Trump i jep Hungarisë përjashtim njëvjeçar nga sanksionet energjetike ndaj Rusisë
Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar Hungarinë për një vit nga sanksionet e vendosura ndaj blerjeve të naftës dhe gazit rus, ka konfirmuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për BBC News. Ky vendim vjen pasi më herët Trump kishte deklaruar se do të shqyrtonte një “opt-out” të mundshëm për kryeministrin hungarez Viktor Orbán, një […] The post Trump i jep Hungarisë përjashtim njëvjeçar nga sanksionet energjetike ndaj Rusisë appeared first on Ditar.al.
Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar Hungarinë për një vit nga sanksionet e vendosura ndaj blerjeve të naftës dhe gazit rus, ka konfirmuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për BBC News.
Ky vendim vjen pasi më herët Trump kishte deklaruar se do të shqyrtonte një “opt-out” të mundshëm për kryeministrin hungarez Viktor Orbán, një aleat i ngushtë politik i tij, i cili ka ruajtur marrëdhënie të mira me Moskën gjatë gjithë luftës në Ukrainë.
Gjatë vizitës së Orbán në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump u shpreh se përjashtimi ishte në shqyrtim, pasi për Hungarinë “është shumë e vështirë të sigurojë naftë dhe gaz nga rajone të tjera”.
Vendimi pason veprimin e SHBA-ve muajin e kaluar për të futur në listën e zezë dy nga kompanitë më të mëdha ruse të naftës, duke paralajmëruar sanksione për këdo që blen prej tyre.
Pas takimit, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó shkroi në platformën X se SHBA i kishte dhënë Budapestit “një përjashtim të plotë dhe të pakufizuar” nga sanksionet për naftën dhe gazin, por një zyrtar amerikan sqaroi më vonë për BBC se përjashtimi është i kufizuar në kohë dhe do të zgjasë vetëm një vit.
Ky është një fitore e madhe për Orbánin, i cili më herët kishte paralajmëruar se sanksionet do të rrënonin ekonominë hungareze.
Gjatë deklaratës publike, Trump u shpreh me mirëkuptim për pozitën e Hungarisë si vend pa dalje në det, i varur nga furnizimet me energji nga Rusia, por nuk dha një garanci të menjëhershme. Më vonë, megjithatë, u bë e qartë se përjashtimi ishte miratuar – një lëvizje që duket se bie ndesh me qëndrimin e ashpër që Trump kishte mbajtur vetëm dy javë më parë kundër atyre që bashkëpunojnë me kompanitë energjetike ruse.
Si pjesë e marrëveshjes, Hungaria ka pranuar të blejë disa qindra miliona dollarë gaz natyror nga SHBA, një vendim që pritet të shkaktojë reagime të ashpra në disa kryeqytete evropiane, të cilat prej kohësh kundërshtojnë qasjen pro-ruse të Budapestit.
Orbán, i njohur për qëndrimet e tij populiste dhe të ngjashme me retorikën e Trump-it mbi emigracionin dhe çështjet sociale, duket se ka përfituar trajtim të veçantë në prag të zgjedhjeve të vështira që pritet të mbahen në pranverën e ardhshme në Hungari.
Trump deklaroi se Hungaria përballet me sfida të veçanta logjistike për shkak të mungesës së daljeve detare, por shtoi se ishte “shumë i shqetësuar” për vendet e tjera evropiane që, sipas tij, vazhdojnë të blejnë mallra ruse pavarësisht se nuk janë të bllokuara gjeografikisht.
Nga ana e tij, Orbán mbrojti marrëdhëniet energjetike me Rusinë, duke theksuar se tubacionet nuk janë “as ideologjike, as politike”, por “një realitet fizik” për shkak të mungesës së porteve detare. Ai e ka përdorur këtë varësi si argument për të ruajtur lidhjet me Moskën dhe për të siguruar “energji të lirë ruse” për votuesit, një premtim që synon t’i sigurojë një mandat tjetër.
Gjatë takimit, Trump dhe Orbán diskutuan edhe për luftën në Ukrainë, takimi i tyre i parë zyrtar që nga rikthimi i Trump në pushtet, duke përfshirë mundësinë e negociatave me presidentin rus Vladimir Putin.
“Orbán e njeh shumë mirë Putinin… Mendoj se ai beson që do ta përfundojmë këtë luftë në një të ardhme jo të largët,” tha Trump.
Orbán, nga ana tjetër, deklaroi se vetëm SHBA dhe Hungaria “duan vërtet paqe në Ukrainë”, duke shtuar se “të gjitha qeveritë e tjera preferojnë vazhdimin e luftës sepse mendojnë se Ukraina mund të fitojë, gjë që është një keqkuptim”.
Kur Trump e pyeti nëse mendonte se Ukraina mund ta fitonte luftën, Orbán u përgjigj: “Epo, një mrekulli mund të ndodhë.”
Përveç çështjes së energjisë, industria e eksportit të automobilave në Hungari është goditur nga tarifat e Trump mbi mallrat evropiane, duke i shtuar presionet mbi një ekonomi tashmë të dobët.
Megjithë përplasjet e shpeshta me liderët e BE-së për çështje të emigracionit, demokracisë dhe sundimit të ligjit, Trump i bëri thirrje Evropës që “ta respektojë shumë fort këtë lider, sepse ka pasur të drejtë për emigracionin”.
The post Trump i jep Hungarisë përjashtim njëvjeçar nga sanksionet energjetike ndaj Rusisë appeared first on Ditar.al.
