17 të arrestuar për shkatërrim të mjedisit me punimet që kryen përreth “Drinit të Bardhë”
Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje në lidhje me aksionin në regjionin e Prizrenit, përkatësisht në 14 lokacione kundër degradimit të mjedisit, ku janë arrestuar 17 persona. Sipas Prokurorisë, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 38 automjete të kryerjes së veprës penale, përfshirë nëntë kamionë, 14 eskavatorë, 15 makineri seperimi si dhe prova të tjera

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje në lidhje me aksionin në regjionin e Prizrenit, përkatësisht në 14 lokacione kundër degradimit të mjedisit, ku janë arrestuar 17 persona.
Sipas Prokurorisë, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 38 automjete të kryerjes së veprës penale, përfshirë nëntë kamionë, 14 eskavatorë, 15 makineri seperimi si dhe prova të tjera materiale, ku thuhet se “vlera totale e sekuestrimit është 1 milion e 950 mijë euro”.
“Të pandehurit, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi nga muaji shkurt 2025 deri më datë 04.06.2025, në regjionin e Prizrenit përreth lumit ”Drini i Bardhë”, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe shfrytëzojnë jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr. Me këto veprime secili veç e veç ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 të KPRK-së”.
“Po ashtu, të njëjtit, nga veprimet e lartëcekura shkatërrojnë rrjedhën e lumit nga nxerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast shkaktojnë rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të KPRK- së”, thuhet në njoftim.
Tutje, Prokuroria bëri të ditur se gjatë zhvillimit të aksionit, njëri nga të pandehurit ka penguar zyrtarët policorë, ku ka kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, kurse një i pandehur tjetër ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Shtatëmbëdhjetë (17) të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Departamenti i Përgjithshëm, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhet në njoftim.