Takimi i radhës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pala bullgare: Nuk ka përparim

Tekstet e reja shkollore të lëndës Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë dhe të gjashtë kanë qenë temë e takimit të komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore, midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që u mbajt dje në Shkup, transmeton Portalb.mk.   “Gjatë takimit, pala maqedonase dorëzoi tekstet e […]

Takimi i radhës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pala bullgare: Nuk ka përparim
Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së

Tekstet e reja shkollore të lëndës Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë dhe të gjashtë kanë qenë temë e takimit të komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore, midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që u mbajt dje në Shkup, transmeton Portalb.mk.  

“Gjatë takimit, pala maqedonase dorëzoi tekstet e reja të lëndës Histori dhe Shoqëri për klasat e V-ta dhe VI-ta. Duke marrë parasysh realitetin e ri, u diskutua për qasjen dhe metodologjinë e ardhshme lidhur me shqyrtimin e këtyre teksteve. Diskutimi mbi këtë temë do të vazhdojë në takimin e radhës”, njoftoi ekipi i RMV-së në komision. 

Ndërkohë, mediat bullgare raportuan se nga takimi nuk ka pasur përparim.  

“Pavarësisht qëndrimit deklarativ të kolegëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për punë efikase të komisionit, u konfirmuan dallimet në kuptimin e natyrës së tij”, ka deklaruar për agjencinë BTA pala bullgare e komisionit. 

Gjatë takimit është nënshkruar procesverbali i mbledhjes së 31-të, ndërsa ka vazhduar harmonizimi i procesverbalit të mbledhjes së 32-të. 

“Theksojmë se ekipi maqedonas, përmes një qasjeje proaktive për ndërtimin e besimit, vazhdon të punojë për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, mbi bazën e respektit të ndërsjellë për të drejtën sovrane të secilës palë për perceptime të ndryshme mbi të kaluarën”, thuhet në njoftim. 

Takimi i ardhshëm i komisionit do të mbahet në gjysmën e parë të dhjetorit në Sofje. 

Komisioni i Përbashkët maqedono-bullgar për Çështje Historike dhe Arsimore është themeluar si rezultat i Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të nënshkruar më 1 gusht 2017.