Bajraktari: Bekim Sejdiu, kandidati ideal për President të Kosovës

Veprimtari i çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harry Bajraktari, ka shprehur publikisht mbështetjen për ambasadorin dhe profesorin Bekim Sejdiu si kandidat të mundshëm për President të Republikës së Kosovës.
Bajraktari vlerëson se Sejdiu është një figurë profesionale dhe jopartiake, me përvojë në fushën juridike, akademike, shtetërore dhe diplomatike, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Postimi i plotë i Harry Bajraktarit
Këto ditë po përfliten disa emra për President të ri të Republikës së Kosovës. Njëri prej tyre është ai i ambasadorit dhe profesorit Bekim Sejdiu.
Ambasador Sejdiu është një zgjedhje e mençur për Kosovën sepse ai nuk vjen me barrë politike, e as me ngarkesa partiake. Ai sjell përvojë të madhe profesionale, shtetërore, juridike, akademike e diplomatike. Ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Turqi, si konsull i përgjithshëm në New York dhe si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Kjo është ajo që i duhet Kosovës sot: një njeri i matur e i përgatitur, që e njeh ligjin, e kupton shtetin dhe di si të flasë me botën. Kosova ka nevojë për një President që i shërben popullit, që e mbron Kushtetutën, dinjitetin dhe interesin e Kosovës.
Ambasador Sejdiu e kupton mirë sakrificën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Ai e di se çfarë ka kaluar ky vend për të ardhur deri këtu. Por ai e kupton edhe arenën ndërkombëtare, diplomacinë, marrëdhëniet me aleatët dhe rëndësinë e madhe të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përvoja e tij në Turqi, një vend i rëndësishëm i NATO-s, dhe në New York, ku ka krijuar lidhje të forta me zyrtarë të lartë amerikanë dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan , është vlerë e madhe për Kosovën
Kosovës i duhet një President që di të menaxhojë kriza, që di të ruajë qetësinë, që është unifikues dhe që mund ta çojë vendin përpara. U bëj thirrje të gjitha partive politike në Kosovë, pozitë e opozitë, që të veprojnë menjëherë dhe pa vonesa. Kosova ka nevojë për një figurë serioze e të respektuar si Bekim Sejdiu, që bashkon udhëheqësit politikë, institucionet, qytetarët dhe aleatët rreth një qëllimi të përbashkët: forcimin e shtetit të Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar
#HarryBajraktari #bekimsejdiu #kosova @followers
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



