Bashkëpunëtorët e jashtëm në Villën Vodno: Ja sa paguhen këshilltarët e presidentes së RMV-së, Siljanovska-Davkova

Zyra e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, deri më tani ka paguar mbi 70.000 euro për shërbimet e bashkëpunëtorëve të jashtëm të angazhuar për çështje të ndryshme, politike, juridike, komunikimi, financiare, etj. Sipas të dhënave që “Slloboden Peçat” i ka marrë nga Kabineti i Siljanovska-Davkovës, honorarët mujorë për këta bashkëpunëtorë të jashtëm lëvizin nga 30.000 […]

Bashkëpunëtorët e jashtëm në Villën Vodno: Ja sa paguhen këshilltarët e presidentes së RMV-së, Siljanovska-Davkova
Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së

Zyra e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, deri më tani ka paguar mbi 70.000 euro për shërbimet e bashkëpunëtorëve të jashtëm të angazhuar për çështje të ndryshme, politike, juridike, komunikimi, financiare, etj. Sipas të dhënave që “Slloboden Peçat” i ka marrë nga Kabineti i Siljanovska-Davkovës, honorarët mujorë për këta bashkëpunëtorë të jashtëm lëvizin nga 30.000 deri në 60.000 denarë, transmeton Portalb.mk.  

Bashkëpunëtorët dhe pagesat e tyre 

Ilija Dimovski ka marrë 60.000 denarë në muaj (gjithsej 300.000 denarë) si bashkëpunëtor i jashtëm dhe këshilltar politik për çështje që lidhen me funksionimin e sistemit politik, në periudhën nga 13 dhjetor 2024 deri më 31 maj 2025. Ilija Dimovski është ish deputet dhe protagonistë i njohur partiak i VMRO-DPMNE-së.

Me të njëjtin honorar është paguar edhe Marija Vesova, bashkëpunëtore e jashtme për përgatitjen e analizave lidhur me çështje të politikës së brendshme në hapësirën mediatike, por angazhimi i saj ka zgjatur vetëm një muaj e gjysmë (nga 15 prill deri më 31 maj 2025). 

Tanja Alltanxhieva është angazhuar për dhënien e mendimeve, rekomandimeve dhe konsultimeve nga fusha e drejtësisë dhe sistemit gjyqësor që nga data 1 nëntor 2024 dhe merr 50.000 denarë në muaj (deri tani gjithsej 550.000 denarë). 

Me të njëjtin honorar, Denis Jagxhi është angazhuar që nga data 17 korrik 2024 për fotografimin e ngjarjeve dhe ceremonive zyrtare. 

Jasmina Mironski punon që nga 1 prilli 2025 si bashkëpunëtore e jashtme për strategjinë e komunikimit, me honorar mujor prej 50.000 denarësh (deri tani gjithsej 300.000 denarë). 

Dragan Llakovski, i angazhuar që nga 1 janari 2024 për çështje të sistemeve kompjuterike dhe rrjeteve, me 50.000 denarë në muaj. 

Goran Icevski është punësuar që nga 15 prilli 2025 si bashkëpunëtor për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve për përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar, me 50.000 denarë në muaj. 

Aleksandar Paunovski, i angazhuar që nga 29 prilli 2025, merret me krijimin e përmbajtjeve audiovizuale dhe merr 40.000 denarë në muaj. 

Nga 1 qershori 2025, Lina Rangelova është bashkëpunëtore e jashtme për çështje që lidhen me të rinjtë, me honorar 30.000 denarë në muaj. 

Hristo Ivanovski ka punuar pesë muaj (nga 3 janari deri më 31 maji 2025) si këshilltar për politikën e brendshme me 40.000 denarë në muaj. 

Vitin e kaluar, nga 20 maji deri më 31 dhjetor 2024, Zlatko Jankovski ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm për çështje që lidhen me integrimet evropiane, politikat e BE-së dhe analizat e proceseve të negociatave me BE-në, me 30.000 denarë në muaj. 

Në përgjigjen nga Kabineti i presidentes thuhet se baza ligjore për angazhimin e këtyre personave është neni 5 i Vendimit për organizimin dhe fushëveprimin e punës së Kabinetit të Presidentit, ku thuhet: “Në punën e Kabinetit mund të angazhohen institucione shkencore dhe profesionale, si dhe punonjës të dalluar shkencorë e profesionistë.” 

Komisionet dhe pagesat e tyre 

Presidentja, në përputhje me kompetencat kushtetuese, ka formuar dy komisione të përhershme: 

  • Komisionin për dekorata dhe mirënjohje, dhe 
  • Komisionin për falje. 

Të dyja komisionet marrin honorar për çdo mbledhje të zhvilluar. 

Komisioni për dekorata dhe mirënjohje 

Ka mbajtur 3 mbledhje nga 16 janari deri më 14 mars 2025. Çdo anëtar ka marrë 6.500 denarë neto për mbledhje, plus 722 denarë tatim personal. Kryetar është Valentin Mirçeski, ndërsa anëtarë janë: Gzime Starova, Samuil Sadikario, Ana Durlovski, Reshat Ameti, Andrijana Janevska, Dejan Georgievski, Gena Teodosievska, Zharko Basheski, Olivera Nakovska-Bikova dhe Vesna Petrushevska. Për këto mbledhje janë paguar rreth 4.000 euro në total. 

Komisioni për falje 

Ka mbajtur 13 mbledhje nga 26 nëntori 2024 deri më 28 korrik 2025, me të njëjtin honorar si komisioni i parë – 6.500 denarë neto + 722 denarë tatim për mbledhje. Kryetare është Milka Ristova, ndërsa anëtarë janë: Oliver Baçanoviq, Aleksandra Gruevska-Drakulevski, Blerta Ahmedi, Dragana Batik, Afet Mamuti dhe Doan Sulejmanoski. Për të gjitha mbledhjet janë paguar rreth 10.000 euro. Më herët, në periudhën 29 korrik – 5 shtator 2024, Komisioni kishte një përbërje tjetër dhe zhvilloi 4 mbledhje, për të cilat janë paguar rreth 3.000 euro. 

Përbërja e kabinetit 

Duhet theksuar se Kabineti i presidentes aktuale, Gordana Siljanovska-Davkova, është më i vogël në numër se kabinetet e presidentëve të mëparshëm. Në kabinet janë të punësuar rreth 50 persona, dhe ndryshe nga paraardhësit e saj, Siljanovska-Davkova nuk ka këshilltarë të veçantë.