Vetëm gjatë vitit të kaluar, 10 mijë leje të lëshuara: Kush mund të blejë armë në Kosovë dhe si parashihen dënimet?
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se vetëm gjatë vitit të kaluar janë lëshuar mbi 10 mijë leje për mbajtje armësh, megjithatë situata mbetet alarmante edhe sa i përket numrit të armëve ilegale që qarkullojnë në vend. Incidentet e vazhdueshme me armë zjarri kanë vënë në pah vështirësitë e shtetit në kontrollin […] The post Vetëm gjatë vitit të kaluar, 10 mijë leje të lëshuara: Kush mund të blejë armë në Kosovë dhe si parashihen dënimet? appeared first on Albinfo.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se vetëm gjatë vitit të kaluar janë lëshuar mbi 10 mijë leje për mbajtje armësh, megjithatë situata mbetet alarmante edhe sa i përket numrit të armëve ilegale që qarkullojnë në vend.
Incidentet e vazhdueshme me armë zjarri kanë vënë në pah vështirësitë e shtetit në kontrollin dhe parandalimin e armëmbajtjes pa leje.
Ligji për Armët në Kosovë parasheh që një person fizik mund të kërkojë leje për blerje të armës nëse plotëson disa kushte, përfshirë moshën mbi 21 vjeç, aftësi të plota ligjore dhe psiko-fizike, testin teorik e praktik, si dhe të mos paraqesë rrezik për sigurinë publike, transmeton albinfo.ch.
Aplikuesi duhet gjithashtu të jetë shtetas i Republikës së Kosovës ose banor i përhershëm me qëndrim të lejuar dhe të deklarojë arsyen për blerjen e armës.
Edhe në rastet kur një person e posedon armën me leje, ajo mund të sekuestrohet apo konfiskohet në përputhje me ligjin në fuqi.
Sekuestrimi nënkupton pezullim të përkohshëm, ndërsa konfiskimi është pezullim i përhershëm me vendim të formës së prerë nga gjykata ose një organ tjetër kompetent. Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh masa të ashpra ndëshkimi për veprat penale që lidhen me armët, raporton KlanKosova.
Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme importon, eksporton, blen, furnizon, transporton, prodhon, shet apo ndërmjetëson në tregtimin e armëve, mund të dënohet me gjobë deri në 7.500 euro dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet.
Nëse vepra përfshin më shumë se katër armë apo 400 fishekë, dënimi parashihet nga 1 deri në 10 vjet burgim.
Për armëmbajtje pa leje, personat përballen me gjobë deri në 7.500 euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. Në rastet kur posedohen më shumë se katër armë ose mbi 400 fishekë, dënimi parashihet nga dy (2) deri në dhjetë (10) vjet burgim.
The post Vetëm gjatë vitit të kaluar, 10 mijë leje të lëshuara: Kush mund të blejë armë në Kosovë dhe si parashihen dënimet? appeared first on Albinfo.