Rigjykimi për fajde, Apeli ndryshon vendimin e Themelores vetëm në pjesën e konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit

Welcome to Kosova Today

Gjykata e Apelit, në rigjykmimin ndaj të akuzuarit për fajde Artan Gjocaj (Ramë Mushkolaj), ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e konfiskimit prej 11 mijë e 700 euro i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, ndërsa për pjesën e mbetur […]

Rigjykimi për fajde, Apeli ndryshon vendimin e Themelores vetëm në pjesën e konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit
rigjykimi-per-fajde,-apeli-ndryshon-vendimin-e-themelores-vetem-ne-pjesen-e-konfiskimit-dhe-detyrimit-per-kompensimin-e-te-demtuarit

rigjykimi-per-fajde,-apeli-ndryshon-vendimin-e-themelores-vetem-ne-pjesen-e-konfiskimit-dhe-detyrimit-per-kompensimin-e-te-demtuarit

Gjykata e Apelit, në rigjykmimin ndaj të akuzuarit për fajde Artan Gjocaj (Ramë Mushkolaj), ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e konfiskimit prej 11 mijë e 700 euro i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, ndërsa për pjesën e mbetur prej 13 mijë e 700 euro obligohet i akuzuari t’ia paguajë të dëmtuarit. Pjesa tjetër e aktgjykimit mbetet e pandryshuar.

Vendimi i Apelit është marrë më 12 mars 2024, pasi Gjykata Supreme ia kishte kthyer kësaj gjykate rastin në rigjykim me miratimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së Gjocajt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Pejë, më 23 mars 2023, Gjocajn e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Fajdeja”, dhe e ka gjykuar me dënim burgimi prej 2 vite e 6 muaj burgim si dhe dënimin me gjobë prej 3 mijë euro, si dhe ishte obliguar për kompensimin e dëmit ndaj palës së dëmtuar shumën prej 24 mijë e 700 euro.

Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar pjesërisht vendimin e Themelores, duke e aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit vetëm përkitazi me konfiskimin dhe detyrimin për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e mjeteve të konfiskuara prej 11 mijë e 700 euro duhej t’i kthehej të dëmtuarit Rifat Jasiqi, ndërsa për pjesën e mbetur e kërkesës pasurore-juridike prej 13 mijë e 700 euro i dënuari është obliguar që t’ia paguajë të dëmtuarit Jasiqi.

Kurse, Gjykata Supreme kishte miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së të dënuarit për fajde Artan Gjocaj, duke anuluar vendimin e shkallës së dytë dhe e ktheu rastin në rigjykim në Apel.

Sipas aktgjykimit të Apelit, me rastin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Artan Gjocaj, avokatit Gëzim Kollçaku, aktgjykimi i Themelores ndryshohet pjesërisht.

Avokati Kollçaku kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që të aprovohet ankesa dhe të ndryshohet aktagjykimi, ashtu që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza, apo të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në rigjykim. Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtjes.

Gjykata e Apelit, pas studimit të aktgjykimit të ankimuar, pretendimeve ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit sa i përket shkeljes esencilae të dispozitave të procedurës penale, gjeti se pretendimet ankimore janë të pabazuara dhe se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave ligjore.

Në vendim thuhet se kolegji i gjykatës së Apelit, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë kishte paraqitur në mënyrë të qartë faktet në dispozitivin e aktgjykimit të cilat fakte shpërfaqin elementet e veprës penale, dispozitivi thuhet se ishte i qartë, konkret dhe nuk kishte kundërthënie ndërmjet fakteve të prezantuara, ku me arsyet e dhëna janë paraqitur në mënyrë të qartë që i referohen fakteve si në dispozitiv arsye ato që gjejnë mbështetje në provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor.

Sipas Apelit, periudha kohore që ka pretenduar akuza, në raport me periudhën kohore që ka konstatuar gjykata në aktgjykim, nuk përbën shkelje të dispozitave të procedurës penale, pasi ka sqaruar se përse ka konstatuar një periudhë ndryshe të kohës së kryerjes së veprës penale nga ajo që ka pretenduar akuza.

Apeli po ashtu gjen se nuk rezulton një vlerësim i keqinterpretuar i provave materiale dhe prova e ekspertizës së grafologjisë është analizuar në raport me deklarimet e të pandehurit dhe djalit të tij dhe në raport me deklarimet e provave materiale. Po ashtu, konstaton se në mënyrë të drejtë dhe të plotë janë vërtetuar rrethanat e fakteve nga shkalla e parë.

