Sot votojnë të burgosurit, të sëmurët dhe personat e pafuqishëm, ndërsa në zgjedhjet lokale marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatura qytetare
Sot, një ditë para datës së caktuar për zgjedhjet lokale, votojnë të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, të sëmurët dhe të pafuqishmit, si dhe personat që ndodhen në shtëpitë e të moshuarve. Sipas Listës Zgjedhore, në institucionet ndëshkuese duhet të votojnë 2.162 të burgosur, më shumë në burgun në Idrizovë – 938, në burgun e […]


Sot, një ditë para datës së caktuar për zgjedhjet lokale, votojnë të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, të sëmurët dhe të pafuqishmit, si dhe personat që ndodhen në shtëpitë e të moshuarve. Sipas Listës Zgjedhore, në institucionet ndëshkuese duhet të votojnë 2.162 të burgosur, më shumë në burgun në Idrizovë – 938, në burgun e Shutkës 391, në burgun e Shtipit 237, ndërsa në burgun e Prilepit 119. Në shtëpitë e tyre do të votojnë edhe personat që janë në arrest shtëpiak dhe që janë paraqitur për të votuar, transmeton Portalb.mk.
Anëtarët e këshillave zgjedhorë sot duhet t’i vizitojnë në shtëpi 8.851 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm që kanë kërkuar dhe u është pranuar e drejta për të votuar. Në KQZ kanë arritur 9.217 kërkesa për votim në shtëpi, ndërsa janë pranuar 8.851. Në shtëpitë e të moshuarve do të votojnë 442 persona në vend të 450, pasi që numri është zvogëluar me tetë, pasi Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, siç njoftoi KSHZ disa ditë më parë, ka informuar se shtëpia e të moshuarve “Arija” është mbyllur.
Në vend nesër do të mbahen zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarët e komunave dhe këshillat komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Do të votohet në 3.474 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe për 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë, ose gjithsej për 10.490 kandidatë.
Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe qytetarësh, pra kandidatura të pavarura. Më shumë kandidatë për kryetar komune ka në Qytetin e Shkupit – 16.
Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.832.415 qytetarë, nga të cilët 1.717.803 në vend, ndërsa pjesa tjetër prej 112.000 janë të regjistruar në Listën e veçantë Zgjedhore të personave që janë shpërngulur nga shteti. Votim në diasporë për zgjedhjet lokale nuk ka, por nëse personat që jetojnë ose punojnë përkohësisht jashtë vendit kthehen në atdhe, do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Në Qytetin e Shkupit numri i përgjithshëm i votuesve është 474.304. Nga komunat, më shumë qytetarë me të drejtë vote ka në Kumanovë – 94.041, Gostivar – 82.893, Tetovë – 87.878, Manastir – 77.253, Aerodrom – 68.772, Strugë – 62.711 dhe Prilep – 62.053 votues. Ndërsa më pak ka në Lozovë – 1.905, Vevçan – 2.092, Novaci – 2.429, Konçe – 2.716 dhe Rankovcë – 2.921 votues.