Asnjë deputet në RMV nuk i tha “jo” ligjit që fsheh emetimet industriale
Në Parlamentin e Maqedonisë, në mes të fushatës zgjedhore të këtij shtatori, ndodhi diçka që duhet të mbahet mend: nga 98 deputetë të pranishëm, asnjë nuk votoi kundër Ligjit për kontrollin e emetimeve industriale. Kjo është hera e parë që një institut “sekret tregtar” është futur në një ligj që rregullon një fushë delikate që […]

Në Parlamentin e Maqedonisë, në mes të fushatës zgjedhore të këtij shtatori, ndodhi diçka që duhet të mbahet mend: nga 98 deputetë të pranishëm, asnjë nuk votoi kundër Ligjit për kontrollin e emetimeve industriale. Kjo është hera e parë që një institut “sekret tregtar” është futur në një ligj që rregullon një fushë delikate që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe mjedisin tonë, reaguan nga Qyteti i Gjelbër Human, transmeton Portalb.mk.
“Me një lëvizje, të gjithë deputetët – si ata që votuan ashtu edhe ata që heshtën – i mundësuan ndotësve të fshehin informacionin në lidhje me proceset që zbatojnë, materialet dhe lëndët e para që përdorin dhe pasojat që shkaktojnë në jetën tonë. Për t’i shtuar kripë plagës, teksti i ligjit u mirëprit dhe u mbështet nga “Usje” dhe “Makstil”. Kjo në vetvete tregon se për kë është shkruar dhe në interes të kujt është miratuar”, thonë nga kjo iniciativë.
“Sekret tregtar”, thonë nga Qyteti i Gjelbër, deri më tani ka ekzistuar vetëm në Ligjin për duhanin dhe produktet e duhanit, ku lista e emetimeve nga secila markë cigareje konsiderohet sekret.
“I njëjti lob i duhanit luftoi për vite me radhë për të fshehur të vërtetën se cigaret shkaktojnë kancer. Mijëra jetë të shuara para kohe më vonë, e vërteta është bërë publike. Sot, ligjvënësit tanë po bëjnë të njëjtën gjë, duke legalizuar ndotjen ndërsa fshihen pas “standardeve evropiane”. Në një vend me shkallën më të lartë të incidencës dhe vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive në rajon, në vend të transparencës, marrim errësirë. Në vend të mbrojtjes së shëndetit tonë, marrim mbrojtje për interesat industriale. Qyteti i gjelbër human vazhdon të luftojë kundër kësaj logjike mafioze. E drejta jonë për të thithur ajër të pastër mund të merret vetëm nëse dorëzohemi”, thuhet në reagim.
Ndryshe, laboratori Qendror i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk është akredituar për asnjë metodë për monitorimin e cilësisë së ajrit. Edhe pse Shkupi çdo vit ndodhet në majat e listave të qyteteve më të ndotura në botë, matjet u besohen laboratorëve privatë me të cilët Ministria lidh kontrata. Këtë e dëshmoi edhe shembulli me zjarrin në Trubarevë, i cili edhe një herë nxori në pah problemin që po zgjat tashmë prej disa vitesh.
Akreditimi i Laboratorit Qendror për matjen e emetimeve në ajër ishte një nga kërkesat më të përsëritura të organizatave ekologjike me qëllim për ta ndihmuar punën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor në dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit. Laboratori ekziston për më shumë se katër dekada dhe ka qenë pjesë e Ministrisë që nga themelimi i saj në vitin 1995. Fakti që nuk ka akreditim për asnjë metodë për ajrin është arsyeja se pse matjet e tij të parametrave të ndryshëm të ndotjes nuk konsiderohen prova të forta, sidomos në procedurat gjyqësore kundër ndotësve, prandaj nuk ka qenë në funksion të Inspektoratit të Mjedisit Jetësor për dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit deri më tani.
