ANALIZË: Ekonomia me dhe pa syze “rozë”, vlerësimet e KE-së kundrejt vlerësimeve të Qeverisë së RMV-së dhe ekonomistëve
Komisioni Evropian i analizoi me saktësi “kirurgjikale” dobësitë e ekonomisë në të gjitha segmentet, duke vënë në dukje dobësitë në financat publike. Qeveria nuk sheh dobësi, ekspertët ekonomikë në “vijë” të njëjtë me KE-në, paralajmërojnë për rreziqe fiskale, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. I njëjti raport, dioptri të ndryshme me të cilat lexohet dhe […]

Komisioni Evropian i analizoi me saktësi “kirurgjikale” dobësitë e ekonomisë në të gjitha segmentet, duke vënë në dukje dobësitë në financat publike. Qeveria nuk sheh dobësi, ekspertët ekonomikë në “vijë” të njëjtë me KE-në, paralajmërojnë për rreziqe fiskale, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
I njëjti raport, dioptri të ndryshme me të cilat lexohet dhe vlerësohet ai.
Progres “i kufizuar” ekonomik, në rrezik inflacioni, me konsolidim të ngadaltë fiskal, deficit i thelluar buxhetor, borxh i lartë publik dhe realizim i pamjaftueshëm i shpenzimeve kapitale. Brukseli i drejtoi Qeverisë vërejtje të sakta dhe të synuara. Madje vihet re edhe transparenca e pamjaftueshme e financave publike dhe shkalla e ulët e zbatimit të Programit për reformë të menaxhimit të financave publike.
Në Raportin e përgjithshëm, Kryeministri Hristijan Mickoski nuk pa asnjë vlerësim për regres, e konkretisht në pjesën ekonomike, sipas tij, kemi edhe inkurajim.
“Raporti vëren se në disa fusha ka pasur njëfarë progresi ose progres të kufizuar. Nuk ka fusha konkrete ku ka regres, ndërsa në katër kapituj është regjistruar përparim i mirë. Në një kapitull, Lëvizja e Lirë e Kapitalit, madje është rritur niveli i përgatitjes, falë inkuadrimit në SEPA dhe zbatimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. “Komisioni i mirëpret hapat e bërë në ekonomi”, tha Mickoski.
Komisioni Evropian i ka vënë në dukje me saktësi “kirurgjikale” pozicionet ekonomike të vendit dhe pothuajse nuk ka asnjë segment ekonomik, veçanërisht në fushën e financave publike, për të cilin nuk kemi vërejtje. Ja ato që janë kryesore:
Borxhi publik: Edhe pse pjesa e borxhit të jashtëm në borxhin publik ka qenë në rënie në pesë vitet e fundit (-5,7 pikë përqindjeje), ai mbetet i lartë, në 55,6%.
Treguesit financiarë dhe buxhetorë: Përgatitjet në kuadër të këtij kapitulli janë në fazë të hershme. Gjatë periudhës raportuese u arrit përparim i kufizuar. Llogaritë kombëtare dhe llogaritjet e PBB-së duhet të harmonizohen më tej me legjislacionin e BE-së.
Menaxhimi i financave publike: Shkalla e zbatimit të Programit të reformës së menaxhimit të financave publike (PFMRP) 2022-2025 mbeti relativisht e ulët. Ministria e Financave vazhdon të përballet me sfida në aspektin e kapacitetit institucional, veçanërisht në tërheqjen dhe mbajtjen e stafit me aftësitë dhe kualifikimet adekuate.
Deficiti buxhetor dhe bilanci fiskal: Buxheti i vitit 2025 nuk është në përputhje me rregullin e ri të deficitit, zbatimi i të cilit është shtyrë për vitin 2027, një vit më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të eliminuar përjashtimet nga tatimet. Ende nuk e ka miratuar propozim-ligjin për partneritetet publiko-private.
Besueshmëria e buxhetit: Ka pasur përmirësim falë funksionalizimit të Këshillit Fiskal dhe monitorimit të përmirësuar të rreziqeve fiskale. Megjithatë, ende ka devijime në parashikimin makro-fiskal. Lidhja midis prioriteteve strategjike dhe programeve buxhetore duhet të forcohet më tej.
Rrogat dhe pensioneve: Rrogat në sektorin publik u rritën gjatë vitit mbi mjetet e planifikuara fillimisht në buxhet, ndërsa pensionet u rritën në shtator të vitit 2024 dhe përsëri në mars të vitit 2025, në mënyrë lineare, e jo përmes indeksimit.
Ekonomia gri: “Ekonomia joformale mbetet e konsiderueshme dhe kërkon një reagim të koordinuar nga institucionet, veçanërisht në shërbimet e inspektimit dhe autoritetet fiskale”, thuhet në raport.
Shpenzimet kapitale: Ekzekutimi i shpenzimeve kapitale të planifikuara vazhdon të vuajë nga menaxhimi i dobët i investimeve publike. Përpjekjet për të formalizuar ekonominë joformale kanë ngecur
Inflacioni: Politikat fiskale ekspansioniste e kanë zvogëluar hapësirën fiskale dhe rrezikojnë të rrisin presionet mbi çmimet e brendshme, e nëpërmjet kufizimeve të përkohshme të çmimeve për kategoritë kryesore të ushqimit dhe kufizimeve në marzhat e fitimit të shitësve me pakicë, qeveria ka kontribuar në paqëndrueshmërinë e inflacionit.
Transparencë: Ministria e Financave vazhdoi përpjekjet e saj për të përmirësuar transparencën buxhetore duke publikuar të dhëna tremujore mbi të ardhurat dhe shpenzimet e institucioneve publike, vetëqeverisjeve lokale dhe ndërmarrjeve shtetërore. Megjithatë, transparenca buxhetore në Maqedoninë e Veriut mbetet e kufizuar.
Sipas Komisionit Evropian, rekomandimet e trajtuara vitin e kaluar nuk janë zbatuar plotësisht dhe për këtë arsye mbeten kryesisht të vlefshme – në pritje të përmbushjes.
“Vitin e ardhshëm, RMV-ja duhet ta miratojë në veçanti legjislacionin e mbetur për zbatimin e ligjit organik të buxhetit dhe të sigurojë pajtueshmërinë me rregullat fiskale, duke përfshirë edhe miratimin e masave shtesë për të rritur të ardhurat dhe për të kontrolluar shpenzimet aktuale… ”, thanë, ndër të tjera, nga Brukseli.
Ekonomistët nga “Finance Think” theksojnë se vërejtjet dhe rekomandimet janë të justifikuara.
“Raporti paraqet një pasqyrë realiste të mungesës së vazhdueshme të progresit në disa pika kritike të reformave për ekonominë maqedonase. Pa zbatimin e rregullave fiskale, rritja e shpenzimeve aktuale mbetet e pakontrolluar. Skema e planifikimit dhe ristrukturimit të buxhetit (rritja e shpenzimeve për rrogat dhe pensionet dhe zvogëlimi i shpenzimeve kapitale) duhet të braktiset gjatë vitit”, thuhet në vlerësimin e “Finance Think”.
Përndryshe, më 4 nëntor u publikua Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në.
