Atentati ndaj gazetarit italian, La Repubblica: Sulmi pas investigimit mbi qendrat e emigrantëve në Shqipëri, dyshohet i përfshirë Artur Shehu
Media italiane La Repubblica shkruan se një ndër pistat që po hetohet për atentatin ndaj gazetarit investigativ, Sigfrido Ranucci lidhet me hetimet mbi projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar midis qeverive të Romës dhe Tiranës. Sipas gazetës italiane, hetimet janë […] The post Atentati ndaj gazetarit italian, La Repubblica: Sulmi pas investigimit mbi qendrat e emigrantëve në Shqipëri, dyshohet i përfshirë Artur Shehu appeared first on Ditar.al.

Media italiane La Repubblica shkruan se një ndër pistat që po hetohet për atentatin ndaj gazetarit investigativ, Sigfrido Ranucci lidhet me hetimet mbi projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar midis qeverive të Romës dhe Tiranës.
Sipas gazetës italiane, hetimet janë përqëndruar te biznesmeni Artur Shehu, i konsideruar si një figurë me peshë në krimin e organizuar.
La Repubblica shkruan se sipas burimeve hetimore, Drejtoria Antimafia ka marrë informacion nga Vlora, në jug të Shqipërisë, për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin që ndodhi më 16 tetor, nën banesën e moderatorit të emisionit Report.
Bëhet fjalë për momentin, për një hipotezë, për të cilën nevojiten ende verifikime dhe prova përfundimtare, por që megjithatë po ndiqet me kujdes nga prokurorët e Drejtorisë Rajonale të Antimafias së Romës.
Në shkrim flitet për lidhjet e Artur Shehut me politikën, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçin. Ky i fundit shkruan La Repubblica ka qenë ndërmjetës kur Artur Shehu i dhuroi 30 mijë metra katrorë tokë pranë Vlorës për fondacionin e gjeneralit Fabrizio Lisi, që në atë kohë ishte kreu i Interpolit në Shqipëri.
Artikulli:
Ka një pistë shqiptare në hetimin për atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci. Emri mbi të cilin janë përqendruar tani hetuesit është ai i Artur Shehut, 58 vjeç, biznesmen me origjinë nga Shqipëria, i konsideruar nga disa hetime si një figurë me peshë në krimin e organizuar të vendit të tij. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara, në Florida, ku bën një jetë të rezervuar në Miami, ku është vendosur prej disa vitesh.
Sipas burimeve hetimore, edhe Drejtoria Antimafia ka marrë informacion nga Vlora, në jug të Shqipërisë, për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin që ndodhi më 16 tetor, nën banesën e moderatorit të emisionit Report.
Bëhet fjalë, për momentin, për një hipotezë, për të cilën nevojiten ende verifikime dhe prova përfundimtare, por që megjithatë po ndiqet me kujdes nga prokurorët e Drejtorisë Rajonale të Antimafias së Romës — zëvendësprokurorja Ilaria Calò dhe prokurori Carlo Villani — së bashku me karabinierët e Njësisë Hetimore prej ditësh po përpiqen të rindërtojnë çdo detaj të atentatit.
Mundësia e motivit lidhet me një episod të emisionit Report të datës 21 prill 2024, me një shërbim të titulluar “(Hot) Spot Albanese”, mbi projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar midis qeverive të Romës dhe Tiranës. Në atë shërbim, emri i Shehut përmendet disa herë dhe vendoset në një kontekst marrëdhëniesh dhe biznesesh që prekin qarqe politike dhe institucionale shqiptare.
Në programin e Raitre, 58-vjeçari shqiptar përshkruhet si një trafikant i rëndësishëm droge, i përmendur më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të supozuara me Cosa Nostra-n dhe Sacra Corona Unita-n. Sipas investigimit gazetaresk, Shehu ka dhuruar 30 mijë metra katrorë tokë pranë Vlorës për fondacionin e gjeneralit Fabrizio Lisi, që në atë kohë ishte kreu i Interpolit në Shqipëri.
Operacioni — gjithmonë sipas Report — do të ndërmjetësohej nga avokati Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, figurë e konsideruar kyçe edhe në përcaktimin e marrëveshjes dypalëshe me Italinë për emigrantët.
Emri i Shehut nuk ishte i panjohur as për shtypin ndërkombëtar. Në mars të vitit 2021, gazeta amerikane ‘Miami Herald’ i kishte kushtuar një hetim të gjerë me titullin: “Nga një vilë në Miami Beach, një njeri me lidhje të supozuara me mafien ndërton një perandori tregtare në Shqipëri”.
Artikulli jepte një portret të detajuar të jetës së tij në SHBA, duke përshkruar një vilë në Alton Road, “vetëm pak hapa larg gjirit të Biscayne”, të rrethuar me palma mbretërore, me një kopsht të mirëmbajtur dhe dy makina luksoze të parkuara në hyrje.
Sot, prokuroria po verifikon edhe këtë profil ndërkombëtar, duke kërkuar përputhje mes informacioneve të mbledhura në Shqipëri dhe lëvizjeve të 58-vjeçarit. Gjithsesi, pistat për urdhëruesit e atentatit mbeten të shumta, duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve që Report ka zhvilluar ndër vite — shpesh duke hyrë në territore delikate dhe duke prekur interesa të rëndësishme ekonomike e kriminale.
Megjithatë, në këtë fazë, vëmendja e hetuesve duket se është përqendruar kryesisht te disa sektorë të mafies shqiptare, ndërkohë që karabinierët po vazhdojnë verifikimet për të identifikuar personin që ka vendosur lëndën plasëse dhe atë që, sipas zhvillimeve më të fundit, verën e kaluar do të kishte tentuar të hynte në shtëpinë e dytë të gazetarit — por pa ia dalë.
The post Atentati ndaj gazetarit italian, La Repubblica: Sulmi pas investigimit mbi qendrat e emigrantëve në Shqipëri, dyshohet i përfshirë Artur Shehu appeared first on Ditar.al.