Rrjedhje e të dhënave në Ricardo: Preken rreth 890 mijë llogari në Zvicër

Rrjedhje e të dhënave në Ricardo: Preken rreth 890 mijë llogari në Zvicër

Rreth 890 mijë llogari të përdoruesve të platformës zvicerane të shitblerjeve online Ricardo janë prekur nga një rrjedhje e të dhënave personale, pasi persona të paautorizuar kanë arritur të marrin informacione nga sistemet e saj. Lajmi është bërë i ditur nga kompania mëmë SMG Swiss Marketplace Group, e cila ka njoftuar se incidenti është zbuluar më 7 tetor, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat e ekspozuara përfshijnë emrat, adresat postare dhe numrat e telefonit të përdoruesve. Për llogaritë e klientëve biznesorë janë prekur gjithashtu emrat e kompanive. Sipas njoftimit të kompanisë, adresat e emailit dhe fjalëkalimet nuk janë komprometuar.

Pas zbulimit të aktivitetit të dyshimtë në serverët e platformës, kompania thotë se ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të mbyllur cenueshmërinë e sigurisë.

Ricardo ka bërë të ditur se do t’i kontaktojë drejtpërdrejt përdoruesit e prekur, duke u ofruar informacione për incidentin dhe masat që mund të ndërmarrin për të mbrojtur të dhënat e tyre.

Rasti i është raportuar tashmë Komisionerit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Transparencën në Zvicër (EDÖB). Kompania planifikon gjithashtu të paraqesë kallëzim penal dhe ta njoftojë Qendrën Federale për Sigurinë Kibernetike (BACS).

Përdoruesit e prekur duhet të tregojnë kujdes ndaj telefonatave, mesazheve apo email-eve të dyshimta që mund të përmbajnë emrin, adresën ose numrin e tyre të telefonit. Këto të dhëna mund të përdoren për tentativa mashtrimi ose për mesazhe të rreme që synojnë të marrin informacione të tjera personale. /Albinfo.ch

The post Rrjedhje e të dhënave në Ricardo: Preken rreth 890 mijë llogari në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.