Abdixhiku e tha më në fund: Më mirë vonë se kurrë

Abdixhiku e tha më në fund: Më mirë vonë se kurrë

Shkruan: Xhevdet Mazrekaj

Abdixhiku e tha më në fund: Më mirë vonë se kurrë

Distancimi nga Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe nga përpjekjet për ta orientuar LDK-në drejt një blloku me PDK-në mund të shënojë fillimin e një kthese. Por deklaratat duhet të pasohen me veprime politike.

Intervista e fundit e Lumir Abdixhikut nuk ishte vetëm një paraqitje e zakonshme televizive. Për herë të parë, kryetari i LDK-së foli kaq hapur për atë që, sipas tij, po ndodh prapa skenës: për përpjekjet e Baton Haxhiut dhe Berat Buzhalës që të ndikojnë te deputetët e LDK-së, për ta rrëzuar marrëveshjen politike dhe për ta orientuar partinë drejt zgjedhjeve të reja.

Abdixhiku pretendoi se Haxhiu dhe Buzhala takohen me deputetë të LDK-së dhe përpiqen të ndikojnë në përcaktimin e tyre politik. Këto janë akuza të tij, të cilat të apostrofuarit kanë të drejtë t’i kundërshtojnë, por rëndësia politike e deklaratës nuk mund të shpërfillet.

Pyetja është: pse Abdixhiku vendosi të flasë pikërisht tani?

Këto rrethana ai sigurisht nuk i ka zbuluar brenda një nate. Ndikimet mediatike dhe politike rreth LDK-së kanë qenë të dukshme prej vitesh. Ndoshta kriza e krijuar brenda partisë dhe kundërshtimi i gjashtë deputetëve ndaj marrëveshjes e kanë detyruar të flasë. Ndoshta ka kuptuar se heshtja po bëhej më e rrezikshme sesa përplasja e hapur.

Sido që të jetë, më mirë vonë se kurrë.

Një dyshim që e ka dëmtuar Abdixhikun

Për një pjesë të elektoratit tradicional të LDK-së, Baton Haxhiu nuk është thjesht gazetar apo drejtues emisionesh televizive. Emri i tij lidhet me një periudhë të gjatë përplasjesh politike dhe mediatike me Ibrahim Rugovën dhe me krahun politik që ai përfaqësonte.

Kjo është arsyeja pse çdo afërsi e figurave të LDK-së me Haxhiun është parë me dyshim nga një pjesë e elektoratit rugovist.

Në opinion kishte qarkulluar edhe një fotografi e Lumir Abdixhikut me Baton Haxhiun. Pavarësisht rrethanave reale në të cilat ishte realizuar ajo, fotografia kishte ushqyer dyshimin se mes tyre mund të ekzistonte një afërsi që nuk bëhej publike.

Deklaratat e fundit të Abdixhikut mund ta zbehin këtë perceptim. Duke e akuzuar publikisht Haxhiun për ndërhyrje te deputetët e partisë, ai u distancua prej tij në mënyrën më të drejtpërdrejtë deri më sot.

Kjo mund të ketë rëndësi më të madhe sesa duket, sepse në politikë nuk mjafton vetëm ajo që ndodh: rëndësi ka edhe mënyra se si një marrëdhënie perceptohet nga elektorati.

Ajo që Kurti e kuptoi më herët

Më 30 mars 2024, në shkrimin tim “Rilindja e elektoratit në Kosovë: Rrëfimi i rritjes së Albin Kurtit dhe sfidat e brendshme të LDK-së”, kisha ngritur pikërisht këtë çështje.

Teza ime ishte se rritja e Vetëvendosjes nuk mund të shpjegohej vetëm me pakënaqësinë ndaj partive të vjetra apo me programin e saj politik. Një rol kishte luajtur edhe mënyra se si Albin Kurti ishte pozicionuar ndaj Baton Haxhiut, PDK-së dhe strukturave që elektorati tradicional i LDK-së i konsideronte të papranueshme.

Kurti kishte refuzuar të sillej sipas rregullave të një pjese të establishmentit politik dhe mediatik. Qëndrimet e tij të drejtpërdrejta ndaj Haxhiut dhe refuzimi i një koalicioni me PDK-në i krijuan një pjese të publikut bindjen se ai nuk kontrollohej nga qendrat e vjetra të ndikimit.

Në të njëjtën kohë, figura të rëndësishme të LDK-së paraqiteshin rregullisht në emisionet e Baton Haxhiut. Për elektoratin që e kujtonte mënyrën se si ishte trajtuar Ibrahim Rugova nga kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë, kjo nuk ishte vetëm çështje e një paraqitjeje televizive. Ishte çështje e identitetit politik dhe e besimit.

