Andonovski: Pas 8 vitesh vakum, RMV me Strategji kombëtare për TIK “SMART/MK 2030”

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot prezantoi Strategjinë e re Kombëtare për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit – “SMART/MK 2030”, me të cilën Maqedonia, pas tetë vitesh ka plan modern dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin digjital, transmeton Portalb.mk. “Ky dokument është një udhërrëfyes se si vendi ynë do ta arrijë të ardhmen e tij digjitale […]

Andonovski: Pas 8 vitesh vakum, RMV me Strategji kombëtare për TIK “SMART/MK 2030”
Stefan Andonovski, Foto: Ministria e Transformimit Digjital

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot prezantoi Strategjinë e re Kombëtare për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit – “SMART/MK 2030”, me të cilën Maqedonia, pas tetë vitesh ka plan modern dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin digjital, transmeton Portalb.mk.

“Ky dokument është një udhërrëfyes se si vendi ynë do ta arrijë të ardhmen e tij digjitale – në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane për Dekadën Digjitale 2030, por edhe me vizionin dhe nevojat maqedonase”, theksoi ministri Andonovski.

“SMART/MK 2030” është një dokument kombëtar, pjesë e një agjende më të gjerë digjitale evropiane për zhvillim. Si vend kandidat, Maqedonia pranon kornizën e Dekadës Digjitale Evropiane, e cila parashikon katër qëllime deri në vitin 2030:

  • qytetarë të trajnuar digjitalisht dhe ekspertë të kualifikuar të TIK-ut,
  • infrastrukturë e sigurt dhe e lidhur,
  • shërbime publike të digjitalizuara,
  • biznese të integruara digjitalisht.

“Strategjia jonë ndjek drejtpërdrejt këto prioritete evropiane. Ajo forcon konvergjencën institucionale me shtetet anëtare, krijon mundësi për pjesëmarrje në programet digjitale evropiane dhe mundëson qasje në instrumente financiare dhe ndihmë teknike nga Bashkimi Evropian. Me të, ne bëhemi pjesë aktive e komunitetit digjital evropian – si një partner që kontribuon me njohuritë, zgjidhjet dhe inovacionet e veta”, tha ministri Andonovski.

Kjo strategji është rezultat i një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës. U mbajtën dhjetëra dëgjime publike dhe konsultime online. Mbi 300 ekspertë, institucione, oda ekonomike, OJQ, universitete dhe përfaqësues nga industria e TIK-ut u përfshinë në përgatitjen e saj.

“Çdo rekomandim, çdo masë dhe çdo prioritet buron nga një konsensus i përbashkët – si të ndërtojmë një Maqedoni digjitale që bashkon të gjithë sektorët e shoqërisë”, përfundoi Andonovski.

Strategjia shoqërohet nga një Plan Veprimi, i cili e përkthen vizionin në hapa konkretë. Fokusi është në zbatimin e shpejtë, tregues të qartë dhe vlerësim të vazhdueshëm.

Kujtojmë se më 14 tetor, ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski prezantoi projektin “Vezilka” – Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale, të cilin e vlerësoi si një projekt kapital me rëndësi historike për transformimin digjital të vendit.

Projekti, vlera totale e të cilit është rreth gjashtë milionë euro, po zbatohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Transformimit Digjital dhe FINKI, e cila është udhëheqëse e projektit.

Qendra Vezilka do të funksionojë si degë e fabrikës evropiane IA Pharos, me seli në Greqi, e cila do t’u ofrojë studiuesve, kompanive dhe startup-eve maqedonase qasje në superkompjuterët evropianë dhe hapësirat e të dhënave të përparuara.