Jehona e votuesve në zgjedhjet lokale nuk kaloi 50%, pjesëmarrja më e ulët që nga pavarësia e RMV-së

Jehona në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë këtë vit për herë të parë nuk ka arritur të tejkalojë 50 për qind, as në rrethin e parë, as në rrethin e dytë. Kjo i ka bërë këto zgjedhje të tetat lokale me pjesëmarrjen më të ulët që nga pavarësia e vendit, transmeton TV 21. […]

Jehona e votuesve në zgjedhjet lokale nuk kaloi 50%, pjesëmarrja më e ulët që nga pavarësia e RMV-së
Zgjedhje lokale 2025 në RMV. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Jehona në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë këtë vit për herë të parë nuk ka arritur të tejkalojë 50 për qind, as në rrethin e parë, as në rrethin e dytë. Kjo i ka bërë këto zgjedhje të tetat lokale me pjesëmarrjen më të ulët që nga pavarësia e vendit, transmeton TV 21.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, në rrethin e parë për kryetar komune, jehona ishte 48,30 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Nga 1.832.415 votues të regjistruar, kanë votuar 885.085 qytetarë. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, sipas të dhënave të përpunuara 98,26 për qind të votave, jehona ishte 40,46 për qind, ndërsa informacionet jozyrtare e vendosin atë në 41,24 për qind.

Jehona më e lartë në rrethin e dytë u regjistrua në Rosoman (79,68 për qind) dhe Lozovë (77,85 përqind), ndërsa më e ulëta ishte në Kumanovë (35,70 përqind) dhe Shuto Orizare (32,03 për qind).

Për kryetar të Shkupit, jehona në rrethin e dytë ishte 35,33 për qind. Nga gjithsej 474.304 votues, kanë votuar 167.575 qytetarë. Jehona më e lartë u regjistrua në Karposh (50,52 pë qind) dhe Qendër (47,59 për qind), ndërsa më e ulëta ishte në Saraj (12,27 përqind) dhe Çair (14,15 përqind).

Historikisht, jehona më e madhe në rrethin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash ishte në vitin 2013 – 67 përqind. Më pas, ka pasur një rënie të vazhdueshme: 60 përqind në 2017 dhe 50,57 përqind në 2021. Jehona në rrethin e dytë zakonisht është më e ulët se në të parin; më e madhe u regjistrua gjithashtu në 2013 – 65 përqind. Pas saj, ka rënë gradualisht: 52 për qind në 2017, 50,69 përqind në 2021 dhe tani 41,24 përqind.

Në këto zgjedhje, në katër komuna nuk u arrit censusi minimal prej një të tretës së votuesve të regjistruar (Gostivar, Qendër Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçishtë). Në këto zona do të zhvillohet një procedurë e re zgjedhore brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare.

Më 2 nëntor u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.