Vija e verdhë’ e Izraelit në Gazë i jep Netanyahut hapësirë për manovrim
Nën planin e paqes së Donald Trump për Gazën, “vija e verdhë”, në të cilën Izraeli u tërhoq më herët këtë muaj – përbën fazën e parë nga tri tërheqje të planifikuara të ushtrisë izraelite. Aktualisht, kjo vijë i lë Izraelit kontrollin e rreth 53% të Rripit të Gazës. Një gazetë izraelite, Yedioth Ahronoth, e […] The post Vija e verdhë’ e Izraelit në Gazë i jep Netanyahut hapësirë për manovrim appeared first on Ditar.al.

Nën planin e paqes së Donald Trump për Gazën, “vija e verdhë”, në të cilën Izraeli u tërhoq më herët këtë muaj – përbën fazën e parë nga tri tërheqje të planifikuara të ushtrisë izraelite. Aktualisht, kjo vijë i lë Izraelit kontrollin e rreth 53% të Rripit të Gazës.
Një gazetë izraelite, Yedioth Ahronoth, e përshkroi atë si “praktikisht kufiri i ri” në Gazë, një deklaratë që kënaq partnerët e krahut të djathtë ekstrem në koalicionin e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Fortifikimet dhe shenjat që Izraeli po ndërton përgjatë kësaj vije synojnë të ndajnë qartë territorin. Por ato gjithashtu mund të ndihmojnë në mjegullimin e pritshmërive të ndryshme që kanë aleatët e Netanyahut në Uashington dhe në politikën e brendshme izraelite.
Sa kohë do të mundet Netanyahu t’i mbajë të dyja palët të kënaqura, varet kryesisht nga faza e ardhshme e negociatave.
Vija e verdhë është një kufi i përkohshëm, por tërheqja e mëtejshme e forcave izraelite varet nga zgjidhja e çështjeve të vështira të përfshira në fazën e dytë të marrëveshjes së Trump, përfshirë transferimin e pushtetit në Gaza dhe çarmatimin e Hamasit.
Uashingtoni është i interesuar që asgjë të mos rrezikojë këtë fazë delikate. Në këtë kontekst, Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance mbërriti në Izrael të martën për të shtyrë Netanyahun drejt rifillimit të bisedimeve të paqes. Ndërkohë, negociatorët e Trumpit – Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan me kryeministrin izraelit të hënën.
Gazetat izraelite kanë raportuar se Netanyahu po merr një mesazh të fortë nga aleatët amerikanë: “tregohu i përmbajtur” dhe mos e rreziko armëpushimin.
Kur Izraeli akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të dielën – duke vrarë dy ushtarë, ministri i Sigurisë Kombëtare nga e djathta ekstreme kërkoi një reagim të qartë me vetëm një fjalë: “Luftë”.
Por në vend të kësaj, Izraeli ndërmori një valë të shkurtër, por intensive, sulmesh ajrore dhe më pas rifilloi armëpushimin, duke u kujdesur të theksonte se trupat izraelite ishin sulmuar brenda vijës së verdhë – një përpjekje për t’i treguar Uashingtonit se nuk kishte thyer rregullat e marrëveshjes.
Netanyahu ka deklaruar se lufta nuk do të përfundojë pa u çmontuar plotësisht Hamasi – çarmatimi i tij dhe demilitarizimi i plotë i Gazës janë kushtet që ai ka vendosur.
Por shumë komentatorë izraelitë po theksojnë se vendimet e vërteta mbi veprimet ushtarake në Gaza tashmë po merren në Uashington.
Vija e verdhë – dhe sfidat që përmban faza e dytë e marrëveshjes – janë pjesë e arsyes pse partnerët e krahut të djathtë në koalicionin qeverisës të Netanyahut nuk kanë realizuar ende kërcënimin për rrëzimin e qeverisë së tij.
Ëndrra e shumë kolonëve ekstremistë – përfshirë disa ministra – është që faza e dytë e procesit të dështojë, që vija e verdhë të bëhet kufiri de facto, dhe kështu të hapet rruga për ndërtimin e vendbanimeve të reja në tokën e Gazës. Disa nga elementët më radikalë kërkojnë që Izraeli të aneksojë të gjithë Rripin e Gazës.
Shumica dërrmuese e izraelitëve duan një fund për luftën dhe kthimin në shtëpi të trupave të pengjeve dhe ushtarëve të tyre.
Por kryeministri izraelit njihet si një politikan që pëlqen t’i mbajë opsionet e hapura për aq kohë sa të jetë e mundur – dhe kjo është një marrëveshje me faza, me kushte të ndërlikuara.
Pajtimi me fazën e parë nënkuptonte tërheqjen në pozicione që lënë Izraelin me kontrollin e më shumë se gjysmës së Gazës, dhe nënshkrimin e një armëpushimi për të kthyer pengjet në shtëpi.
Nga ky moment e tutje, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të përputhen qëllimet e aleatëve amerikanë dhe atyre izraelitë të brendshëm.
Netanyahu ka përsëritur se shkeljet e marrëveshjes nga Hamasi – përfshirë dështimin për t’u çarmatosur – do t’i japin Izraelit të drejtën të rikthehet në luftë.
“Nëse kjo arrihet në mënyrë të lehtë, aq më mirë,” i tha ai publikut izraelit në fillim të muajit. “Nëse jo, do të arrihet në mënyrën e vështirë.”
Donald Trump ka shprehur të njëjtin qëndrim. Por deri më tani, Uashingtoni ka treguar tolerancë për vonesat dhe shkeljet në zbatimin e marrëveshjes në terren – gjë që ia kufizon shumë më tepër hapësirën politike Netanyahut sesa ai do të dëshironte./CNN
The post Vija e verdhë’ e Izraelit në Gazë i jep Netanyahut hapësirë për manovrim appeared first on Ditar.al.