RMV, komisionet për marrëdhënie midis komuniteteve ekzistojnë vetëm në letër
Në një shoqëri multietnike si ajo e Maqedonisë së Veriut, roli i Komisioneve për Marrëdhënie midis Komuniteteve duhet të jetë thelbësor për ndërtimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ekspertët në konferencën përmbyllëse me temë “Efikasiteti dhe funksionimi i Komisioneve për marrëdhënie ndërmjet bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut” e organizuar nga Shoqata “Vlerat e Përbashkëta”, Shkup […]
 
                                
Në një shoqëri multietnike si ajo e Maqedonisë së Veriut, roli i Komisioneve për Marrëdhënie midis Komuniteteve duhet të jetë thelbësor për ndërtimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ekspertët në konferencën përmbyllëse me temë “Efikasiteti dhe funksionimi i Komisioneve për marrëdhënie ndërmjet bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut” e organizuar nga Shoqata “Vlerat e Përbashkëta”, Shkup konkluduan se këto struktura shpesh ekzistojnë vetëm në letër, pa procedura të qarta, pa mbështetje të mjaftueshme dhe me ndikim të kufizuar në jetën reale të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.
Profesoresha universitare, Natalija Shikova, theksoi se në vendet multietnike është i domosdoshëm dialogu, gjithëpërfshirja, pranimi i tjetrit dhe integrimi.
“Qëllimi i komisoneve është për raporte midis komuniteteve, prezantimin e interesave etnike, shqyrtimin e çështjeve etnike, etj. Por, mangësia është se nuk kanë procedura dhe kritere për zgjedhjen e anëtarëve. Nuk ka mjaftueshëm mbështetje financiare dhe administrative. Duhet të precizohet puna e tyre. Transparencë në zgjedhjen e anëtarëve dhe të promovohen më tepër në opinion”, tha Shikova.
Sipas eksperit, Nadir Rexhepi, pakicat në Maqedoninë e Veriut kanë zë, por nuk ka veshë kush t’i dëgjojë.
“Ka pakica që nuk kanë përfaqësues në Këshill Komunal. Nuk ka raporte për punën e komisioneve. Komisionet janë sikur fëmijë të vegjël, me ambicie, por larg qëllimit”, konkludoi Rexhepi.
Mislim Hasipi, ekspert, duke veçuar rolin e komisioneve nënvizoi rëndësinë e tyre, si një mekanizëm për zbutjen, lehtësimin e sfidave të komunave.
“Mbrojnë komunitetet që janë më pak të përfaqësuara. Janë garancion për stabilitet dhe të ardhme të përbashkët. Duhet të shihen jo si organe ceremoniale, por si instrument demokratik dhe preventiv. Por, praktika tregon diçka ndryshe. Kemi hendek mes ligjit dhe zbatimit. Sipas matjeve, 61% e komisioneve nuk mbajnë takime të rregullta. 70% e popullatës nuk e dijnë se ekzistojnë komisionet”, tha Mislimi, duke porositur se duhet aktivizim më tepër, plane vjetore, proces verbale dhe raporte vjetore dhe se komisionet duhet të jenë më transparente dhe më të hapura.
Ahmet Jasharovski nga komuna e Kumanovës kujtoi se anëarët duhet të jenë apartiak. “Ka raste kur ndonjë vendim, anëtari i komisionit kërkon kohë për konsultim paraprak me të partisë”, tha Jasharovski.
Debati u realizua në kuadër të projektit “Ndërtojmë ura” në mbështetje të Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
 
                         
         
         
         
         
         
         
         
 
 
         
         
         
         
         
  