Zvicër, kosovari mashtroi autoritetet se ishte francez me dokumenta falso !

Një shtetas i Kosovës ka arritur të mashtrojë disa institucione zvicerane duke u paraqitur si shtetas francez, përmes përdorimit të një dokumenti udhëtimi që i përkiste një personi tjetër. Me këtë identitet të rremë, ai arriti të regjistronte dy kompani në Cyrih dhe të siguronte një leje për punë ndërkufitare në Gjenevë.
Rasti ka nisur në rajonin Horgen, në bregun e majtë të Liqenit të Cyrihut, ku kosovari kishte paraqitur një dokument udhëtimi francez dhe kishte arritur të bindte autoritetet lokale se ishte shtetas i Francës.
Sipas urdhrit penal të Prokurorisë Limmattal/Albis, i cili tashmë ka marrë formë të prerë, burri kishte përdorur një dokument udhëtimi francez për persona pa shtetësi, që i përkiste një personi tjetër. Duke përdorur këtë identitet, ai arriti të regjistronte një biznes individual në Regjistrin Tregtar të Cyrihut, ku figuroi zyrtarisht si shtetas francez.
Por mashtrimi nuk përfundoi me kaq. Kosovari iu drejtua edhe Zyrës së Migracionit në Gjenevë, e cila nuk e zbuloi identitetin e tij të vërtetë dhe i lëshoi një leje për punë ndërkufitare. Për gati një vit, ai punoi si pastrues, duke siguruar të ardhura mujore prej rreth 3.000 frangash zvicerane.
Më vonë, burri u kthye në rajonin e Cyrihut, ku themeloi edhe një kompani tjetër. Përmes një dokumenti të noterizuar, ai arriti ta regjistronte edhe këtë biznes në Regjistrin Tregtar, sërish duke u paraqitur si francez. Në një fazë tjetër, një partner biznesi paraqiti në emër të tij kërkesë për ndryshimin e punëdhënësit pranë Zyrës së Migracionit në Cyrih.
Edhe kjo kërkesë u miratua, pa u zbuluar se personi në fjalë ishte shtetas i Kosovës.Identiteti i tij i vërtetë u zbulua rreth gjashtë muaj pas mashtrimit të fundit. Ai u arrestua në Cyrih, në të njëjtën ditë kur kishte hyrë në Zvicër përmes Gjenevës.
Prokuroria Limmattal/Albis e dënoi shtetasin kosovar me një dënim në të holla me kusht prej 4.500 frangash zvicerane, me një periudhë prove prej dy vjetësh.Përveç këtij dënimi, ai u obligua të paguante edhe rreth 1.700 franga të tjera në gjoba dhe detyrime financiare.
/urgjent
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



