Raporti i OSBE: Zgjedhjet e 11 majit të pabarabarta! Rama përfitoi nga burimet shtetërore, opozita dhe media nën presion
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe me abuzim të gjerë të burimeve shtetërore nga partia në pushtet. Ky është konstatimi i raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, i cili evidenton se procesi zgjedhor u zhvillua në një klimë të thellë polarizimi politik dhe me avantazh të qartë për […] The post Raporti i OSBE: Zgjedhjet e 11 majit të pabarabarta! Rama përfitoi nga burimet shtetërore, opozita dhe media nën presion appeared first on Ditar.al.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe me abuzim të gjerë të burimeve shtetërore nga partia në pushtet.
Ky është konstatimi i raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, i cili evidenton se procesi zgjedhor u zhvillua në një klimë të thellë polarizimi politik dhe me avantazh të qartë për Partinë Socialiste.
Sipas raportit, qeveria dhe drejtuesit e saj përfituan nga përdorimi i gjerë i resurseve publike gjatë fushatës, përmes aktiviteteve zyrtare, inaugurimeve dhe promovimeve të projekteve shtetërore që shërbyen si instrumente propagandistike. Kjo, sipas OSBE-së, “krijoi një avantazh të padrejtë për pushtetin dhe e zbehu konkurrencën reale midis forcave politike”.
“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të pozitës së saj… Ministrat dhe Kryeministri u përfshinë në aktivitete zyrtare, promovuan dhe inauguruan projekte investimesh, duke kontribuar në avantazhin e partisë në pushtet dhe, në disa raste, duke bërë fushatë hapur… Edhe pse ligji ndalon përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve zbatoi një interpretim të ngushtë të rregullave, duke bërë që shumë nga këto praktika të mbeteshin pa ndëshkim”, thuhet ndër të tjera në raport.
Në raport përmenden dhjetëra raste të presionit mbi punonjësit e bashkive dhe institucioneve shtetërore për të marrë pjesë në takimet e PS-së ose për të mbledhur të dhëna për votuesit, teksa janë dokumentuar edhe raste intimidimi ndaj kandidatëve të opozitës dhe qytetarëve që morën pjesë në tubime të saj.
Janë dokumentuar praktika patronazhi, shpërndarje favoresh për punësim dhe përfitime sociale me qëllim ndikimin e votës, ndërsa në disa zona u evidentua ndikimi i elementëve kriminalë në fushatë. OSBE flet gjithashtu për hetime në të paktën 37 raste të dyshuara për blerje votash.
“ODIHR mori raportime të përhapura për presion ndaj punonjësve bashkiakë nga eprorët e tyre që t’i bashkoheshin apo të mbështesnin fushatën e Partisë Socialiste… Shumë bashkëbisedues shprehën shqetësim për ndikimin e rrjeteve të patronazhit, ku premtime për punësim publik, favore administrative, përfitime sociale apo leje ndërtimi përdoren si mjet për të siguruar vota”, citon raporti.
Një pjesë e konsiderueshme e raportit i kushtohet ndikimit të pushtetit mbi median, e cila sipas vëzhguesve, “vuan nga përqendrimi i pronësisë, mungesa e transparencës dhe ndërhyrjet politike në përmbajtje”. Shumica e mediave kombëtare janë perceptuar si të afërta me qeverinë, ndërsa gazetarët shpesh praktikojnë autocensurë për shkak të presioneve politike e ekonomike. Monitorimi i OSBE-së tregon se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dominuar hapësirat informative, duke kufizuar ekspozimin e partive të vogla.
“Shumica e mediave janë perceptuar si të afërta me partinë në pushtet… ndërhyrjet në autonominë editoriale dhe ndikimi politik minojnë raportimin e pavarur. Fyerja mbetet e kriminalizuar dhe gazetarët vijojnë të përballen me padi për shpifje, çka kufizon gazetarinë kritike”, shkruhet në raportin e OSBE.
Raporti shënon gjithashtu problematika në administrimin e ditës së votimit. Vëzhguesit vlerësuan se procesi u zhvillua përgjithësisht qetë, por me mangësi në respektimin e procedurave dhe raste të cenimit të fshehtësisë së votës. Në disa qendra u vërejt ndërhyrje të përfaqësuesve partiakë, presion ndaj votuesve dhe mungesë e aksesit për personat me aftësi të kufizuara.
Votimi nga jashtë vendit, i zbatuar për herë të parë, cilësohet si një hap pozitiv, ndonëse u shoqërua me probleme organizative dhe refuzim të dhjetëra mijëra aplikimeve për shkak të mungesës së dokumenteve.
Në përfundim, OSBE/ODIHR thekson se Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit zgjedhor, me qëllim depolitizimin e administratës, forcimin e transparencës së financimit të fushatave dhe garantimin e pavarësisë së mediave.
Raporti nënvizon se shumica e rekomandimeve të mëparshme të OSBE-së mbeten ende të pazbatuara, çfarë tregon mungesë vullneti politik për përmirësimin e standardeve demokratike.
The post Raporti i OSBE: Zgjedhjet e 11 majit të pabarabarta! Rama përfitoi nga burimet shtetërore, opozita dhe media nën presion appeared first on Ditar.al.