Vendi sekret bërthamor i Iranit që vetëm bomba amerikane mund ta godasë

Pesë tunele të ndërtuara brenda një vargmali një strukturë e madhe mbështetëse dhe një perimetër i gjerë sigurie. Kjo është e gjitha që mund të shihni nga zona misterioze e pasurimit të uraniumit Fordow në Iran. Imazhet e fundit satelitore tregojnë këtë, raporton “CNN”. Kompleksi sekret dhe i ruajtur fortë, i ndërtuar pranë qytetit të [...]Read More...

Vendi sekret bërthamor i Iranit që vetëm bomba amerikane mund ta godasë

Pesë tunele të ndërtuara brenda një vargmali një strukturë e madhe mbështetëse dhe një perimetër i gjerë sigurie. Kjo është e gjitha që mund të shihni nga zona misterioze e pasurimit të uraniumit Fordow në Iran. Imazhet e fundit satelitore tregojnë këtë, raporton “CNN”.

Kompleksi sekret dhe i ruajtur fortë, i ndërtuar pranë qytetit të shenjtë të Qomit, ka nxitur spekulime për natyrën e vërtetë dhe madhësinë që kur së pari u bë publik në vitin 2009.

Një pjesë e asaj që dihet për të, vjen nga një grumbull dokumentesh iraniane të vjedhura vite më parë nga inteligjenca izraelite.

Sallat kryesore janë 80 deri 90 metra nëntokë – të sigurta nga çdo bombë ajrore që e zotëron Izraeli –  duke e bërë shkatërrimin e objektit nga ajri një detyrë pothuajse të pamundur.

Ndërsa udhëheqja e Iranit është tronditur nga një seri sulmesh shkatërruese izraelite, disa analistë thonë se është në Fordow aty ku Irani mund të nxitojë t’i shndërrojë rezervat e uraniumit të pasuruar në një bombë bërthamore.

Izraeli ka shënjestruar objektin ditëve të fundit, por sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), deri tash ose nuk ka qenë i gatshëm – ose ishte i paaftë – ta dëmtojë atë.

Teherani ka mbajtur prej kohës qëndrimin se objektivat e programit të tij bërthamor janë paqësore, por Fordow ka qenë në qendër të shqetësimeve për ambiciet e Iranit.

“Madhësia dhe konfigurimi i këtij objektit është në shpërputhje me një program paqësor”, kishte thënë në vitin 2009 presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, ndërsa përkrah presidentit të atëhershëm francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit të atëhershëm britanik Gordon Brown, zbuluan ekzistencën e Fordowit.

Vetëm disa ditë para njoftimit, iranianët, me sa duket duke qenë në dijeni se inteligjenca perëndimore kishte mësuar për objektin, i thanë IAEA-së për dëshirën e tyre për ta ndërtuar një objekt të ri për pasurim të karburantit. Në atë pikë, ndërtimi në Fordow kishte qenë në proces prej vitesh.

Teherani i kundërshtoi akuzat, por dënimi edhe nga aleatja Rusia dhe shqetësimet nga Kina, lanë pak hapësirë për të manovruar.

Ndërtimi nisi në fillim të viteve 2000

SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk kanë dhënë shumë detaje se kur filloi ndërtimi i Fordowit, por imazhet satelitore në dispozicion publik tregojnë se puna kishte nisur që nga viti 2004, me fotografi që zbulojnë dy struktura katrore të bardha ku ndodhen hyrjet e tunelit sot.

IAEA thotë se ka imazhe shtesë se tregojnë se ndërtimi nisi nga viti 2002.

“Fordow është në fakt një projekt që nisi në fillim të viteve 2000”, thotë David Albright, kreu i Institutit për Shkencë dhe Siguri Kombëtare me seli në Washington, një institucion jopartiak me synim për ta ndalur përhapjen e armëve bërthamore. “Ideja ishte që ata (iranianët) të prodhonin uranium të nivelit të armëve në atë uzinë dhe ta merrnin uraniumin të pasuruar dobët nga programi bërthamor civil në Iran”.

Në vitin 2009, një strukturë e madhe mbështetëse e jashtme ishte ndërtuar plotësisht dhe gërmimet po vazhdonin për atë që ekspertët besojnë se ishte një bosht ventilimi, thelbësor për të lejuar qarkullimin e ajrit në objekt. Ai bosht u fsheh dhe u kamuflua më vonë, tregojnë edhe imazhet e fundit satelitore.

Teherani ia shpjegoi IAEA-së në një letër, që daton nga tetori i vitit 2009, se vendimi për të ndërtuar objektin nëntokësor ishte rezultat i “kërcënimeve për sulme ushtarake kundër Iranit”, duke shtuar se Fordow do të shërbente si një eventualitet për uzinën e afërt Natanz, e cila, sipas pretendimit të tij “ishte ndër objektet e kërcënuara nga sulmet ushtarake”.

Irani i tha IAEA-së se objekti mund të mbante deri në 3000 centrifuga.