharin nga AKI-ja përballë kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovskit, edhe kjo nxiti reagime të ashpra nga VMRO-ja me të cilën VLEN janë partnerë koalicioni në qeveri. 

Ndryshe, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më dy nëntor.