V’ritet në Ksamil një 20-vjeçar nga Franca, u gjet i vdekur në shezlongët e plazhit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Ksamil, ku një 20-vjeçar francez dyshohet se është vrarë me thikë në shezlongët e plazhit, para një lokali.
Siç raporton A2CNN, autori i dyshuar është shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes. Sipas Policisë së Sarandës konflikti ka nisur për motive të dobëta.
“Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë). Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



