SHBA tërheq stafin e ambasadës amerikane në Irak, për arsye sigurie

  Shtetet e Bashkuara kanë nisur evakuimin e stafit jo thelbësor dhe familjarëve të tyre nga ambasada amerikane në Bagdad, Irak, për shkak të rritjes së rrezikut të sigurisë në rajon, kanë bërë të ditur burime nga qeveria amerikane të mërkurën. Zyrtarët nuk dhanë detaje të sakta mbi shkakun e këtij vendimi, por zhvillimet e [...]Read More...

SHBA tërheq stafin e ambasadës amerikane në Irak, për arsye sigurie

 

Shtetet e Bashkuara kanë nisur evakuimin e stafit jo thelbësor dhe familjarëve të tyre nga ambasada amerikane në Bagdad, Irak, për shkak të rritjes së rrezikut të sigurisë në rajon, kanë bërë të ditur burime nga qeveria amerikane të mërkurën.

Zyrtarët nuk dhanë detaje të sakta mbi shkakun e këtij vendimi, por zhvillimet e fundit tregojnë se bisedimet për programin bërthamor të Iranit kanë hyrë në ngërç.

Ne vlerësojmë vazhdimisht nivelin e duhur të pranisë së stafit në të gjitha ambasadat tona,” tha për BBC-në një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Sipas analizës sonë më të fundit, vendosëm të reduktojmë praninë tonë diplomatike në Irak.”

Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një interviste për një podcast të mërkurën, deklaroi se po humbte besimin se mund të arrihej një marrëveshje me Iranin për programin e tij bërthamor.
SHBA kërkon që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit një proces që mund të përdoret për ndërtimin e armëve bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Nga ana tjetër, ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, paralajmëroi se Irani do të kundërpërgjigjej ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon nëse bisedimet dështojnë dhe Trump urdhëron sulme ushtarake kundër Teheranit.

Sipas agjencisë Reuters, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka miratuar gjithashtu largimin vullnetar të familjeve të personelit ushtarak amerikan nga disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Kuvajtin dhe Bahreinin.

Po të mërkurën, Organizata Britanike për Operacionet Detare Tregtare, pjesë e Marinës Mbretërore, publikoi një paralajmërim për transportin detar në rajon, duke nënvizuar se tensionet e shtuara ushtarake në Lindjen e Mesme mund të prekin sigurinë e lundrimit dhe tregtinë detare.

Çmimi i naftës u rrit me mbi 4% menjëherë pas lajmit për evakuimin amerikan, për shkak të frikës se pasiguria në rajon mund të ndikojë në furnizimet globale.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes së SHBA, aktualisht në Irak janë të stacionuar rreth 2,500 trupa amerikane.