RMV, shembulli më drastik i dështimit institucional është Lista Zgjedhore e papërditësuar

Institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut për organizimin e zgjedhjeve lokale dhe mbarëvajtjen e tyre edhe këtë herë kanë dështuar në krijimin e një liste të pastër zgjedhore pa mangësi. Raportet e monitoruesve të zgjedhjeve tregojnë se qytetarët kanë gjetur personat e vdekur të familjes në listën zgjedhore, e të tjerë edhe pse të gjallë […]

RMV, shembulli më drastik i dështimit institucional është Lista Zgjedhore e papërditësuar
Zgjedhje në Maqedoni. Foto nga Portalb.mk

Institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut për organizimin e zgjedhjeve lokale dhe mbarëvajtjen e tyre edhe këtë herë kanë dështuar në krijimin e një liste të pastër zgjedhore pa mangësi. Raportet e monitoruesve të zgjedhjeve tregojnë se qytetarët kanë gjetur personat e vdekur të familjes në listën zgjedhore, e të tjerë edhe pse të gjallë kanë munguar në listë. Sipas konluzionit të OJQ CIVIL, të cilët monitorojnë procesin zgjedhor, treguesi më serioz i dështimit institucional është lista zgjedhore e pa-përditësuar, në të cilën ende figurojnë persona të vdekur, shkruan Portalb.mk.

“Shembulli më drastik i dështimit institucional është lista zgjedhore e papërditësuar. Në vendvotimin 2479 në Gazi Babë, 20 nga gjithsej 399 votues rezultojnë të jenë persona të vdekur – që përbën pesë për qind të listës. Ky nuk është gabim teknik, por një dështim serioz institucional që e minon besueshmërinë e procesit zgjedhor. Edhe më absurde është situata në komunën Shuto Orizare (VV 2957/1, SHFK “26 Korriku”), ku gjyshi dhe nipi me të njëjtin mbiemër janë gjetur në role të kundërta, gjyshi, i ndjerë, figuron në listë, ndërsa nipi, i gjallë, mungon”, thuhet në raportin e CIVIL.

Xhabir Deralla, udhëheqës i CIVIL për Portalb.mk ka theksuar se Lista zgjedhore është një nga burimet kryesore, për të mos thënë kronike, të mosbesimit ndaj procesit zgjedhor.  

“Numri i votuesve është pothuajse i njëjtë me numrin e përgjithshëm të popullsisë. Institucionet zakonisht e justifikojnë këtë me numrin e lartë të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Por, kur ekzistojnë të dhëna nga regjistrimi i popullsisë, ky arsyetim pushon së qeni i vlefshëm. 

Për më tepër, prania e personave të vdekur në listën zgjedhore është alarmante. Nga të gjitha anët e vendit kanë mbërritur raportime qytetare për këtë dukuri. Kjo është një shembull drastik i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë institucionale. Sigurisht që kjo ka edhe ndikim shumë negativ te njerëzit. Kam lexuar disa raporte ku thuhet se qytetarë kanë dalë nga vendvotimet me lot në sy”, tha Deralla.  

Institucionet thonë se punojnë në rregull, por ja që lista mbetet e papastruar!

Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani, i pyetur nga Portalb.mk, e ka komentuar fenomenin e përsëritur në çdo palë zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, “të vdekurit në lista zgjedhore”.

Edhe përkundër faktit që ka të tillë, Shabani thotë se procesi i azhurnimit të listës zgjedhore zhvillohet rregullisht gjatë vitit në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe kompetencat ligjore të institucionit.

Shabani theksoi se çdo reagim apo vërejtje e ardhur gjatë procesit do të merret në shqyrtim pas përfundimit të zgjedhjeve, në bashkëpunim me institucionet kompetente që kontribuojnë në përditësimin e listës. 

“Pas përfundimit të procesit zgjedhor, në koordinim me organet tjera me të cilat bashkëpunojmë për listën zgjedhore, do të identifikohen problemet eventuale dhe do të ndërmerren veprimet e nevojshme,” tha Shabani. 

Ai nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi ndërinstitucional do të intensifikohet, përfshirë këtu Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Entin Shtetëror për Statistikë, me qëllim përmirësimin e saktësisë dhe integritetit të listës zgjedhore.  

Nga ana tjetër, nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë, zotohen se drejtoria në pajtim me kompetencat ligjore, përpilon dhe dërgon në mënyrë të rregullt raportet për personat që kanë ndërruar jetë tek institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komisionin Shtetëror Zgjedhor.   

“Të dhënat për qytetarët që ndërrojnë jetë regjistrohen në librat amë të të vdekurve nga zyrat përkatëse komunale, dhe menjëherë pas përfundimit të procedurës së regjistrimit, ato përfshihen në sistemin elektronik të drejtorisë. Drejtoria i dërgon këto të dhëna në mënyrë periodike, zyrtarisht institucioneve kompetente, të cilat më pas janë përgjegjëse për përditësimin e sistemeve të tyre përkatëse (si në rastin e listës zgjedhore), tha për Portalb.mk drejtori Faton Fazliu.   

Sipas drejtorit Fazliu, në rastet kur vërehen mospërputhje, ato zakonisht ndodhin për shkak të vonesave në regjistrimin e të dhënave nga terreni ose në transferimin e informacionit ndërmjet institucioneve.   

“Drejtoria është duke punuar vazhdimisht për përmirësimin e këtij procesi përmes digjitalizimit dhe shkëmbimit më efikas të të dhënave ndërinstitucionale. Qëllimi ynë mbetet garantimi i saktësisë dhe përditësimit të të gjitha të dhënave që lidhen me statusin civil të qytetarëve” përfundoi Fazliu.   

Xhabir Deralla. Foto: CIVIL
Xhabir Deralla. Foto: CIVIL

Eksperti Deralla përfundon se asnjë nga arsyetimet që i japin institucionet nuk mund të pranohet. Sipas tij, fakti që përgjegjësia sillet si top ping-pongu që institucionet ia kalojnë njëra-tjetrës, nuk ndihmon në forcimin e besimit dhe legjitimitetit të proceseve zgjedhore.  

“Për publikun nuk ka rëndësi nëse përgjegjës është KSHZ apo MPB, sepse shteti është ai që mban përgjegjësinë për këto çështje, aq më tepër kur pushteti dhe institucionet nisin operacione të mëdha dhe të kushtueshme të lidhura me zgjedhjet, kinse për të forcuar besimin dhe për të përmirësuar cilësinë, transparencën dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve, për të cilat paguajmë të gjithë ne. 

Përkundër të gjithave, kemi një situatë në të cilën lista zgjedhore dhe komponentë të tjerë të rëndësishëm të zbatimit të proceseve zgjedhore po përkeqësohen nga viti në vit. 

Ndoshta përgjigjja për të gjitha këto pyetje qëndron te kapja e institucioneve dhe e vetë shtetit, pra te politizimi i tyre i skajshëm, por kjo është vetëm identifikimi i problemit. Zgjidhja kërkon vullnet politik dhe shoqëror, si dhe kulturë politike e vlera demokratike. Këto mungojnë, sigurisht – përveç në deklaratat që u drejtohen të pafajshmëve dhe donatorëve të huaj”, përfundoi Deralla. 

2 nëntor në Republikën e Maqedonisë së Veriut u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve të teta lokale që nga pavarësia e vendit.