Kjo mund të ketë ndihmuar që një pjesë e elektoratit rugovist, e zhgënjyer nga drejtimi i LDK-së, të shihte te Kurti një alternativë më të pranueshme. Nuk ka matje që të tregojë saktësisht sa votues kanë lëvizur për këtë arsye, por rezultatet dëshmojnë ndryshimin e madh elektoral: Vetëvendosja mori 27,49 për qind dhe 32 mandate në zgjedhjet e vitit 2017, ndërsa në vitin 2021 arriti një fitore historike.

Pra, Kurti nuk mori vetëm vota nga e majta. Ai depërtoi edhe në një hapësirë elektorale që tradicionalisht kishte qenë e LDK-së.

Kundërshtimi i koalicionit me PDK-në nuk të bën domosdoshmërisht përkrahës të Kurtit

Brenda dhe rreth LDK-së vazhdon të ekzistojë një keqkuptim: kush kundërshton afrimin me PDK-në, shpallet menjëherë përkrahës i Albin Kurtit.

Kjo është e gabuar.

Ka shumë qytetarë që nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të ndonjë partie, që mund ta kritikojnë Kurtin dhe Vetëvendosjen, por që njëkohësisht e kundërshtojnë një koalicion LDK–PDK. Për ta, kjo nuk është çështje simpatie ndaj një lideri, por çështje e historisë politike dhe e identitetit të LDK-së.

Një pjesë e elektoratit rugovist e lidh PDK-në dhe rrethin e saj politik me përplasjet e rënda të pasluftës, me gjuhën kundër Ibrahim Rugovës dhe me plagët që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Prandaj, çdo përpjekje për ta shtyrë LDK-në drejt PDK-së mund ta largojë edhe më shumë këtë elektorat.

Në këtë kuptim, distancimi i Abdixhikut nga Haxhiu dhe Buzhala mund të lexohet edhe si distancim nga një projekt politik që synon krijimin e një blloku kundër Kurtit, në të cilin LDK-ja do ta humbiste identitetin e vet dhe do të shërbente vetëm si numër parlamentar.

Çfarë përfaqësojnë gjashtë deputetët?

Gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtim Shala. Vetë Abdixhiku ka thënë se qëndrimi i tyre rrezikon ta dërgojë vendin në zgjedhje.

Në opinion kanë qarkulluar edhe pretendime se ky krah mund të organizohet si një grup i veçantë politik, madje se rreth tij mund të pozicionohet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Deri tani, këto mbeten spekulime dhe nuk duhet të paraqiten si fakt i kryer.

Por pyetja politike është legjitime: a përfaqësojnë këta deputetë vetëm një mospajtim për kandidatin për president, apo një orientim tjetër strategjik brenda LDK-së?

Nëse është vetëm votë kundër një marrëveshjeje, përplasja mund të kapërcehet. Nëse prapa saj qëndron synimi për ta orientuar LDK-në drejt një blloku me PDK-në dhe partitë e tjera opozitare, atëherë kemi të bëjmë me një betejë shumë më të madhe për identitetin dhe të ardhmen e partisë.

Një mundësi për rikthimin e besimit

Deklaratat e Abdixhikut mund të shënojnë një kthesë, por vetëm nëse shoqërohen me veprime.

Elektorati nuk bindet më vetëm me intervista. Ai do të shohë nëse LDK-ja do ta ruajë pavarësinë politike, nëse do t’u rezistojë ndikimeve të grupeve mediatike dhe politike jashtë strukturave të saj dhe nëse do të refuzojë të shndërrohet në shtojcë të PDK-së apo të ndonjë blloku të ndërtuar vetëm kundër Kurtit.

Abdixhiku tani ka mundësinë të tregojë se LDK-ja mund të bashkëpunojë për interesat shtetërore pa humbur identitetin e saj. Marrëveshja për presidentin nuk duhet të interpretohet automatikisht si koalicion me Vetëvendosjen. Po kështu, kundërshtimi i një koalicioni me PDK-në nuk do të thotë nënshtrim ndaj Kurtit.

LDK-ja mund dhe duhet ta ketë rrugën e saj.

Nëse Abdixhiku e ka kuptuar se një pjesë e elektoratit të humbur mund të rikthehet vetëm përmes një ndarjeje të qartë nga ndikimet që e kanë dëmtuar partinë, atëherë intervista e tij mund të jetë fillimi i një rikthimi.

Nëse deklaratat ishin vetëm reagim i përkohshëm ndaj krizës së brendshme, atëherë gjithçka mund të harrohet sapo të përfundojë beteja për presidentin.

Megjithatë, fakti që ai foli ka rëndësi. Tha publikisht diçka që shumë votues të LDK-së e kanë menduar prej vitesh.

Tani mbetet ta dëshmojë me veprime.

Më mirë vonë se kurrë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.