“Nga provat që janë administruar në shqyrtim gjyqësor, Kolegji vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar faktin lidhur me ekzistimin e rëndë të gjendjes financiare të të dëmtuarit”, thuhet në vendim.

Andaj, kolegji kishte vlerësuar se sa i përket konfiskimit dhe kërkesës pasurore-juridike, shkalla e parë gabimisht ka zbatuar Ligjin Penal në dëm të të pandehurit, andaj edhe ka ndryshuar aktgjykimin e ankimuar vetëm sa i përket konfiskimit të mjeteve monetare.

Apeli ka përcaktuar që mjetet e konfiskuara në shumën prej 11 mijë e 700 euro, t’i kthehen të dëmtuarit, ndërsa për pjesën e mbetur të kërkesës pasurore-juridike në shumën prej 13 mijë e 700 euro i pandehuri obligohet që t’ia kompensojë të dëmtuarit.

Më tej, Apeli thekson duke vlerësuar pretendimet ankimore të mbrojtjes së të pandehurit dhe vlerësimet e rekomandimet e Supremes, gjen se pretendimet ankimore për sanksionin penal janë të pabazuara.

Sipas vendimit, Apeli ka gjetur se pretendimet ankimore të mbrojtësit të të pandehurit sa i përket shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, janë të pabazuara dhe se akgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të procedurës penale, për të cilat shkelje thuhet se Gjykata e Apelit duhet të kujdeset sipas detyrës zyrtare.

Sipas Apelit, shkalla e parë në aktgjykim ka paraqitur në mënyrë të qartë faktet në dispozitivin e aktgjykimit, të cilat fakte shpërfaqin elementet e veprës penale për të cilën i pandehuri ngarkohej sipas akuzës, ku thuhet se dispozitivi ishte i qartë, konkret dhe nuk ka kundërthënie ndërmjet fakteve të prezantuara.

Lidhur me pretendimin e mbrojtjes për provat që gjykata i ka marrë për bazë, e të cilat pretendon se janë keqinterpretuar, Apeli nuk i gjeti të bazuara këto pretendime dhe se sipas kësaj gjykate, mbi bazën e ekspertizave grafologjike rezultoi se drejt e në mënyrë të plotë, gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar gjendjen faktike.

Gjithashtu sipas Apelit, pretendimet e mbrojtjes se gjykata e shkallës së parë ka keqinterpretuar provat materiale dhe rrjedhimisht ka vërtetuar gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë gjendjen faktike, rezulton se janë të pabazura, ndërsa arsyet e dhëna në aktgjykimin e ankimuar nga gjykata e shkallës së parë, i pranon edhe Apeli.

Shkalla e dytë e gjeti të pabazuar edhe pretendimin e mbrojtjes se i dëmtuari nuk ka qenë në gjendje të rëndë financiare nga siç e thekson mbrojtja ai kishte një shtëpi katërkatëshe dhe se në dy katet saj i dëmtuari zhvillonte biznes, ndërsa dy kate tjera shërbenin për banim. Lidhur me këtë pretendim, Kolegji ka rikujtuar se dispozita ligjore përcakton si formë të kryerjes së veprës penale kur shfrytëzohet gjendja e rëndë financiare, ku ka vlerësuar se shfrytëzimi i gjendjes së rëndë financiare nuk mund të vlerësohet në kontekstin abstrakt të ekzistimit të pasurisë së të dëmtuarit.

Ndryshe, ky vendim tashmë është bërë i plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Pejë.

Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj 2019, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde.

Por, Gjykata e Apelit më 9 shtator 2019, e ka konsideruar si të paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari dhe anuloi aktgjykimin e Themelores.

Në gjykimin e dytë, Gjocaj më 23 mars 2023 ishte shpallur fajtor për fajde nga Gjykata Themelore në Pejë, duke u dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, si dhe ishte obliguar për kthimin e parave të marra me kamatë në shumën prej 24 mijë e 700 euro.

Kurse, më 31 tetor 2023, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit Gjocaj, vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e mjeteve të konfiskuara prej 11 mijë e 700 euro duhej t’i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, kurse pjesa e mbetur e kërkesës pasurore-juridike prej 13 mijë e 700 euro t’i paguhet nga i akuzuari Gjocaj.

Kurse, Gjykata Supreme më 1 shkurt 2024 ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së të dënuarit për fajde Artan Gjocaj, duke anuluar vendimin e shkallës së dytë dhe e ktheu rastin në rigjykim në Apel.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e deri më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që pastaj me kredi tjetër t’ia kthejë huanë të akuzuarit. Kurse, i pandehuri thuhet se pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1 mijë e 900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro.

Sisteme Online Programime
Programing Online