Shkencëtarët të shqetësuar nga vala e nxehtësisë në Oqeanin Paqësor

Sipas një analize të BBC-së, ujërat e Paqësorit Verior kanë përjetuar verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, për shkak të një vale misterioze të të nxehtit detar që ka habitur shkencëtarët e klimës. Temperaturat e sipërfaqes së detit, gjatë muajve korrik–shtator, ishin më shumë se 0.25°C më të larta se rekordi i mëparshëm i […] The post Shkencëtarët të shqetësuar nga vala e nxehtësisë në Oqeanin Paqësor appeared first on Ditar.al.

Shkencëtarët të shqetësuar nga vala e nxehtësisë në Oqeanin Paqësor

Sipas një analize të BBC-së, ujërat e Paqësorit Verior kanë përjetuar verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, për shkak të një vale misterioze të të nxehtit detar që ka habitur shkencëtarët e klimës.

Temperaturat e sipërfaqes së detit, gjatë muajve korrik–shtator, ishin më shumë se 0.25°C më të larta se rekordi i mëparshëm i vitit 2022. Kjo rritje ndodhi në një zonë rreth dhjetë herë më e madhe se Mesdheu.

Edhe pse dihet se ndryshimet klimatike ndikojnë në shfaqjen e valëve të të nxehtit detar, shkencëtarët nuk janë ende të qartë pse Paqësori Verior është ngrohur kaq shumë dhe për një kohë kaq të gjatë. Disa studiues besojnë se kjo “pikë e ngrohtë” në oqean mund të ndikojë edhe në motin e Europës, duke rritur mundësinë për një fillim më të ftohtë të dimrit në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Zeke Hausfather, shkencëtar në organizatën kërkimore Berkeley Earth, një rritje e tillë e temperaturave në një rajon kaq të madh është “jashtëzakonisht e pazakontë”.

Çfarë po ndodh në të vërtetë?

BBC përdori të dhënat e shërbimit evropian të klimës Copernicus, duke analizuar temperaturat mesatare në një zonë të madhe të Paqësorit, që shtrihet nga Azia Lindore deri në Amerikën e Veriut. Të dhënat tregojnë një rritje të vazhdueshme të temperaturave gjatë dy dekadave të fundit, me vitin 2025 që tejkalon dukshëm vitet e mëparshme.

Shkencëtarët theksojnë se ngrohja globale, e shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë, ka trefishuar ditët me nxehtësi ekstreme në oqeane. Por, ajo që po ndodh tani, i tejkalon parashikimet e shumicës së modeleve klimatike. Analiza nga Berkeley Earth sugjeron se temperaturat e gushtit në Paqësorin Verior kishin më pak se 1% shans të ndodhnin në një vit të zakonshëm.

 A po ndikon ndotja dhe pastrimi i ajrit?

Një teori interesante lidh rritjen e temperaturës me ndryshimet në lëndët djegëse të anijeve. Para vitit 2020, karburantet e ndotura çlironin shumë dioksid squfuri – gaz i dëmshëm për shëndetin, por që krijonte grimca reflektuese që ndihmonin në ftohjen e atmosferës. Pas heqjes së këtyre ndotësve, efekti ftohës është zhdukur, duke zbuluar plotësisht ndikimin real të ngrohjes së shkaktuar nga njerëzit.

Ngjashëm, përpjekjet për të pastruar ajrin në qytetet kineze mund të kenë pasur efekt të ngjashëm – duke lejuar që më shumë rrezatim diellor të arrijë në sipërfaqen e oqeanit.

Si ndikon kjo në motin global?

Vala e të nxehtit në Paqësorin Verior ka ndikuar tashmë në motin në të dy anët e Oqeanit. Japonia dhe Koreja e Jugut përjetuan temperatura shumë të larta këtë verë, ndërsa në SHBA u shfaqën stuhi të forta.

Profesoresha Amanda Maycock nga Universiteti i Leeds thotë se oqeanet e ngrohta furnizojnë atmosferën me lagështi, duke ndikuar në formimin e stuhive dhe reshjeve të mëdha. E njëjta ngrohtësi mund të sjellë më shumë lagështi gjatë dimrit në formën e dëborës.

Ngrohja e Paqësorit Verior mund të ndikojë edhe në motin e Europës përmes një fenomeni të njohur si telekoneksione. Këto ndikime atmosferike mund të sjellin më shumë ajër të ftohtë arktik në Europë në fillim të dimrit. Megjithatë, ndikimet mund të ndryshojnë më vonë gjatë dimrit, ku disa zona mund të përjetojnë kushte më të buta dhe më të lagështa.

Një tjetër faktor: La Niña

Ndërkohë, në Paqësorin tropikal lindor, po shfaqen kushte të dobëta të fenomenit La Niña, që karakterizohet nga ujëra më të ftohta se zakonisht. Ky fenomen natyror, i kundërt me El Niño-n, zakonisht rrit gjasat për një fillim të ftohtë të dimrit në Britani, por mund të sjellë një fund më të butë.

Sipas shkenctarëve, edhe pse La Niña këtë vit është e dobët, ndikimi i ngrohjes ekstreme në Paqësorin Verior mund të ketë rol më të madh në formësimin e motit të ardhshëm në Europë.

The post Shkencëtarët të shqetësuar nga vala e nxehtësisë në Oqeanin Paqësor appeared first on Ditar.al.