Shtetasit nga Gjermania dhe Zvicra regjistrojnë mbi 32 mijë netëqëndrime në hotelet e Kosovës

Shtetasit nga Gjermania dhe Zvicra renditen ndër vizitorët e huaj që kanë qëndruar më së shumti në hotelet e Kosovës gjatë gushtit të këtij viti. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se të dyja vendet kanë një peshë të konsiderueshme në numrin e netëqëndrimeve të turistëve të huaj, shkruan albinfo.ch.
Gjatë gushtit 2026, vizitorët nga Gjermania regjistruan 22 mijë e 484 netëqëndrime në hotelet e Kosovës, ndërsa ata nga Zvicra shënuan 10 mijë e 19. Në total, nga këto dy vende u regjistruan 32 mijë e 503 netëqëndrime.
Krahasuar me gushtin e vitit 2025, numri i netëqëndrimeve nga Gjermania u rrit për 9 për qind, ndërsa ai nga Zvicra shënoi rënie prej 6 për qind, shkruan tutje albinfo.ch.
Ndërkohë, në numrin e vizitorëve, Gjermania regjistroi 10 mijë e 219 persona, kurse Zvicra 5 mijë e 633. Shqipëria printe me 12 mijë e 291 vizitorë dhe 26 mijë e 418 netëqëndrime, duke shënuar rritjen më të madhe të netëqëndrimeve ndër vendet e para të listës, me 64.7 për qind.
Në përgjithësi, vizitorët e huaj regjistruan 135 mijë e 740 netëqëndrime në hotelet e Kosovës gjatë gushtit 2026, apo 17.5 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit paraprak.
Të dhënat dëshmojnë për rëndësinë e tregjeve evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Zvicrën, për sektorin e hotelerisë në Kosovë gjatë sezonit veror./Albinfo.ch
The post Shtetasit nga Gjermania dhe Zvicra regjistrojnë mbi 32 mijë netëqëndrime në hotelet e Kosovës appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



