SulejRama i Madhërishëm! Seriali që magjepsi Ballukun dhe pasqyron realitetin brenda PS-së
Pak ditë më parë, zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi para zv.Presidentit turk se kishte parë të gjitha seritë e serialit “Sulejmani i Madhërishëm”, që tregon historinë e jetës së sulltanit më jetëgjatë në krye të Perandorisë Osmane. Në dukje ishte thjesht një deklaratë pa ndonjë peshë politike, por një lloj servilizmi për t’i bërë qejfin zyrtarit […] The post SulejRama i Madhërishëm! Seriali që magjepsi Ballukun dhe pasqyron realitetin brenda PS-së appeared first on Ditar.al.

Pak ditë më parë, zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi para zv.Presidentit turk se kishte parë të gjitha seritë e serialit “Sulejmani i Madhërishëm”, që tregon historinë e jetës së sulltanit më jetëgjatë në krye të Perandorisë Osmane.
Në dukje ishte thjesht një deklaratë pa ndonjë peshë politike, por një lloj servilizmi për t’i bërë qejfin zyrtarit turk, i ndjerë në siklet nga fjalimi i Ballukut i mbushur me figura të telenovelave turke.
Por, në një vend si Shqipëria ku politika është gjithmonë një skenë teatrale, e mbushur me rivalitete, aleanca dhe ambicie për pushtet, është e vështirë të mos shohim një paralelizëm mes haremit të sulltanëve osmanë dhe partive politike në vendin tonë.
Në këtë rast, ajo që ndodh brenda Partisë Socialiste sot ngjan shpesh me ngjarjet që ndodhnin në Pallatin e Topkapisë, ku qëndronte Sulejmani i Madhërishëm.
Seriali tregon një pushtet pa kufij të Sulltanit Sulejman, intriga të brendshme mes shërbyesve të tij, tradhti për shkak të ambicieve për të qenë sa më afër pushtetit dhe betejën për mbijetesë.
Në këtë kuptim, Partia Socialiste, që prej vitesh është partia më e madhe dhe më e konsoliduar në vend, ngjan gjithnjë e më shumë me një pallat sulltanor, ku figurat e forta luftojnë për të ruajtur ndikimin e tyre dhe krijojnë pas tyre një grupe vartësish që u shërbejnë me “sy mbyllur”.
Vetëm se në këtë sistem sot, nuk kemi një sulltan, por një kryetar partie që vendos me dorë të hekurt fatet politike të kundërshtarëve dhe të njerëzve që deri dje i kishte afër, por sot i janë bërë armiq. Kujtojmë rastet Ahmetaj dhe Veliaj, që janë më të afërt.
E nëse Sulejmanin e Madhërishëm do ta krahasonim me Edi Ramën, sigurisht që Hyrremi i telenovelës do të duhej të ishte medoemos Belinda Balluku. Të dy përdorin forcën e pushtetit për të eleminuar politikisht çdo armik të brendshëm e të jashtëm të tyre.
Një pjesë shumë e rëndësishme që tregohet në serial është edhe aftësia për të mbijetuar, falë tradhtive dhe servilizmit. Personazhe që hyjnë si pozitivë, por frika, pasiguria dhe kërcënimi i pushtetit i kthen në negativë. A nuk ka ndodhur kështu edhe brenda Partisë Socialiste?
A nuk erdhi Partia Socialiste në pushtet me njerëz të rinj duke kërkuar të përmirësohej jeta e shqiptarëve? A nuk ishin Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali të rinj që protestonin për hallet e qytetarëve, por ku janë sot? Njëri në burg, e tjetra ministre por me shumë akuza mbi vete.
Sot Partia Socialiste i ngjan pikërisht atij pallatit të sulltanit, me struktura të forta, por që mban brenda vetes një pushtet të frikshëm të vetëm një personi, disa “vezirë” që luftojnë për të qëndruar sa më afër tij dhe shumë shërbëtorë të pushtetit, që kanë ulur kokën dhe përpiqen të mbijetojnë duke zbatuar çdo urdhër të “SulejRamës së Madhërishëm”.
Por seriali mbaroi, ndërsa Pallati Sulltanor (PS) vijon të drejtojë Shqipërinë!
The post SulejRama i Madhërishëm! Seriali që magjepsi Ballukun dhe pasqyron realitetin brenda PS-së appeared first on Ditar.al.