Zvicra kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për të ngrënë në restorant

Zvicra rezulton të jetë vendi më i shtrenjtë në Evropë për të ngrënë në restorante, sipas një analize të portalit të udhëtimeve Ferrygogo. Një darkë me tri pjata për dy persona kushton mesatarisht rreth 113 euro, ndërsa mesatarja evropiane është rreth 56 euro, transmeton albinfo.ch.
Kjo do të thotë se një darkë e tillë në Zvicër kushton më shumë se dyfishin e mesatares së vendeve evropiane. Diferenca është edhe më e dukshme në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit.
Cyrihu dhe Gjeneva renditen ndër destinacionet më të shtrenjta për ushqim në restorante, me një kosto mesatare prej rreth 123 euro për dy persona për një menu me tri pjata.
Edhe në qytete të tjera çmimet janë të larta. Në Lugano, një darkë me tri pjata për dy persona kushton mesatarisht rreth 135 franga, ndërsa në restorante më të shtrenjta fatura mund të arrijë deri në 181 franga. Në Zug, një darkë për dy persona në restorante të kategorisë më të lartë mund të kushtojë deri në rreth 226 franga.
Të dhënat e platformës Numbeo tregojnë gjithashtu se një vakt me tri pjata për dy persona në një restorant të kategorisë mesatare në Zvicër kushton mbi 100 franga.
Ndër faktorët që ndikojnë në çmimet e larta janë standardi i lartë i jetesës, pagat më të larta, kostot e personelit dhe shpenzimet e përgjithshme të operimit të restoranteve.
Ndërkohë, një vakt i thjeshtë për një person në Zvicër kushton rreth 25 franga, duke e bërë ngrënien jashtë dukshëm më të shtrenjtë krahasuar me shumë vende të tjera evropiane./Albinfo.ch
The post Zvicra kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për të ngrënë në restorant appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



